Kosovë: Aksion i policisë kosovaro-gjermane kundër drogës
7 Qershor 2021Një aksion i njësisë antidrogë të policisë së Kosovës në bashkëpunim me policinë gjermane u zhvillua në rajonin e Prishtinës. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se në këtë aksion, u kapën 2.5 kg kokainë. "Njësia antidrogë e rajonit të Prishtinës, në koordinim të plotë me policinë gjermane, realizuan aksionin e radhës që rezultoi me arrestimin e një të dyshuari në Prishtinë për kontrabandë me narkotik. Po ashtu, policia konfiskoi edhe 2.5 kg kokaine, 3 armë (revolverë automatikë), karikator, qindra fishekë, si dhe dy automjete. Mbetemi të përkushtuar maksimalisht që të punojmë ngushtë me partnerët tanë për të parandaluar dhe luftuar, tregtinë e paligjshme të drogës dhe formave të tjera të rënda të krimit të organizuar ndërkombëtar”, shkroi në profilin e tij ministri i Brendshëm i Kosovës.
Disa javë më parë policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë italiane dhe atë të Shqipërisë kapën 400 kilogramë kokainë, sasia kjo më e madhe e kapur ndonjëherë në Kosovë. Transporti për në Kosovë ishte bërë nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Vërmicës, dhe transportuesi u kishte deklaruar punonjësve doganor se është duke bartur produkte mishi. Në këtë aksion u arrestuan shtatë persona, dhe u sekuestruan të holla, telefona, vetura edhe armë. Sasia e drogës prej 400 kg ishte nisur nga Brazili.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, për këto aksione të policisë kundër trafiqeve të drogës tha se "policia e Kosovës në koordinim me institucionet partnere të saj me të gjitha kapacitetet do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale, që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit.