1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

011209 Bürgermeisterin Brandenburg

8 Maj 2010

Dietlind Tiemann, është kryetare e bashkisë së një qyteti me mbi 70.000 banorë - Brandenburgut në Havel. 54-vjeçarja ka gjashtë vjet në këtë post dhe ka bërë një sërë ndryshimet.

https://p.dw.com/p/MB74
Dietlind Tiemann
Dietlind Tiemann

Gjë të pamunduar nuk ka - ky është leitmotivi i Dietlind Tiemann-it. Ajo e ka shndërruar ish-qytetin e dikurshëm industrial të RDGJ-së nga një rrënojë investimesh në një vend tërheqës për të jetuar.

Ora 7:30 e mëngjesit, kuzhina e familjes Tiemann bie erë kafeje dhe simitesh të freskëta. Kryebashkiakja 54-vjeçarje është veshur me një kostum të errët. Dietlinda dhe Klaus-Peter Tiemann shijojnë së bashkë mëngjesin: "Mëngjesin e kemi zakon që e hamë bashkë, sepse askush nuk e di se ç'na sjell dita."

Dita e punës e kryebashkiakes është vërtet e mbushur plot. Takim pas takimi, prandaj ajo është e përpiktë me orarin. Rrugës për në bashki Dietlind Tiemann kalon përditë përpara vendit, ku filloi kariera e saj si kryxebashkiake: tregu i qytetit - sot zemra e Brandenburgut në Havel.

Partneritet i mirë
Partneritet i mirëFotografi: DW

Dikur këtu gjendej një gropë e madhe, e cila mbeti e hapur tetë vjet me radhë sepse projekti për ndërtimin e një ndërtese nuk u realizua kurrë. Gropa mbushej çdo ditë me plehëra dhe e shëmtonte përditë pamjen e qytetit. Njerëzit filluan ta quanin qytetin jo më "Brandenburgu në Havel“ por "Brandenburgu me gropë", kujton Dietlind Tiemann. Asokohe ajo kishte një firmë ndërtimi dhe firma e saj kishte probleme për shkak të imazhit të keq që kishte ky qytet në brigjet e lumit Havel, megjithë historinë e tij 1000 vjeçare.

Pas fundit të RDGJ në vitin 1989 shumë firma gjermanolindore falimentuan, sepse nuk e përballonin dot konkurrencën me perëndimin. Mijëra banorë humbën vendet e punës dhe u zhvendosën në Perëndim. Edhe në Bandenburg në Havel të shihte syri kudo ndërtesa banimi dhe ndërtesa industriale të braktisura.

Dietlind Tiemann u bë në vitin 2001 anëtare e CDU-së. Dy vjet më vonë kandidoi për postin e kryetares së bashkisë. Ende kandidate ajo dha urdhër që grupa në qendër të qytetit të mbushej dhe kjo u bë brenda ditës. Ky qe demonstrim i forcës së saj për të vepruar. Ajo i fitoi zgjedhjet me vizionin:

"Dua ta bëj Brandenburgun në Havel qytetin më të bukur të landit.“


Prej këtij vizioni nuk ka ndryshuar gjë as sot.

Gjithnjë e përqëndruar.
Gjithnjë e përqëndruar.Fotografi: DW

Qëllimin e vet ajo e ndjek kudo megjithë mbledhjet e shumta dhe të gjata. Sado të shumta të jenë takimet, ajo është gjithmonë e përqendruar. Me displinë dhe fuqi për të përballuar punën ajo është mësuar që nga koha kur drejtonte firmën e vet.

"Tipike për mua është se shkoj thuajse në limitet e mia. Kjo duket edhe tek koha që vë në dispozicion për takime. Edhe pse në limite kjo është një gjë e mirë për të parë se sa i fortë je fizikisht."

Ajo s'ka pushime apo kohë të lirë. Drekën e ha në orën 17 h dhe pas drekës vazhdojnë mbledhjet dhe takimet deri në orët e vona të natës. Këtë ritëm ajo e ndjek prej gjashtë vjetësh. Megjithëse ka kaq vjet në detyrë, Dietlind Tiemann nuk e konsideron veten si politikane tipike:

"Politikan është për mua dikush që flet shpejt e shpejt për gjëra që nuk i ka përjetuar vetë dhe që jo gjithmonë ia ka idenë. Politikani është mua dikush që pas një farë kohe i humbet lidhjet me realitetin dhe nuk e di se për çfarë ka nevojë populli. Unë s'dua të bëhen e tillë.“

Autor: Blagorodna Grigorova / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama