Korrupsion te shefi i antikorrupsionit
3 Prill 2012Drejtuesin e Task-Forcës Antikorrupsion të Kosovës, sipas medieve kosovare, e kanë arrestuar nën akuzën e korrupsionit. Prokurorin Nazmi Mustafi e arrestuan në zyrën e tij dhe banesën e tij e kontrolluan, bëri të ditur gazeta kosovare "Zëri" të martën. Policia konfirmoi hetimet për shkak të korrupsionit në kuadër të Task Force-s, në vazhdën e të cilave janë arrestuar dy persona të dyshimtë.
Hetimet për shkak të shpërdorimit të detyrës janë drejtuar kundër një prokurori, i cili i ka bërë shantazh një personi të dyshuar për të marrë ryshfet, bëri të ditur policia e Kosovës. Në gazetën "Koha ditore" citohet një sipërmarrës, i cili thotë se i ka dhënë "dhjetëra mijëra euro" Mustafit, që ky të ndalonte hetimet kundër tij.
Task-Forca Antikorrupsion e nisi punën e saj në vitin 2010. Mustafi sipas "Kohës ditore" po bënte hetime ndër të tjera kundër ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi. Ky rast u pezullua në vitin 2010 për shkak të mungesës së dëshmive. Sipas vlerësimeve Kosova humbet çdo vit dhjetë milionë euro për shkak të korrupsionit.
Autor: dpa/ Auron Dodi
Redaktoi: Ina Verbica