1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriminelë lufte nga Bosnja para gjyqit në SHBA

Gero Schließ14 Qershor 2015

Në mesin e viteteve 90-të në Amerikë erdhi një valë refugjatësh nga Bosnja. Tani në SHBA po dalin para gjyqit njerëz të dyshuar për krime lufte në Bosnje. Si e sheh komuniteti boshnjak trokitjen e drejtësisë së vonuar?

https://p.dw.com/p/1Fgby
Esad Boskailo
Esad Boskailo ndihmon viktimat e luftës së BosnjesFotografi: DW/G. Schließ

"Koha e vënies së drejtësisë", thotë Esad Boskailo i përmbajtur e pa e hequr shikimin nga personi përballë. Boshnjakët në SHBA kanë pritur 21 vjet për drejtësinë. Tani ka ardhur "koha për të bërë korrigjimet", thotë drejtuesi i repartit të psikiatrisë në klinikën Maricopa në Phoenix, Arizona duke pasur parasysh raportimet e shtuara në media mbi dënime dhe dëbime të kriminelëve të luftës nga ish-Jugosllavia.

Ritraumatizim

Esad Boskailo është boshnjak. Tek disa pacientë të tij këto lajme kanë shkaktuar "ritraumatizim", thotë ai. Imazhet e së shkuarës rikthehen dhe nuk i lenë të qetë pacientët. Shumë prej tyre janë përpjekur ta harrojnë këtë kohë. Ndër 150.000 refugjatë lufte nga Bosnja që nga mesi i viteve 90-të u strehuan në SHBA jetojnë edhe kriminelë lufte, përgjegjës për krimet e tmerrshme në luftën e Bosnjes, shifra e paditur. Srebrenica është simboli i këtyre mizorive. Para syve të botës në korrik të vitit 1995 u ekzekutuan 8000 serbë boshnjakë, por edhe kroatë boshnjakë si edhe myslimanë boshnjakë kanë kryer atë kohë krime lufte.

Seda Turulja
Seda TuruljaFotografi: DW/G. Schließ

Hetime dhe dëbime

Sipas gazetës New York Times dhe Washington Post autoriteti amerikan i emigracionit ka nisur mbi 300 procedime penale kundër kriminelëve të dyshuar të luftës. Michael McQueen, i cili i merret me këtë çështje në tek autoriteti i emigracionit e konfirmon këtë shifër në bisedë me Deutsche Wellen. 70 të dyshuar janë dëbuar ndërkohë në Bosnje apo janë arratisur. Njëri prej tyre, Marko Bosic, i cili sipas të dhënave të McQueen ka luftuar në një njësi, që kanë qenë aktive në ekzekutimet masive në Srebrenicë. Boskic është dëbuar në Bosnje, por për shkak të bashkëpunimit me autoritetet është dënuar vetëm me 10 vjet burg. Të dhënat e ofruara prej tij kanë bërë të kapen autorë të tjerë krimesh. Në Phoenix, ku jeton edhe komuniteti më i madh boshnjak në SHBA këto lajme e kanë prishur qetësinë e komunitetit, por kanë sjellë edhe besimin, sipas Esad Boskailo "komuniteti boshnjak e ndjen se drejtësia po vjen".

Tortura në gjashtë kampe të burgosurish

Vetë Esad Boskailo vjen nga Pocitelji, 220 km larg Srebrenicës, edhe ai është viktimë e luftës. 56 vjeçari me dy fëmijë ka kaluar një vit në gjashtë burgje të ndryshme të të burgosurve. Boskailo është torturuar dhe keqtrajtuar. Kur u lirua nga burgu nuk ishte në gjendje as të ecte. Falë ndihmës së OKB-së dhe qeverisë amerikane, ai e pa familjen sërish në Amerikë. Përvojën e tij, Boskailo e ka rrëfyer në librin "I plagosur, jam më i gjallë". Fakti që tani zhvillohen hetime kundër kriminelëve të dyshuar atij nuk i bën shumë përshtypje. Por megjithatë ai e di se pacientë të tjerë si, një paciente 45 vjeçare nga Srebrenica janë "shumë më të prekur". Kjo paciente ka humbur në këtë masakër bashkëshortin, dy djem, dy vëllezër dhe gjithsej 20 anëtarë të familjes.

Vitomir Spiric
Vitomir Spiric ka dalë para drejtësisë amerikane për deklaratë të rremeFotografi: DW/G. Schließ

"Nuk luan ndonjë rol nëse je mysliman, kroat, apo serb "

Si shumë boshnjakë të tjerë edhe Esad Boskailo shkon në restoratin "Old Town Sarajevo" në Phoenix, ku pronarja Seda Turulja gatuan specialitete boshnjake. Qëndrimi i saj për arrestimet e procedimet gjyqësore është se gjithkush duhet të përgjigjet për krimet e bëra: "Nuk ka rëndësi nëse je, mysliman, kroat apo serb, edhe sikur të ishte vëllai im, dhe t'i kishte bërë këto krime", thotë ajo me vendosmëri, e që megjithë të kaluarën pret në restorantin e saj të gjitha etnitë nga ish-Jugosllavia. Si shumë refugjatë boshnjakë edhe ajo ka besim të madh tek drejtësia e Shteteve të Bashkuara.

Një klient tjetër i restorantit "Old Town Sarajavo" thotë se nuk ka bërë krime lufte e megjithatë kundër tij zhvillohen hetime nga viti 2005. Vitomir Spiric doli pra gjyqit, fillimisht për krime lufte, pastaj për deklaratë të rreme tek autoritetet. Spiric i hedh poshtë të dyja akuzat: "Nuk kam bërë krime". Kundër tij hetohet vetëm sepse është serb boshnjak, thotë ai, e shton se gjatë luftës ai ka dezertuar disa herë nga njësitë serbe dhe nuk ka luftuar.

Vitomir Spiric
Vitomir Spiric ka shumë miq boshnjakë e kroatëFotografi: DW/G. Schließ

Gjetja e provave - e vështirë

Më shumë se 20 vite pas luftës në Bosnje është e vështirë, gati e pamundur të gjesh prova për krimet, thotë Michael McQueen në bisedë me Deutsche Wellen. Në shumë raste bëhen hetime vetëm për deklarata të rreme tek autoriteti amerikan i emigracionit. Kjo prek më shumë serbët boshnjakë, të cilët në momentin e hyrjes në SHBA nuk kanë bërë deklarata për shërbimin ushtarak. Avokati i Spirics, Thomas Hoidal flet për "prova të paqëndrueshme" dhe e gjen të pavend që hetimet penale pas akuzës së dështuar për krime lufte, të fokusohen vetëm tek "deklarata e rreme" në procedurën e zyrës së emigracionit.

Rasti i Vitomir Spriric nuk është i vetëm. Edhe avokati Chris Brelje ka mbrojtur 25 raste dhe e akuzon autoritetin amerikan të emigracionit dhe autoritetet hetimore se po lyejnë me "penel të trashë" edhe të pafajshmit. "Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme", thote Brelje. "Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të përndjekim ata njerëz, për të cilët mungojnë provat për këto krime." Seanca dëgjimore e Vitomir Spiric është planifikuar në mars 2019. Deri atëherë ai duhet të jetojë me frikën e dëbimit. "Kjo nuk është jetë", thotë ai. Në Amerikë ai ka krijuar një jetë të re, jeton pa borxhe kredie në shtëpinë e tij, miq janë si kroatët ashtu edhe myslimanët boshnjakë. "Të gjithë janë të mirëpritur tek unë" thotë ai e kërcen nga divani. Zilja ra, njëri nga miqtë e tij hyn në shtëpi.