1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Qëndrime të kundërta mes presidentit e qeverisë

Bekim Shehu
6 Nëntor 2017

Kryeministri ka paralajmëruar, se marrëveshja për kufirin me Malin e Zi mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Presidenti e quan kauzë të rreme pretendimin, se Kosova humbet territor me marrëveshjen aktuale.

https://p.dw.com/p/2n8l3
Karte Westbalkan unbeschriftet
Fotografi: DW

Qëndrime të kundërta së fundi janë shfaqur ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Presidenti Hashim Thaçi e ka vënë në dyshim punën e komisionit të ri për demarkacionin të emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj, pas marrjes së postit në krye të qeverisë. Një ditë më parë kryetari i komisionit për demarkacionin me Malin e Zi, Shpetim Bulliqi, tha se "komisioni ka mbledhur prova të mjaftueshme, që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të demarkacionit”. Sipas tij, nga dëshmitë e siguruara dhe disa materialeve që janë marrë në Kroaci dhe Slloveni, do ta dëshmojnë këtë.

"Ato çfarë kemi siguruar, dëshmojnë se shënjimi i vijës kufitare nga komisioni i kaluar është bërë gabim. Unë shpreh habinë time se si ish-anëtarët e komisionit të kaluar nuk kanë kërkuar për këto fakte në dy vendet mike të Kosovës, siç janë Kroacia e Sllovenia”, thotë shpetim Bulliqi.

Kjo deklaratë e ka zemëruar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vazhdon të besojë se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015, e cila e përcakton vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull.

"Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediet dhe nëpërmjet tyre opinionin publik. Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinioni publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t'i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”, shkruan në profilin e tij, presidenti Hashim Thaçi.

Për më shumë presidenti thotë, se nëse institucionet shtetërore do të vazhdojnë të mbeten peng të trillimeve individuale, pasojat për shtetin e Kosovës mund të jenë të rënda. Presidenti bën thirrje që institucionet e Kosovës të marrin vendim për çështjen e demarkacionit.

"Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, thotë presidenti.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, vazhdon të besojë që demarkacioni me Malin e Zi është bërë gabim dhe ai pret që këtë ta argumentojë komisioni shtetëror, që e emëroi vet në krye me Shpetim Bulliqin.

Mirëpo, është qeveria e Malit të Zi, ajo që tashmë disa herë ka deklaruar se për këtë shtet çështja e demarkacionit me Kosovën ka përfunduar, sepse ata tashmë e kanë ratifikuar në kuvendin e Malit të Zi. I ndodhur në këtë situatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se Marrëveshja për Demarkacionin mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit po qe se nuk arrin të rinegociohet me shtetin fqinjë Malin e Zi.

"Për demarkacionin sikurse e dini, nuk është një temë që po fle. Sa më shpejt që t'i kemi rezultatet, do të lëvizim. Kjo çështje mund të përfundojë në Arbitrazh për shkak se versioni ekzistues nuk i ka votat dhe nuk ka përkrahje”, thotë Haradinaj. Komisioni i ri për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sipas njoftimit zyrtar të tyre, është fokusuar në tri segmente: Në të drejtën ndërkombëtare të delimitimeve dhe demakrimeve, punën në terren dhe hulumtimi i materialeve faktografike. Të konstatimet e këtij komisioni sipas udhëheqësit Bulliqi, të faktuara do t'i dorëzohen qeverisë së Kosovës dhe kuvendit të Kosovës më së largu deri në fund të këtij muaji.

Pastaj është kuvendi i Kosovës ai që vendos, se si do të procedohet më tutje. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është njëri nga kriteret e fundit që kërkohet nga Komisioni Evropian në procesin e liberalizimi të vizave për Kosovën.