Kupa e Konfederatave: Finale Brazil/Argjentinë
27 Qershor 2005Për Kupën e Konfederatave u zhvilluan këtë javë në Gjermani ndeshjet gjysmëfinale. Të shtunën Gjermania u mund 2:3 në një ndeshje të mirë nga Brazili, ndërsa dje në një ndeshje dramatike Argjentia fitoi 6:5 me njëmbëdhjetëmetersha kundër Meksikës. Meksika kishte kaluar në avantazh në kohën shtesë me anë të Salcidos, por me golin e katërt në këtë turne Argjentina kishte barazuar. Pasnesër Brazili ka rastin të marrë hak ndaj Argjentinës për humbjen e para pak javëve 3:1 në eliminatoret e Kampionatit Botëror. Po të mërkurën në Lajpzig luajnë për vendin e tretë Gjermania dhe Meksika. Por le t'i kthehemi takimit Gjermani - Brazil.
Rrallë ndodh që humbja të vlerësohet kaq shumë si në rastin e Gjermanisë kundër Brazilit. Arsyeja është se me lojën e vet Gjermania është rikthyer në rrethin e vendeve pretendente për fitimin e titullit botëror vitin e ardhshëm. E nuk duhet harruar as mbështetja e publikut vendas. Ja se u shpreh pas ndeshjes trajneri gjerman, ish-sulmuesi i kombëtares, Jürgen Klinsmann: 0.30
"Kombet e mëdha të futbollit e shohin që ne po e përmirësojmë formën. Nuk kemi mbërritur ende atje ku dëshirojmë të jemi, por jemi tej mase krenarë për këtë skuadër, për arritjet e saj të javëve të fundit; dhe falënderojmë tifozët për përkrahjen e tyre deri në sekondat e fundit."
Çka i bën gjermanët optimistë është fakti që ekipi u bë cop që të fitonte dhe ishte vërtet pranë fitores. Por dallimi midis dy skuadrave ishte sulmuesi brazilian i Interit Adriano. Ky shënoi golin e parë, atë të fitores si dhe morri njëmbëdhjetëmetërshin që u shndërrua në gol të dytë nga Ronaldinho. Gjermanët ia dolën ta barazojnë dy herë rezultatin me anë të Podolskit me kokë dhe kapitenit Ballack me një njëmbëdhjetëmetërsh të diskutueshëm, por pas pësimit të golit të tretë në minutën e 76 nuk qenë më në gjendje të kundërvepronin.
Kupa e Konfederatave është një provë e përgjithshme për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm po në Gjermani. Ja se si shprehet presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter:
"Më parë kisha përshtypjen dhe tani jam i sigurt se punët gjenden në duar të sigurta dhe se vitin që vjen mund të gëzohemi për një Kampionat Botëror shumë të madh e të bukur."
Kalojmë tek basketbolli: Në SHBA fituesi i titullit kampion të këtij viti është San Antonio. Ky mundi në ndeshjen e shtatë të play-off-it Detroit Pistons me rezultat 81-74. Ndeshja ishte e barazpeshuar deri në përfundim të pjesës së tretë. Në përfundim vendosi loja e shkëlqyer e qendrës Tim Duncan të San Antonios, i cili u zgjodh për të tretën herë edhe Lojtari më i Vlefshëm i serisë finale.
Së fundi nga tenisi: Në turneun e Wimbledonit nuk është kualifikuar asnjë tenist gjerman në tetëshe. Fituesit e vitit të kaluar Maria Sharapova dhe Roger Federer janë ende në garë dhe mund të mbrojnë titujt.