120811 Kulturhauptstadt Turku
15 Gusht 2011Mbi urën e teatrit shihen shumë fenerë prej letre, të përgatitur gjatë katër muajve të dimrit. Nën urë rrjedh lumi Aura, përmes qytetit Turku. Në brigje të lumit shihen anije dhe restorante të shumta, të rinjtë marrin pjesë në shumë projekte.
Organizatorja Anke Michler-Janhunen, thotë se në verë ka shumë projekte, që ofrojnë mundësi të ndryshme. Nuk bëhet fjalë për projekte madhështore kulturore që i sjellin njerëzit këtu për vizitë, por për projekte që njerëzve u sjellin kulturë. "Qëllimi është që njerëzit të rrinë jashtë, të shikojnë këto projekte, nën qiellin e hapur. Ne duam që njerëzit të jenë të kënaqur dhe të buzëqeshin kur i shikojnë këto gjëra."
Një qytet në kërkim të harmonisë
Finlandezët, siç thotë Anke Michler-Janhunen, janë një popull që kërkon harmoni. Në Turku nuk ka qenë gjithmonë kështu kohët e fundit. Kantieret detare ku punojnë shumica e banorëve, kohët e fundit nuk kanë pasur punë sa duhet. Numri i të papunëve është rritur me shpejtësi. Prej vitit 2010 vendet e punës i kanë humbur 16.000 njerëz. Organizatorët e projekteve po përpiqen që edhe atyre t'ua kthejnë buzëqeshjen.
Saara Malila, zëdhënëse e Fondacionit Turku 2011 përmend moton. "Kultura të bën mirë! - Po, jemi të bindur se njerëzve u bën mirë, kur bëjnë gjëra kulturore apo i konsumojnë ato, kur shikojnë ndonjë pjesë teatri apo vizitojnë ndonjë manifestim kulturor. Kjo i bën mirë edhe mjedisit dhe ekonomisë së qytetit. Ky është kuptimi i angazhimit." Për qytetin Turku gjatë këtij viti janë ndarë 52 milionë euro për projekte të ndryshme. Një prej projekteve është ekspozita që për temë ka zjarrin, që simbolizon djegien e qytetit më shumë se 30 herë gjatë shekujve të kaluar. Ka dhe manifestime të tjera si koncerte nën qiell të hapur, regata me anije, apo prezantime në arkipelagun e Turkut.
Mesazhe të ndryshme kulturore
Artisti Lotta Petrinella thekson veçanësinë e shoqërisë finlandeze: "Ideja është që me art të hapim dritare dhe mundësi të ndryshme për të kuptuar shoqërinë. Këtu jetojnë njerëz, të cilët duan ndërtimin e një shoqërie të përbashkët. Por çdo ujdhesë ka shoqërinë e vet, qofshin edhe vetëm dy persona në një vend", thotë Lotta Petrinella. Këtu si ishuj llogariten rreth 20.000 syresh, në qoftë se janë më të mëdha se 10 metra katrorë. Mysafirët në verë vijnë këtu për të kaluar kohën në shtëpi prej druri, pa energji elektrike dhe ujësjellës. Ka të tillë që jetojnë tërë vitin në këto kushte.
Këtë e ka përjetuar edhe artisti që jeton në Nju Jork Alfredo Jarr. Është një shoqëri e pazakonshme, ku një anije për shembull, niset në orën 5:45 vetëm për shkak të një fëmije i cili duhet të shkojë në shkollë, prej një ishulli në Turku, tregon ai. Në vendet e tjera me siguri që do të kërkohej që familja e fëmijës të shpërngulet. Por e tillë është shoqëria këtu. Kush shikon me vëmendje gjatë këtyre ditëve të verës, në këtë qytet gjen mesazhe të ndryshme kulturore që kanë të bëjnë me filmin dhe manifestime të tjera. Në një prej projekteve këta ishuj paraqiten si parajsë për pensionistë, si atdhe i anarkistëve ekologjistë apo vend për investimin e kinezëve.
Interesimi i njerëzve për këto programe është i madh. Por ende nuk dihet nëse ato do të ndryshojnë vetëdijen dhe sjelljen e tyre, apo do t'u hapin atyre mundësi të reja punësimi.
Autor: Silke Bartlick/Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi