LVV-së i kërkohet një mandatar i ri për krijimin e qeverisë
3 Prill 2020Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se presidenti nuk po e kryen funksionin e tij neutral, por ka synim politik dhe personal. Këtë reagim Kurti e bëri pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zyrtarisht i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosja propozimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti javën e kaluar me mocion mosbesimi në Parlament. Ne letrën e dërguar Kurtit, presidenti mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës.
Kurti kërkon zgjedhje të reja
"Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”, përmendet ky nen i Kushtetutës në letrën e presidentit Thaçi, i cili gjatë dy ditëve të shkuara takoi të gjithë udhëheqësit e partive politike në fazën e konsultimeve.
Në reagimin e tij, kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, e quan presidentin Thaçi jo-neutral në funksionin e tij.
"Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë. Presidenti po sillet thua se qeveria varet nga Kuvendi por, ky s'varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë. Presidenti, takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t'ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t'i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, shkruan Albin Kurti në profilin e tij social.
Partitë tjera kërkojnë qeveri të re
Pas konsultimeve që presidenti pati me partitë tjera politike, të gjitha u pajtuan që Kosova duhet të ketë një qeveri të re dhe jo të shkojë në zgjedhje të reja, ashtu siç po kërkon Vetëvendosja që në zgjedhjet e fundit doli partia e parë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është për krijimin e një qeverie të re.
"Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mendon se më sigurt për Kosovën është me pas një qeveri të votuar në parlament së shpejti, pra kur do që është e mundshme se sa të vazhdohet me gjendjen me një qeveri të shkarkume prej parlamentit”, tha Haradinaj. Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se Kushtetuta e Kosovës ka qartësi të plotë për t'i dhënë zgjidhje vendit.
"Nisma beson se presidenti duke respektuar Kushtetutën duhet kujdesshëm të shikoj mundësinë që të shmangë zgjedhjet e parakohshme. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta lexojmë, ta interpretojmë dhe ta ruajmë Kushtetutën dhe frymën e saj, ta ruajmë shtetin tonë parlamentar dhe ai ruhet kur në epiqendër të këtij shteti është Parlamenti i Kosovës”, tha Fatmir Limaj.
Edhe subjektet politike të pakicave të cilat kanë vende të garantara në Kuvend u shprehen kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke kërkuar formimin e një qeverie të re gjithëpërfshirëse. Një ditë më parë edhe dy subjektet e mëdha politike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) thanë se janë për krijimin e një qeverie të re.
Vlerësimet e analistëve
Në këtë fazë politike në të cilën ndodhet Kosova, po zhvillohet një debat edhe ndermjet njohësve të kushtetutës së Kosovës, se kush mund të ketë të drejtë në këtë fazë. Vigan Qorroli, konstitucionalist dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, shkroi se pas letrës që presidenti i kërkoi Albin Kurtit ta propozojë mandatarin e ri për krijimin e qeverisë, se "Kosova po hynë në një krizë të thellë politike”.
"Filloi të realizohet skenari, sipas të cilit, gjithçka pritet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, për një aktgjykim të ri mbi interpretimin normativ për menyrën e formimit të qeverisë. Vendimi i presidentit për një qeveri të re dhe jo zgjedhje të reja, do ta polarizojë edhe më keq skenën politike. LVV në njerën anë, të gjitha të tjerat bashkë, në anën tjetër. Po futemi zyrtarisht në krizen më të thellë politike të pasluftes”, shkruan Vigan Qorroli.
Një njohës tjetër i Kushtetutës Dastid Pallska, thotë se insistimi i kryeministrit Kurti vetëm në nenin 82.2 të Kushtetutës, duke anashkaluar nenet tjera është i gabuar.
"Po ta kishte lexuar vetë Nenin 82.2 të Kushtetutës do ta kuptonte se krejt çka kjo dispozitë përcakton është se, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mos-besimit ndaj Qeverisë, presidenti e ka mundësinë, por jo detyrimin, ta shpërndajë Kuvendin dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohëshme”, shkruan Dastid Pallska.
Lajçak zyrtarisht përfaqësues i BE në dialog
Sidoqoftë, parlamenti i Kosovës me 25 mars shkarkoi qeverinë e Kosovës me 82 vota, pas një mocioni mosbesimi të inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte partnere në koalicion me Vetëvendosjen. Përplasjet filluan për shkak se LDK kërkonte që tarifat ndaj mallrave të Serbisë, të hiqet në tërësi ashtu siç kërkonte edhe SHBA-ja. Kështu nuk vepronte Albin Kurti, i cili megjithatë dy ditë më parë hoqi tarifën, por sipas një plani të tij, duke vendosur reciprocitet tregtar me Serbinë, që u kundërshtua serish nga SHBA. E heqjen e tarifave ndaj mallrave të Serbisë, e përshëndetën disa nga vendet e QUINT-it, Gjermania, Franca dhe Italia, të cilat e cilësuan si një hap që mund të kontribuojë në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Këshilli i Bashkimit Evropian, me datën (03.04) emëroi zyrtarisht ish ministrin e punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
"Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës”, thuhet në një njoftim të BE-së. Bëhet e ditur se mandati fillestar i Mirosllav Lajçakut do të jetë 12 muaj. Paralajmërimet e mëhershme se Lajçak do të emërohet si i ngarkuar e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, e ka kundërshtuar ashpër presidenti i Kosovës, duke e cilësuar si një "mision i paracaktuar të dështojë”, për faktin që Lajçak sipas presidentit, vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe SHBA-ja ka një të ngarkuar për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell.