1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e refugjatëve - thirrje për ndihmë nga jugu i Evropës

Andreas Noll
3 Gusht 2020

Në Italinë e Jugut kryetarët e bashkive janë të alarmuar se qendrat e pritjes së refugjatëve janë të mbipopulluara dhe se në mesin e popullsisës po rritet pakënaqësia.

https://p.dw.com/p/3gIFm
Italien Bootsflüchtlinge erreichen nachts die italiensiche Insel Lampedusa
Fotografi: Reuters/M. Buccarello

Shumë kryetarë bashkish janë tepër të zemëruar me qeverinë italiane. Ata raportojnë nxehtësi dhe ngushtësi të padurueshme në kampet e refugjatëve që janë shumë të vogla dhe të mbipopulluara - dhe bëjnë thirrje që në komunat e tyre të mos pranohen më refugjatë.

Më shumë se 13,000 migrantë kanë arritur  këtë vit në Itali përmes Mesdheut - rreth 9,000 më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas agjencisë së refugjatëve të OKB sidomos në korrik ka pasur shumë vetë që kanë marrë udhën e rrezikshëm përmes detit relativisht të qetë.

Grindje për përgjegjësitë

Felix Weiss nga organizata e refugjatëve në Sea-Watch sapo është kthyer në Gjermani nga një mision zbulimi ajror që zgjati disa javë në Lampedusa. Ai raporton se gjendja në ishull rrezikon të ndryshojë: "Situata në Lampedusa është jashtëzakonisht e tensionuar. Muajt e fundit në ishull kanë zbarkuar rreth 5.500 vetë. Kjo dë të thorë dy ose tre varka në ditë. Dhe Lampedusa është një ishull, që jeton pothuajse ekskluzivisht nga turizmi ". Sipas tij nëse anijet prej druri me migrantë zbarkojnë në plazhet turistike siç ndodhi kohët e fundit, kjo do ta vështirësojë situatën.

Italien Fiebermessen bei neu eingetroffenen Flüchtlingen auf Lampedusa
Fotografi: Reuters/M. Buccarello

Qeveria italiane planifikon të dërgojë një anije karantine në portin e komunës siciliane të Porto Empedocle. Sipas planeve të Ministrisë së Brendshme azilkërkuesit dhe imigrantët e paligjshëm mund ta kalojnë kohën e karantinës në këtë anije. Por kryetarja e bashkisë e qytetit të vogël port e refuzoi këtë ide. Ajo ka krikë nga rreziqet për turizmin, i cili është gjithashtu i rëndësishëm për këtë qytet.

Kohët e fundit ka pasur shumë probleme me parandalimin e koronës dhe me akomodimin e refugjatëve. Qindra migrantë janë larguar fshehurazi nga kampet e pritjes, duke shkelur kërkesat e karantinës.

Kommission stimmt für Prozess gegen Salvini
Kreu i partisë populiste të djathtë Lega Matteo SalviniFotografi: picture-alliance/dpa/F. Cimaglia

Ndërkohë kreu i partisë populiste të djathtë Lega, Matteo Salvini, po përpiqet të nxjerrë kapitali politik prej situatës. Një javë më parë ish-ministri i Brendshëm fajësoi gjatë një vizite në Lampedusa rritjen e numrit të migrantëve për situatën e dobët të turizmit dhe të peshkatarëve në ishull. Salvini, i cili u mirëprit nga mbështetës të shumtë në Lampedusa, bën thirrje në Twitter për ndalimin e "invazionit" dhe e vë në dyshim nevojën për ndihmë të migrantëve. Aktualisht në Lampedusa po vijnë shumë migrantë nga Tunizia, e cila është goditur shumë ekonomikisht nga pandemia e koronës.

Më shumë refugjatë edhe në Spanjë

Edhe në Spanjë autoritetet po konstatojnë një rritje të refugjatëve që vijnë përmes Mesdheut. Me rreth 2.000 vetë në brigjet spanjolle arritën në korrik shumë më tepër migrantë sesa në muajt e mëparshëm. Fundjavën e kaluar zbarkuan me anije në Murcia dhe Almería 700 vetë. Shumica e migrantëve po vijnë nga Algjeria dhe jo nga Maroku siç ndodh zakonisht.

Spanien Flüchtlinge aus Algerien erreichen Spanien
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Carnero

Kurse në Greqi situata është relativisht e qetë. Agjencia e Refugjatëve regjistroi në korrik vetëm 244 migrantë të rinj. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë ishin regjistruar kishte 5.008 vetë. Problem shumë më të madh përbëjnë në Greqi kampet akoma të mbipopulluara nëpër ishuj.

Italia dëshiron të reformojë politikën ndaj refugjatëve

Ndërsa shtetet e BE-së vazhdojnë të diskutojnë lidhur me sfidat e reja, qeveria italiane dëshiron të japë një shembull dhe të lehtësojë punën e OJQ-ve për shpëtimin e refugjatëve. Siç njoftuan mediat italiane të premten, përfaqësuesit e Demokratëve të Majtë (PD) dhe lëvizja Pesë Yje ranë dakord për të ndryshuar rregullat e vendosura nga ish-ministri i Brendshëm Salvini.

Sipas kompromisit do të shfuqizohen ndër të tjera gjobat në miliona për anijet nga organizatave humanitare. Qeveria gjithashtu planifikon të rivendosë një mbrojtje të zgjeruar humanitare për migrantët dhe refugjatët dhe të zgjerojë procesin e pranimit.