Kosovë: I digjet vetura nënkryetarit serb të Kuvendit, Simiq
9 Janar 2020Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në veri, Branisllav Radoviq, tha se makina private e zotit Simiq është djegur para banesës së tij (09.01.2020). Prokurori përgjegjës rastin e djegies së veturës së Sllavko Simiqit e cilësoi si "shkaktim të rrezikut të përgjithshëm".
Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha në reagimin e tij, se "djegia e makinës së Simiqit është një akt qyqar i atyre që besojnë se në këtë mënyrë mund të heshtin vullnetin e popullit serb në Kosovë". Marko Gjuriq u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që pa vonesa, të hetojnë dhe dorasit e sulmit të mbajnë përgjegjësi. Djegien e veturës së nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës Sllavko Simiq, e dënoi edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova. "Jam e shqetësuar pas raportimeve për sulmin ndaj pronës së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës. Pres që policia të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë”, shkroi në Twitter Apostolova. Sllavko Simiqi u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e listës Srpska më 26 dhjetor të vitit të shkuar në seancën konstituive të Parlamentit të ri të Kosovës. Lista Srpska ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Mediet lokale serbe shkruajnë se Sllavko Simiq, së voni është emëruar edhe kryetar, i siç thuhet "Qark Administrativ i Mitrovicës së Kosovës", një institucion paralel që funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.