1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koncerni gjerman BASF humbet miliarda në Rusi

19 Janar 2023

Pjesëmarrja në koncernin e naftës dhe gazit Wintershall Dea i ka shkaktuar koncernit kimik BASF humbje të mëdha. Wintershall Dea „de facto është shpronësuar në Rusi“, duke sjellë miliarda humbje.

https://p.dw.com/p/4MOhq
Impiantet e amoniakut të BASF në Ludvigshafen, prej më shumë se 100 vjetësh një komponente e pandashme e aleancës së prodhimit
Impiantet e amoniakut të BASF në Ludvigshafen, prej më shumë se 100 vjetësh një komponente e pandashme e aleancës së prodhimit Fotografi: KUNZ/Augenklick/BASF SE

Koncerni më i madh kimik në botë BASF ka shënuar në vitin 2022 një humbje prej 1,3376 miliardë eurosh, pasi kishte fituar 5,5 miliardë në 2021. Këtë e njoftoi koncerni të martën në mbrëmje (17.01) duke u bazuar në shifrat paraprake. Analistët kishin përllogaritur një fitim mesatar prej afro 4,8 miliardë eurosh, edhe pse gjatë vitit koncerni regjistroi zhvlerësime të larta tek shoqëria bijë Wintershall Dea.

Por në tremujorin e katërt u shënuan korigjime të tjera të vlerës në më shumë se 5.4 miliardë euro, pasi Wintershall Dea po planifikon tërheqjen e plotë nga bizneset e saj në Rusi. Gjithsej amortizimet arritën në rreth 7.3 miliardë euro.

"E pamundur më tej"

Sipërmarrja e naftës dhe gazit Wintershall Dea është e detyruar të tërhiqet nga biznesi i saj në Rusi thuajse një vit pas fillimit të luftës në Ukrainë. "Vazhdimi i biznesit tonë në Rusi nuk është më i mundshëm", bëri të ditur drejtori ekzekutiv i koncernit Mario Mehren(17.01).

Në prill Wintershall Dea pati njoftuar se dëshironte t'i mbante projektet e saj ekzistuese në Rusi. Arsyeja ishte përgjegjësia e sipërmarrjes për punonjësit e saj dhe për furnizimin me energji të Evropës. Tani koncerni e ka ndryshuar krejtësisht qëndrimin.

Fabrika qendrore e grupit BASF në Ludvigshafen
Fabrika qendrore e grupit BASF në LudvigshafenFotografi: BASF SE

"Wintershall Dea planifikon një tërheqje të plotë të rregullt nga Rusia në përputhje me të gjitha dispozitat ligjore në fuqi", u tha në deklaratën për shtyp. Prandaj pjesa ruse në kompani është rivlerësuar" dhe janë bërë korrigjime të vlerës në biznesin evropian të transportit të gazit të koncernit", u tha më tej.

Zhvillim pa Rusinë

Kompania është e përfshirë në tre projekte prodhimi në fushën e gazit natyror Yushno Russkoye si dhe në formacionin Achimov të fushës Urengoi në Siberi. Pjesa e biznesit rus në prodhimin e përgjithshëm kohët e fundit ka qenë 50 për qind. Bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë, për të cilin Wintershall është kritikuar në të kaluarën, menaxhmenti para luftës e ka mbrojtur gjithmonë duke theksuar se pa Rusinë nuk do të kishte siguri energjetike për Evropën.

Largimi nga Rusia çon tani në një humbje të menjëhershme prej 5.3 miliardë eurosh për Wintershall Dea. "Ne jemi të përgatitur për këtë moment të vështirë”, tha Mehren. Kompania tani dëshiron të zhvillohet jashtë Rusisë, vëmendja është drejtuar tani nga Norvegjia, Algjeria, Argjentina dhe Meksika.

Fabrika e gazit në Nevy Urengoi në Rusi - BASF & Wintershall
Fabrika e gazit në Nevy Urengoi në Rusi - BASF & WintershallFotografi: Justin Jin/dpa/picture alliance

„Guri në qafë"

Wintershall Dea u krijua në 2019 nga bashkimi i bijës së BASF Wintershall me rivalin e saj Dea. Koncerni kimik në Ludwigshafen ende mban 72.7 për qind, pjesa tjetër është e ish-pronarit të Dea, LetterOne. BASF në fakt donte të tërhiqej nga biznesi i naftës dhe gazit dhe ta listonte Wintershall Dea në bursë. Por nxjerrja në bursë u shty disa herë dhe planet më pas u shkatërruan nga lufta në Ukrainë. Wintershall Dea po bëhej gjithnjë e më shumë si një gur i rëndë në qafën e BASF, me shpenzime të mëdha.

EBIT-i u ul me 11 për qind në 6.88 miliardë euro, duke rënë në fundin më të ulët të diapazonit të parashikimit prej 6.8 deri në 7.2 miliardë euro. Si konsumatori më i madh industrial i gazit në Gjermani, BASF pati shumë vështirësi sidomos për shkak të rritjes së dukshme të kostove të energjisë gjatë luftës në Ukrainë. Vetëm falë ngritjes së çmimeve dhe efekteve pozitive të valutës shitjet u rritën me njëmbëdhjetë për qind në 87.3 miliardë euro.