1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku duhet të jetë selia e Parlamentit Europian?

Bernd Riegert / Shota Bukoshi26 Nëntor 2013

Strasburg, Bruksel, Luksemburg, apo diku tjetër? Rezidenca e Parlamentit Europian mbetet çështje e diskutueshme. Eurodeputetët tani duan të vendosin vetë. Deri tani ata janë të detyruar të udhëtojnë.

https://p.dw.com/p/1AOWm
Fotografi: DW/M. Böhnisch

Në Strasburg salla e madhe plenare me 766 ulëse ishte pothujase e zbrazët, kur një grup anëtarësh të parlamentit diskutonin (20.11.2013) se a duhej të vendoste Parlamenti Europian vetë për selinë e sallës plenare në të ardhmen. Por megjithatë në votim morën pjesë shumë deputetë, pasi kjo pyetje ishte pjesë e një pakete të projektligjeve të ndryshme. Një shumicë e madhe deputetësh e miratuan kërkesën, që së shpejti të vendosin vetë, se në cilin qytet do të mbahen takimet. Tani për tani deputetët enden së bashku me bashkëpunëtorët dhe administratën e parlamentit mes Strasburgut dhe Brukselit. Vetëm 48 ditë në vit mblidhet parlamenti në seancë plenare në qytetin lindor të Francës. Rreth 150 milionë euro kushton kjo zhvendosje e vazhdueshme, vlerëson deputeti i të gjelbërve, Gerald Häfner, i cili ishte i ngarkuar me mbikqyrjen e kërkesës rreth çështjes së selisë së parlamentit.

"Ec e jake të panevojshme"

Gerald Häfner vendimin e parlamentit për të kërkuar ndryshimin e marrëveshjeve europiane lidhur me çështjen e selisë së sallës plenare e quajti një moment "historik". "Parlamenti Europian, si çdo parlament tjetër në botë, që e meriton këtë emër, duhet ta ketë dhe ta përdorë drejtën e nënkuptuar për të vendosur kur, ku dhe për çfarë të mblidhet." Deri tani marrëveshja europiane e përcakton Strasburgun si seli të Parlamentit të BE-së. Vetëm Këshilli i Europës, pra përfaqësuesit e shteteve anëtare, mund ta ndryshojnë këtë unanimisht. Por deri më tani Franca gjithnjë është bërë pengesë për diskutimin me seriozitet të kësaj çështjeje. Qeveria franceze madje në vititn 2012 ngriti padi pranë Gjykatës Europiane të Drejtësisë duke bërë që të përcaktohej në instancën më të lartë gjyqësore, se selia e parlamentit nuk mund të ndryshohet kundër vullnetit të Këshillit të Ministrave.

Ka mbi 30 vjet që deputetët ankohen për seancat plenare në Strasburg. Madje edhe ish-presidentja e parlamentit, Simone Veil, vetë franceze, e quante këtë ec e jake humbje parash dhe kohe. Ashley Fox, një konservator britanik, nuk mund ta argumentojë pafundësisht para elektoratit të vet karvanin mujor mes Brukselit dhe Strassburgut. "Me këto endje mes Brukselit e Strasburgut jemi bërë qesharakë në të gjithë BE-në. Por sidoqoftë përkrahja e Britanisë së Madhe për BE-në është e paqëndrushme dhe kjo zhvendosje e vazhdueshme do ta dobësonte edhe më tej përkrahjen", thotë Ashley Fox lidhur me debatin e parlamentit.

EU-Parlament Straßburg
Parlamenti i BE-së në StrasburgFotografi: DW/P.Böll

S'ka rëndësi, se cili qytet përzgjidhet, por vetëm fakti që të ketë një seli

Deputetët bëjnë thirrje në vendimin e tyre për një seli të vetme të parlamentit dhe që ata ta caktojnë vetë këtë. Por ata nuk shprehen konkretisht për një qytet, as për Strasburgun dhe as për Brukselin. Deputetja franceze Constance Le Grip argumenton ngjashëm si dikur ish-presidenti i Francës Nicolas Sarkozy. Ky i fundit në 2007 u shpreh se "natyrisht që Franca është për një rezidencë të parlamentit. Por ajo duhet të jetë në Strasburg". Parlamenti është vetëm një nga shumë institucionet europiane, të cilat janë të shpërndara në shumë shtete anëtare të BE-së, thekson deputetja Le Grip: "Me keqardhje konstatoj që çështja për rezidencat e institucioneve të tjera të BE-së anashkalohet. Por ato janë të ndërlidhura. Nuk mund të diskutohet vetëm për selinë e parlamentit. "Edhe Luxemburgu, ku janë shumë institucione të BE-së, nuk do të ishte i gatshëm të heqë dorë nga ato. Po sikur Frankurti mbi Main do të duhej të hiqte dorë nga Banka Qendrore?" shtron pyetjen deputetja franceze.

Franca kundërshton

Për të mos i cënuar ndjenjat kombëtare tani për tani parlamenti nuk do të përcaktojë asnjë qytet konkretisht, thotë raportuesi parlamentar Ashley Fox. Njëherë për njëherë synohet vetëm që t'i merret Këshillit të Ministrave e drejta për përcaktimin e selisë së parlamentit. Fox le të nënkuptohet, se nuk është entuziast për mbledhjet në Bruksel. Kryeqyteti belg është shumë i ndotur dhe i rrezikshëm për të. "Strasburgu është për mua ndër qytetet më të bukura, që kam vizituar ndonjë herë. Është i pastër, i sigurtë, mikëpritës dhe ka një histori të gjatë. Brukseli përkundrazi përmbush vetëm apsektin e fundit e këtyre karakteristikave", thotë Fox.

Deputeti estonez Indrek Tarand propozon që selia e parlamentit të zhvendoset në Pragë, sepse kjo ka pozicion të favorshëm në mesin e 28 shteteve anëtare, sa i përket teknikës së komunikacionit rrugor. Por edhe më mirë do të ishte Zagrebi, sepse "atje moti është më i mirë se në Brukselin e zymtë", thotë Tarand. Një deputete austriake ndërhyn menjëherë duke propozuar Vjenën. Edhe kryeqyteti austriak do të ofronte një mjedis shumë të bukur në mes të Europës për selinë e parlamentit. Sidoqoftë duhet të pyetet Luxemburgu, në qoftë se në të ardhmen merret ndonjë vendim për qytetin e selisë së parlamentit, sepse një pjesë a madhe e administratës parlamentare, rreth 3000 vende pune, janë tashmë në Luksemburg. Një fakt, që shumë pak njerëz e dinë.