1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsion i thellë në mediat e Serbisë

Ivica Petroviq / Esat Ahmeti18 Korrik 2013

Vendimi i klubit futbollistik "Crvena Zvezda" për të ngritur padi penale kundër gazetarit Dejan Angjusa ka hapur edhe temën e korrupsionit në media dhe në mesin e gazetarëve në Serbi.

https://p.dw.com/p/19A9O
Fotografi: picture-alliance/CTK

Drejtuesit e klubit futbollistik "Crvena Zvezda" kanë vendosur për të marrë këtë hap pasi që kanë mësuar se Angjus me miqtë e tij, kërkoi 12.000 Euro nga trajneri i ri Sllavisha Stojanoviq, duke pretenduar se ka qenë ai që e solli atë në këtë pozitë. Kjo i ktheu gjërat kokëposhtë, ata që duhet të jenë në ballë të luftës kundër korrupsionit, tani ndodhen në një situatë të tillë ku duhet t'iu përgjigjen akuzave për korrupsion në radhët e tyre. Rasti Angjus, megjithatë, vetëm ka shpalosur atë që ishte e njohur me vite: mediat serbe dhe gazetarët janë pjesë e shoqërisë në të cilën politikanët, manjatët dhe kriminelët financojnë mediat dhe përcaktojnë politikën redaktuese.

Korrupsioni pa procedurë gjyqësore

Sigurisht që mediat dhe gazetarët nuk janë përjashtim, dhe korrupsioni natyrisht që është i pranishëm në mediat serbe, thotë për DW, Milan Antonijeviq, drejtor i Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut:

Stadiumi i Crvena Zvezdës, Marakana në Beograd
Stadiumi i Crvena Zvezdës, Marakana në BeogradFotografi: DW

"Megjithatë, ajo që nuk ka ndodhur janë procedurat gjyqësore të cilat do të vërtetonin ato por çdo gjë ka mbetur në nivelin e spekulimeve çka nuk është e mjaftueshme për të folur me argumente. Ajo çka është e dukshme janë disa fushata politike, kujtoni vetëm fushatën kundër Zoran Gjingjiq-it, për të cilën me të drejtë mund të thuhet se ka qenë fushatë e financuar dhe se kemi pasur gazetarë të cilët në mënyrë profesionale kanë zhvilluar fushatë kundër njerëzve të caktuar dhe për këtë ata kanë marrë shpërblime të mëdha."

Mediat për fat të keq, po ashtu janë bërë pjesë e zinxhirit të korrupsionit, vlerëson për Deutsche Welle-n, Vukashin Obradoviq, president i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS). Rasti i fundit i gazetarit Dejan Angjusa vetëm tregon se sa thellë është futur korrupsioni në media, thekson Obradoviq.

Kush i merr paratë?

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë (UNS), Nino Brajoviq, vlerëson për DW-në se si shumë shembuj nga media në shikim të parë të ngjajnë në korrupsion, por në të vërtetë bëhet fjalë kryesisht për vetëcensurë. Gazetarët thjesht frikësohen për të hulumtuar çfardo që ka të bëjë me dikë që është politikisht apo financiarisht me ndikim, konsideron Brajoviq. Megjithatë Brajoviqin e pyesim nëse gazetarët në Serbi marrin para për të zbukuruar apo për të fshehur disa informata?:

"Para për këtë sipas mendimit tim mund të marrin vetëm pronarët e mediave, apo njerëzit kryesor në disa media. Unë nuk mund të pajtohem me idenë se gazetarët marrin para në kuptimin e gjerë të fjalës, jo vetëm pse unë nuk kam fakte për një gjë të tillë por edhe pse nuk jam i bindur se është kështu. Fatkeqësisht ekziston interesimi blerës te disa gazetarë për të shkruar për ndonjë personalitet të estradës, sportist e kështu me radhë, në një nivel shumë të ulët, dhe ky është një fakt që nuk është i panjohur për ne."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Është bërë pothuajse rregull në çdo qytet në Serbi, që politikanët vendorë nën formën e "bashkëpunimit me media" të financojnë disa gazetarë dhe media, thotë Obradoviq. Prandaj, aferat nuk zbulohen në mediat lokale, të cilat për nga natyra e tyre duhet të jenë të parat që publikojnë ato, thotë Obradoviq:

"Kjo është një pasojë normale, ta përsëris edhe njëherë e sistemit mediatik në të cilën nuk ka transparencë për shpenzimet buxhetore, në të cilin ne nuk jemi në dijeni se cilat media marrin para nga qeveria, nga ndërmarrjet shtetërore, dhe kjo është gjeneratori kryesor i korrupsionit në media" .

Kur flasim rreth këtyre fenomeneve ato para së gjithash janë të rregulluara me kodet e etikës së gazetarëve, por me siguri që nuk mund të përjashtohet mundësia e përgjegjësisë penale, thotë Antonijeviq. Prandaj është e nevojshme për të shqyrtuar secilin rast veç e veç dhe për të parë nëse ka elemente të veprës penale, dhe natyrisht prokuroria në bazë të tyre të mund të ndërmarrë procedurat juridike, thotë Antonijeviq.