1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

091209 Korruption Siemens

9 Dhjetor 2009

Sipas të ashtuquajturit indeks i perceptimit të korrupsionit të Transparency International (TI), Gjermania në vitin 2009 është renditur në vendin e 14-të. Kështu Gjermania po lëviz si mesfushor, thuhet nga TI.

https://p.dw.com/p/Ky6I
Gjermania në vitin 2009 është renditur në vendin e 14-të nga TI.
Gjermania në vitin 2009 është renditur në vendin e 14-të nga TI.Fotografi: BilderBox.com

Megjithatë gjendja ka qenë edhe më e keqe. Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit do të ishte mirë të kujtohej njëherë afera e korrupsionit tek Zimensi (Siemens). Kjo aferë pati tronditur para tre vitesh një prej koncerneve më të mëdha në Gjermani dhe përfundoi përkohësisht para një jave me një kompromis me kryetarin e dikurshëm të kryesisë Heinrich von Pierer.

Se sa të holla janë paguar në kuadër të kompromisit vazhdon të jetë ende e paqartë. Të paktën pesë milionë euro duhet t'i paguajë shefi i dikurshëm i kryesisë dhe këshillit mbikqyrës, Heinrich von Pierer Zimensit për t'i shpëtuar padisë së ish-punëdhënësit të tij. Heinrich von Pierer nuk e kishte llogaritur asnjëherë se puna do të vinte deri këtu. Para tri vitesh, në nëntor të vitit 2006 prokuroria e Mynihut pati urdhëruar bastisjen e zyrave dhe banesave të disa bashkëpuntorëve të Zimensit. Dyshimet e hetuesisë: Punonjësit e Zimensit kanë shpërdoruar paratë për të dhënë baksishe tenderuesve potencialë. Dy muaj pas bastisjeve, von Pierer u shpreh i penduar në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm: "Ne ishim të sigurtë se nga rastet unike të zbuluara atëherë kishim patur pasojat dhe marrë masat e duhura efektive në mënyrë që gjëra të tilla të mos përsëriten më kurrë dhe mua më vjen shumë keq që këtë siç duket nuk e kemi arritur në shkallën e duhur".

Heinrich von Pierer
Heinrich von PiererFotografi: AP
Klaus Kleinfeld
Klaus KleinfeldFotografi: AP

Në muajt pasardhës nuk ka kaluar pothuajse asnjë ditë ku nuk nanë dalë në dritë hollësi të reja për aferën e korrupsionit. Nëse në fillim flitej për një shumë dyshifrore milionëshe të paguar ryshfet nga Zimensi, kjo shumë është bërë më e madhe nga dita në ditë. Pavarësisht se ku, në Rusi, Nigeri apo Greqi: bashkëpuntorët e Zimensit kanë ndihmuar shumë që të bindin zyrtarët e korruptuar dhe përfaqësuesit e firmave të ndryshme për kualitetin e produkteve të Zimensit. Të gjitha këto veprime janë duruar dhe fshehur nga Zimensi. Posaçërisht në kohën kur kryetar i kryesisë ka qenë Heinrich von Pierer. Si pasojë von Pierer dha dorëheqjen në prill të vitit 2007. Në vend të tij u zgjodh shefi i dikurshëm i koncernit Thyssen-Krupp, Gerhard Cromme. Ai ashpërsoi mënyrën e sjelljes kundër kryesisë së dikurshme dhe kryesisë aktuale. Dhe kjo ishte logjike. Zimensi është regjistruar në bursën e Nju Jorkut. Këshilli Mbikqyrës i bursave amerikane dhe ministria amerikane e drejtësisë janë shumë rigoroze kur bëhet fjalë për korrupsion dhe kërcënojnë me gjoba miliardëshe. Kështu që nuk vonoi shumë dhe dorëheqjen e ofroi edhe shefi i Zimensit, Klaus Kleinfeld.

Këshilli Kontrollues dhe kryesia e Zimensit u lehtësuan shumë kur në dhjetor të 2008-s morrën vesh vendimin e drejtësisë amerikane dhe Prokurorisë së Mynihut. Rreth 600 milionë euro gjobë duhej t'i paguheshin autoriteteve amerikane të drejtësisë dhe Kontrollit të Bursës dhe 400 milionë euro Gjermanisë. Kjo shumë ishte shumë më e vogël nga sa pritej. Sepse në fillim flitej për rreth 10 miliardë euro.

Që atëherë Zimensi ka arritur kompromise me dhjetë anëtarët e dikurshëm të kryesisë. Ata paguajnë nga 500 mijë deri në katër milionë euro për Zimensin. Von Pierer, ish-shefi i dikurshëm duhet të paguajë më shumë se të tjerët. Në këtë mënyrë mund të mbyllet pjesa kryesore e skandalit. Megjithatë fjalën e fundit për këto kompromise duhet ta thonë aksionerët në mbledhjen e përgjithshme, në janar të vitit 2010.

Autor : Wolfram Schrag / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama