1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthim i veprave të grabitura nga nazistët - Tri piktura të mjeshtërve venedikas në duart e pasardhësve

12 Prill 2009

Gouvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger u ktheu së fundi pasardhësve të viktimave të holokaustit një sërë veprash arti të grabitura prej nazistëve gjatë Luftës së II Botërore.

https://p.dw.com/p/HVQF
Nga ceremonia e dorëzimit të veprave trashëgimtarëve në Sacramento, Californi, më 10.04. 2009Fotografi: AP

"Eshtë e drejtë dhe me vend që pasuria e Rose dhe Jacob Oppenheimer-it të kthehet sërish në duart e familjes së tyre. Dhe duhet t'ju them se ky është një privilegj i madh dhe nder për mua t'ia kthej këtë pasuri familjes." - me këto fjalë u shprej guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger në kryeqytetin e saj Sakramento. Dy pasardhës të galeristëve hebrej Jacob dhe Rosa Oppenheimer të vrarë gjatë holokaustit të Luftës së II Botërore morën pjesë në ceremoninë e dorëzimit të pikturave.


Fjala është për tri piktura në vaj të mjeshtërve venedikas të piktuara rreth viteve 1500 dhe 1590: portreti i një gruaje i piktorit Jacopo Tintoretto 1518-1594), portreti i një burri që mendohet se është vepër e Giovanni Carianit (1485-1547)dhe një skenë me "Venusin dhe Kupidin" të nxënësit të Tizianit, Paris Bordone (1500-1571). Ato zbukuronin kështjellën "Hearst Castle" të botuesit amerikan të gazetave William Randolph Hearst. Veprat e artit ishin grabitur pa të drejtë prej prej nazistëve në vitin 1935 për të përfunduar më vonë në një ankand veprash arti. Multimilioneri Hearst kishte blerë për kështjellën e tij legjendare në San Simeon, të ndërtuar në stil evropian, antikuitete dhe vepra të ndryshme arti nga e gjithë Evropa. Në vitin 1970 kjo kështjellë kaloi në administrimin e agjencisë së parqeve të Kalifornisë. Pas rreth dy vjet verifikimesh arriti të provohej se pikturat i takonin çiftit hebre që kishte në fillim të viteve 1930 një galeri në Berlin.

Trashëgimtarët e familjes Oppenheimer shprehën dëshirën që piktura e Bordone-s me skenën e "Venusit dhe Kupidit" të vazhdojë të qëndrojë si një atraksion turisitik në kështjellën "Hearst Castle" gjithësesi e shoqëruar me një sqarim, që bëhet fjalë për një pikturë të grabitur prej nazistëve.

Autor: Dr. Pandeli Pani

Redaktioi: Vilma Filaj-Ballvora