1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni është shkaktari më i madh i varfërisë në botë

Klaus Ulrich11 Nëntor 2005

Pas 12 vjetësh në krye të "Transparency International" themeluesi dhe kryetari i saj Peter Eigen do të largohet nga ky post për t'ia lënë këtë detyrë një më të riu.

https://p.dw.com/p/As8e
Peter Eigen, kryetar i Transparency International, (djathtas)
Peter Eigen, kryetar i Transparency International, (djathtas)Fotografi: AP

Shumëkush u çudit në vitin 1993, kur dikush nga rrethi i lartë i drejtorëve të Bankës Botërore kërkoi të dilte në pension para kohe për t'iu përkushtuar luftës kundër korrupsionit dhe nepotizimit në të gjithë botën. Së bashku me dhjetë partnerë, Peter Eigen themeloi "Transparency International" (TI). Kjo nismë qytetare e një lloji të ri vuri në shënjestër shefat e koncerneve dhe qeveritë e vendeve të ndryshme, për të sensibilizuar opinionin për problemin e korrupsionit.

Peter Eigen tregon: "Organizatat e zhvillimit kanë mësuar shumë tashmë. Po ato nuk janë të vetmet që vendosin se ku do të shkojnë paratë. Interesat ekonomike luajnë një rol mjaft të madh si nga pala donatore edhe nga pala që përfiton. Interesat politike, interesat ushtarake e plot të tjera luajnë një rol tepër madh, kur vjen puna për t'u lënë organizmave lokalë në dorë sasi të jashtëzakonshme parash që t'i administrojnë sa më mirë."

"Korrupsioni vret!" ky është slogani me të cilin TI demaskon mentalitetin e bakshishit dhe pasojat e tmerrshme të tij në vendet në zhvillim. Sot, kjo organizatë është e pranishme në 122 vende të botës dhe ka në 87 vende seksionet e saj.

Për indeksin vjetor të korrupsionit që nxjerr kjo organizatë nuk analizohen vetëm vendet në zhvillim. Edhe Gjermania përshembull është e përfshirë në këtë indeks dhe vitin e kaluar zuri vendin e 15 nga 145 vendet e analizuara.

Eigen shpjegon se në praktikë lufta kundër korrupsionit funksionon përmes përpilimit të të ashtuquajturave lista të zeza apo të listave të integritetit. "P.sh. në rastet e tenderave të mëdha të Bankës Botërore për të cilat konkurojnë rreth dhjetë koncerne të fuqishme ndërtimi që kanë aktivitet ndërkombëtar, bëhet fjalë për 500 milionë dollarë, secila firmë mendon se tjetra do të paguajë para për ta fituar tenderin. Ne në bashkëpunim me qeveritë e vendeve të ndryshme u kërkojmë këtyre koncerneve që të nënshkruajnë një "pakt integriteti" që nuk do të paguajnë rryshfete që të fitojnë tenderin. Në rast se vërtetohet e kundërta atëhere ato i presin dënime të rënda. Banka Botërore ka në dorë lista të zeza me emrat e firmave që dyshohet se kanë paguar para për të fituar tenderat. Këto firma përjashtohen nga tenderat. Tepër e rëndësishme në këtë mes është pjesëmarrja e shoqërisë civile, e cila duhet të vëzhgojë dhe të denoncojë rastet korrupsionit dhe procesin e reformave."

Lufta e Peter Eigenit kundër korrupsionit në Gjermani çoi në ndryshimin e ligjit të taksimit, i cili u jepte mundësi firmave gjermane që paguanin para jashtë Gjermanisë për të fituar tendera, që këto para t'i zbrisnin nga taksat që u duhej të paguanin në vend.

Edhe pse pas 12 vjetësh në krye të "Transparency International" juristi 67-vjeçar po largohet nga kryesia e kësaj organizate për të kaluar më shumë kohë me familjen, ai do të vazhdojë të bashkëpunojë aktivisht, sepse është i bindur se: "Korrupsioni është shkaku më i rëndësishëm që shkakton varfërinë në botë, është shkaku i dhunës, i mjerimit dhe i humbjes së shpresës në radhët e shumë shoqërive. Për këtë duhet që të gjithë të mobilizohen për të luftuar korrupsionin. Kjo do të thotë që edhe shtetet e pasura duhet t'i kundërvihen në mënyrë rigoroze dhe intensivisht korrupsionit, i cili fillesën vazhdon ta ketë tek eksportuesit nga këto vende."