Kosova temë e takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bremen
30 Mars 2007Komisioneri i BE-së për zgjerimin Oli Ren kërkoi sot të premten në Bremen një shumë të konsiderueshme parash: "Ne kemi nevojë për një kontribut të dukshëm të shteteve të BE-së dhe partnerëve të tjerë, " tha Ren në kuadër të takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së sot në Bremen.
Sipas tij këto shpenzime nuk mund të mbulohen vetëm nga buxheti i BE-së. Ren gjithashtu i kërkoi ministrit të jashtëm gjerman Frank-Valter Shteinmajer që të angazhohet për një vendim të shpejtë në Këshillin e Sigurimit mbi statusin e Kosovës.
Ndërkohë Këshilli i Sigurimit do të shqyrtojë planin e propozuar nga i ngarkuari i OKB-së Marti Ahtisari mbi zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në këtë plan parashikohet një pavarësi e kufizuar e Kosovës, gjë që e refuzon Rusia dhe që Serbia e konsideron kundër së drejtës ndërkombëtare. BE-ja ndërkaq ka shpallur një nismë për ndihmën civile në Kosovë që parashikon parandalimin e trazirave eventuale në rast të vendimit mbi statusin si dhe ndërtimin e strukturave të shtetit ligjor.
Ministrat e jashtëm të BE-së në Bremen do të konsultohen edhe mbi raportin e komisionerit Oli Ren dhe të shefit të diplomacisë së BE-së, Havier Solana mbi Kosovën. Në këtë raport thuhet, se paratë nevojiten jo vetëm për misionin ndërkombëtar, por edhe për forcimin e ekonomisë dhe për lehtësimin e borxheve që ka Kosova.
Në qendër të këtij takimi janë krahas Kosovës edhe Lindja e Mesme dhe situata në rajonin sudanez të krizës, Darfur. Pasdite në orën 18 pas takimit do të jepet një konferencë shtypi ku do të publikohen të tjera hollësi nga konsultimet e krerëve të diplomacisë së vendeve të BE-së.