1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza në Itali

Ralf Bosen/Bahri Cani1 Mars 2013

Italia kaherë nuk është në qendër të vëmendjes për zhvillime pozitive. Zgjedhjet e fundit e kanë komplikuar edhe më shumë gjendjen. Kjo mund t'i influencojë për keq edhe zhvillimet në Evropë.

https://p.dw.com/p/17o90
©Kyodo/MAXPPP - 31/07/2012 ; ROME, Italy - Photo shows ancient amphitheater the Colosseum in Rome, Italy, on July 30, 2012. (Kyodo) Schlagworte Geschichte, Architektur, ---, Sehenswürdigkeit
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kur ndalon para koloseut në Romë sheh pamje mjeruese: fasada përplot me vrima, mure të njollosura nga ndotja e ambijentit dhe pamje aspak të mira në brendësi. Megjithatë, pas piramidave koloseu është një prej monumenteve më impresionuese. Arkat e Romës janë gati të zbrazëta, ndaj një shtëpi mode ka vendosur të financojë meremetimin e koloseut, me rreth 25 milionë euro.
Koloseu në Romë pasqyron këto ditë më së miri gjendjen aktuale në Itali, e cila prej fillimit të krizës dhe në veçanti pas zgjedhjeve të fundit është shndërruar në një problem shumë serioz për Evropën. Por Bashkimi Evropian ende nuk mendon se duhet të jetë sponzorues i Italisë, sepse kështu do të pranohej se ekonomia e tretë më e madhe në Evropë ka nevojë për ndihma, gjë që do të influenconte zhvillimet në mbarë BE-në.
Egoizmi më i fuqishëm se solidariteti
Zhvillimet e fundit në Itali dhe skepticizmi evropian në Greqi, Spanjë, dhe Portugali hapin edhe ca çështje serioze. Për shembull: a janë të mundshme reformat në Evropë dhe sa i qëndrueshëm është solidariteti në Evropë? Drejtori i 'Centre for European Policy Studies CEPS', Daniel Gros, pohon se zgjedhjet e fundit në Itali kanë hedhur një hije të rëndë mbi këtë ide. "Zhvillimet po tregojnë se për disa vende më të rëndësishme janë zhvillimet e brendshme se sa ato në rrafshin evropian", mendon ai duke shtuar se planet për forcimin  e BE-së duhet të jenë shumë të kujdeshme.
A thua BE-ja gjendet para sfidave të reja dhe a mund të krijohen atje blloqet e interesave? Daniel Gros sheh rrezikun e rritjes së dallimeve mes vendeve perëndimore dhe jugore në BE. "Dallimet po shtohen, jo vetëm për shkak të krizës ekonomike, por edhe për shkak të mungesës së vullnetit politik në disa vende jugore që të ndërmarrin hapat dhe masat e duhura", pohon ai.
Situatën aspak nuk e përmirësojnë as deklaratat si ato të kandidatit socialdemokrat për kancelar, Peer Steinbrück. Politikanin italian Beppe Grillo dhe ish-kryeminsitrin Silvio Berlusconi ai i ka quajtur kloun dhe në këtë mënyrë ka ofenduar mbi 50 % të zgjedhësve italianë. Në vendet e tjera po dëgjohen tone të përsëritura kohët e fundit për "arrogancën gjermane"
Treguesit ekonomik
Jürgen Matthes nga Instituti Gjerman i Ekonomisë shpreson se gjendja politike në Itali do të zgjidhet sa më parë. "Nëse vjen në pushtet një qeveri, e cila nuk do të vazhdojë rrugën e ish-kryeministrit Mario Monti, atëherë me të vërtetë duhet të shqetësohemi", thotë Matthes në një intervistë për Deutsche Welle-n. Tregjet financiare me siguri që do të reagojnë dhe do të përkqësohen kushtet e Italisë për kredi. Banka Qendrore Evropiane do të duhej të reagonte ndërsa nervozizmi në tregje do të shtohej.
Agjencitë e vlerësimit të riskut janë alarmuar për gjendjen. Moody's po mendon ta ulë aftësinë kredituese të Italisë. Daniel Gros është pesimist për gjendjen. Zgjedhjet e fundit e kanë tronditur edhe Brukselin, por shumica e politikanëve atje po heshtin. Kryetari i Parlamentit Evropian Martin Schulz është ndër të vetmit që ka pasur guxim të dalë hapur me qëndrimet e tij. "Ne në Bruksel po përballemi gjithmonë me situatën se kur arrihet ndonjë sukses, thuhet se është sukses i qeverive nacionale, ndërsa dështimet u takojnë politikanëve në Bruksel. Kjo nuk është e vërtetë, por kjo është përshtypja", pohon ai.
Daniel Gros shpjegon se në Itali është thënë që masat e kursimit po diktohen nga Brukseli, e madje edhe nga Berlini. Në fakt, politika e kursimeve është e domosdoshme. Vëzhguesit thonë se humbja e forcave për reforma dhe fitorja e krahut nacionalist dëshmon se në Itali po i thuhet "basta" (mjaft) kursit të kursimeve.
Më shummë rritje në vend të shkurtimeve
 Martin Schultz thotë se zgjedhjet në Itali janë një lloj apeli për BE-në që të heqë dorë nga politika e shkurtimeve dhe të orientohet më shumë drejt investimeve. Kjo duhet të përcillet me një disiplinë buxhetore dhe me një politikë investimesh, e cila do të siguronte vende pune. Pra nuk janë vetëm punët e meremetimeve në Itali të domosdoshme. Këtë duhet ta bëjë edhe BE-ja.

Martin Schulz
Martin SchulzFotografi: picture-alliance/dpa
Daniel Gros
Daniel GrosFotografi: ceps.be
Peer Steinbrueck
Peer Steinbrück.Fotografi: Reuters