1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza financiare globale

A V25 Tetor 2008

Vlerësime të ndryshme për krizën në shtypin gjerman të së shtunës

https://p.dw.com/p/FgNW
Wall Street Nju JorkFotografi: AP

"Frankfurter Allgemeine Zeitung"

Kriza e tregjeve financiare ka hyrë me një fuqi të paparë në një fazë tjetër. Tani në agjenda nuk ndodhet më stabilizimi i bankave me ndërhyrjet masive të shtetit, por një valë shitjesh e shkaktuar nga frikërat e recesionit dhe nga reduktimi i piramidave të kredive në sistemin financiar, që kërkojnë siguri dhe hedhin në treg letra të rrezikshme me vlerë. Rezultati është rënie të mëdha të kursit në bursat e aksioneve dhe lëvizje të mëdha kursesh në tregjet e devizave, të cilat nuk përputhen me të dhënat fundamentale ekonomike. Në tregjet e financave sundon paniku. Investuesit privatë mund t´i këshillosh një gjë në këtë situatë. Të ruajnë qetësinë, të investojnë në siguri paratë e mbetura dhe të presin derisa të kalojë stuhia.

"Neue Osnabrücker Zeitung"

Rënia e kursit është relative. DAX- i është sa dyfishi i vitit 2003. Djegja e parasë virtuale nuk do të thotë se askush nuk blen më mallra apo nuk paguan për shërbime. Në vështrim të dytë shifrat e sipërmarrjeve janë më të mira se sa morali. Daimler jep alarmin por ai do të thotë se koncerni fiton gjashtë në vend të shtatë miliardë eurove. Pra biznesi vazhdon, por më keq se ç´pritej. Kështu është edhe me krizën. Natyrisht ka pasiguri. Dhe shumë gjëra ecin më keq, edhe për shkak të frikërave të mëdha. Por bumi tjetër do të vijë pa dyshim, dhe do t´i ketë këmbët më të forta se ai i fundit. Pa bankierë prepotentë me një kontroll me të mirë financiar dhe bashkëpunim më të fortë global. Këto nuk janë perspektiva të këqia.

"Thüringer Allgemeine"

Nuk duhet ta ndjellësh djallin në mur, por njoftimet nga industria flasin qartë, se ka rënie. Njerëzit janë të pasigurtë, shpenzojnë më pak, në varësi nga shkalla e pasigurisë ky mund të jetë edhe recesion afatgjatë. Frika e njerëzve shtohet dhe shfrytëzohet nga teatri absurd në tregjet e aksioneve. Sepse profesionistët fitojnë edhe kur bien kurset. Kjo lojë do të vazhdojë deri sa frika të zhduket.