Kontributi i OKB-së për tregun e energjisë diellore në Shqipëri
12 Maj 2013Në nismën globale të Kombeve të Bashkuara për reduktimin e emetimit në atmosferë të gazrave me efekt serrë dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike, është përfshirë edhe Shqipëria. Një projekt i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara po promovon në Shqipëri përdorimin e energjisë diellore për ngrohjen e ujit, si një mënyrë efikase që shmang ndotjen e atmosferës me gazra me efekt serrë. Rezultati i tij do të jetë instalimi në Shqipëri, deri në vitin 2015, i një kolektori diellor, në një siperfaqje prej 75,000 m2 për të prodhuar energji dhe ngrohur me të ujin. Energjia e rinovureshme e përftuar nga ky kolektor do të reduktojë emetimin e gazit karbonik CO2 në atmosferë me 146.000 ton në vit. Mirela Kamberi, koordinatorja në Shqipëri e PNUD-it për këtë projekt thotë për DW: “Projekti i paneleve diellore përbën një nga masat më efektive për të reduktuar emetimin e gazeve me efekt serrë në Shqipëri. Pra, nëse sigurojmë ujë të ngrohtë me energji diellore, një energji e pastër, shmangim atë sasi energjie që do të ishte prodhuar nga një burim tjetër konvencional, që do të kishte emetuar në atmosferë një sasi gazi me efekt serrë. Projekti nuk është i tipit që të shkosh në treg të blesh panele diellore dhe t’i instalosh, por synon të ngrejë kapacitete përmes politikave promovuese për të transformuar tregun e energjisë”, thekson Kamberi.
A ka në Shqipëri treg të energjisë diellore?
Ky treg nuk mungon. Përdorim i paneleve diellore për ngrohjen e ujit ka tendencë të rritet edhe në Shqipëri. Por është një treg i deformuar për shkak të instalimeve difektoze. “Nga vëzhgimet që kemi bërë në kuadër të projektit të Kombeve të Bashkuara rezulton që 60% e instalimeve të paneleve diellore është i gabuar. Kjo prish tregun pasi një konsumator nuk është në gjendje të kuptojë përfitimet nga energjia diellore. Tregu deformohet. Prandaj projekti i kushton vëmendje trainimin të prodhuesve të paneleve diellore, montuesve deri tek arkitektët dhe inxhinierët e ndërtimit, që duhet ta konceptojnë vendosjen e panelit diellor që në fazën e projektimit të ndërtesës. Trainimet profesionale do të sjellin një cilësi të lartë të instalimeve të kolektorëve diellorë dhe konsumatorët do të kuptojnë që nëse kanë një panel diellor përfitimet prej tij janë shumë të mëdha”, thotë Mirela Kamberi.
Përvoja gjermane tek prodhuesit shqiptarë të paneleve diellore
Mihal Sila është përfshirë në këtë projekt dhe përfaqëson prodhuesit vendas të paneleve diellore. Prej vitesh ai drejton ndërrmarjen ”Termo- Tirana”, ku prodhohen panele diellore me material të importuar .”Importojmë materiale nga Gjermania, janë materiale bashkëkohore. Kanë ardhur ekspertë gjermanë nga Mynihu për të na dhënë përvojën e tyre. Pprojekti i UNDP na monitoron lidhur me cilësinë e produktit. Qëllimi është që të marrim certifikatën ISO të cilësisë, që përdoret në vendet e BE-së, që do të na hapë rrugën e prodhimit të paneleve diellore jo vetëm për tregun vendas por edhe atë në Europë”, thotë Mihal Sila.
Shqipëria- pa ligj për përdorimin e energjive të pastra
Me një fond prej 1 milion dollarësh të siguruar nga UNDP, GEF – Fondi global për mjedisin- dhe qeveria e Tiranës synohet që panelet diellore të përdoren gjerësisht në godinat publike,private dhe sidomos në sektorin e turizmit deri në vitin 2015. Por realizimin e këtij synimi e pengon mungesa e ligjit që obligon qytetarët dhe bizneset të përdorin energjinë diellore. “Miratimi i ligjit do të detyrojë përdorimin e paneleve diellore në ndërtesat e reja publike apo private duke i dhëne shtysë zhvillimit të tregut pasi pritet që ligji të heqë taksat dhe tatimin mbi vlerën e shtuar për prodhuesit e paneleve diellore. Kjo do të sjellë përdorimin e tyre sidomos në sektorin e turizmit”, thotë Mirela Kamberi.
Një model egziston: Thethi. UNDP në bashkëpunim me GIZ vendosën në këtë zonë me potencial të lartë turistik, panele diellore për ngrohjen e ujit. Kjo iniciativë mund të shtrihet edhe në zona të tjera turistike të Shqipërisë në kuadër të projektit të PNUD-it. Tani për tani panelet diellore po vendosen në godina publike si shtëpitë e fëmijës, të të moshuarve, në kopshe, çerdhe dhe shkolla të reja që po ndërtohen.
Kyoto, BE dhe Shqipëria
Në një vështrim afatgjatë përdorimi i paneleve diellore për ngrohjen e ujit do të ulë ndjeshëm emetimin e gazrave me efekt serrë, CO2 në atmosferë, si një nga shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale dhe do të japë kontribut për zbutjen e saj. A ka detyrime Shqipëria? ”Shqipëria ka ratifikuar Protokollin e Kyotos, por ka një status që nuk ka detyrime në sasi dhe kohë për të reduktuar emetimin e gazrave me efekt serrë. Por Shqipëria duhet të marrë angazhime vullnetare pasi jo vetëm vendet e zhvilluara që kanë përgjegjësinë historike për ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike, por edhe vende si Shqipëria duhet të jenë aktive. Shqipëria synon të futet në BE dhe në momentin kur do të jetë pjesë e BE-së do të duhet që vullnetarisht ta ndryshojë statusin dhe të sillet si të gjitha vendet dhe të marrë detyrime për reduktimin e emetimit të gazrave me efekt serrë”, thotë për DW Mirela Kamberi.
Shqipëria është gjithashtu palë në Konventën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet Klimatike Projekti i PNUD-it është një hap i rëndësishëm për të krijuar në Shqipëri tregun e energjive të rinovueshme.