1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: S'po i duket fundi çështjes së kufirit me Malin e Zi

Bekim Shehu
14 Nëntor 2017

Analistët thonë se përplasjet politike në Kosovë rreth ҁështjes së demarkacionit me Malin e Zi mund ta ҁojnë Kosovën sërish në zgjedhje të parakohshme.

https://p.dw.com/p/2ncFT
Karte Webvideo ENG

Komisioni i ri për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror, i emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngulë se Kosova ka humbur territor me marrëveshjen e qeverisë së kaluar për demarkacionin me Malin e Zi. Anëtarët e këtij komisioni për herë të parë raportuan para një komisioni parlamentar duke argumentuar sipas tyre që "komisioni i kaluar në qeverisjen e ish-kryeministrit Isa Mustafa, ka bërë punë - siç thonë - joprofesionale". Njëri nga anëtarët e Komisionit të qeverisë Haradinaj, Zejnullah Gruda thotë se nga gjetjet e tij "vërtetohet se Kosova me Malin e Zi nuk ka marrëveshje për demarkacion, por ka marrëveshje për kufi".

"Neni 4 paragrafi i parë i kësaj marrëveshjeje thotë, se kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet me shenja kufitare. Paragrafi i dytë thotë se kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet në periudhën prej dy viteve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje. Pra do të thotë, për demarkacionin ne ende nuk i kemi kushtet formale për të biseduar, pra është bërë marrëveshje për kufi", thotë profesori Zenullah Gruda.

Për të mbështetur argumentin e kolegut të tij, kryesuesi i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, Shpejtim Bulliqi, thotë se ish-komisioni nuk ka qenë transparent gjatë procesit.

"Ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat e veta, për faktin se ka mungesë të një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe ka qenë i themeluar vetëm me një detyrë, demarkimin e atij kufiri, shënjimin dhe mirëmbajtjen, por në asnjë formë dhënien e një vije të re kufitare në praktikë, gjë që për fat të keq rezultati final na ka rezultuar vija e re kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi", thotë Shpejtim Bulliqi.

Udhëheqësi i komisionit Bulliqi nuk është në gjende të thotë, se kur ky komision do ta ketë gati raportin final me konstatimet e tij, por shprehet se komisioni është duke bërë punën me përpikëri të madhe dhe se janë afër përmbylljes së raportit final ku do të prezantohen versionet reale të kufirit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në vitin 2015 në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Kosovës e nënshkroi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ripërsëriti edhe njëherë se "ajo marrëveshje është e qartë, e saktë, profesionalisht e argumentuar dhe e mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo pretendim tjetër është vetëm zhargitje, humbje kohe, e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe për të ardhmen euroatlantike", ritheksoi Presidenti Hashim Thaçi.

Analistët politik nga ana e tyre mendojnë se komisioni i ri i emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj, nuk mund të ofrojë asgjë të re më shumë sesa kanë deklaruar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Isa Mustafa.

"Ofrimi i dy versioneve nga komisioni i ri për demarkacion është një lloj pazari politik, janë dy opsione për ta shtyrë Malin e Zi që të deklarohet për njërin variant, por kjo nuk do të ndodhë. Po ashtu, as arbitrazhi nuk do të ndodhë asnjëherë kur dihet qartë se për arbitrazh duhet të jenë dy palë që e kontestojnë atë. Kufijtë duken të jenë ata që janë të vitit 1974 dhe këtu s'ka vend për të bërë politikë me kufij apo betejë politike në Kosovë që mund të jetë sërish shkak që shteti të shkojë në zgjedhje të reja", i tha DW Blerim Burjani.

Analisti Burjani thotë se Kosova me Malin e Zi duhet të ruaj dhe kultivojë raportet miqësore. "Kosova është në ngërç politik të vazhdueshëm andaj një zgjidhje duhet të ndodhë. Konsideroj se nga këto dy opsione të paraqitura nga ky komision i ri, ai është i paqartë në vete, por megjithatë zgjidhja më e mirë do të ishte të shkojë në kuvend e tërë çështja e demarkacionit edhe pse mendoj, se votat nuk janë që të kalojë raporti i komisionit aktual për kufirin. Pra më mirë i bie që të pranohet puna e ish-komisionit të kaluar të demarkacionit, i cili duket të jetë së paku më i qartë", thotë Blerim Burjani.

Në legjislaturën e kaluar ku pjesë e opozitës ishte kryeministri i aktual, Ramush Haradinaj, opozita pretendonte se me marrëveshjen e vitit 2015 të demarkacionit me Malin e Zi, Kosova humbet territor. Kështu nuk mendonin partitë në pushtet, por edhe parlamenti i Malit të Zi, e cili tashmë e ka ratifikuar marrëveshjen e vitit 2015. Ky shtet fqinjë thotë, se çështjen e demarkacionit të kufirit me Kosovën nuk do ta negociojë më. Për ta kjo është çështje e përfunduar.

Demarkacioni me Malin e Zi i është vënë Kosovës kusht për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Zyrtarë të këtij komisioni disa herë po e përsërisin se "pa ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Kosova nuk do të mund të marrë liberalizimin e vizave".