1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Puna nga shtëpia - kursim parash dhe kohë

27 Gusht 2020

Për shkak të pandemisë shumë londinezë po punojnë prej disa muajsh nga shtëpia. Ky model i ri duket se sjell mjaft përfitime si për punonjësit dhe punëdhësit. Të vetmet që ankohen janë agjencitë e pasurive të patundshme.

https://p.dw.com/p/3hYW1
Aussichtsplattformen dieser Welt Tower Bridge London England
Fotografi: picture-alliance/Design Pics/C. Bowman

Gjithnjë e më shumë londinezë po punojnë nga shtëpia që nga fillimi i pandemisë së Coronës. Edhe 50 punonjësit e firmës James Brincat, që organizon trajnime për punonjës banke, filluan të punojnë në prill nga shtëpia. "Sa më shumë kohë kalonte që nuk shkonim në zyrë aq më mirë na dukej. Të gjithë ishin shumë më produktivë nga shtëpia, dhe biznesi ynë po rritej madje. Prandaj vendosëm të heqim dorë nga zyrat." - tregon Xhejmsi.

15 përqind më shumë fitim

Zyrat e firmës James Brincat gjendeshin në një ndërtesë madhështore në Londër dhe zyra të tilla me qira rreth 15,000 euro në muaj janë simbol i rëndësishëm për të treguar statusin. Por që nga pandemia e koronës Jamesit papritmas kjo nuk i duket më kaq e rëndësishme.

Aussichtsplattformen dieser Welt Tulip Tower London  (picture-alliance/Dbox for Foster + Partners)
Shumë firma në Londër i kanë zyrat e tyre në ndërtesa pompoze.Fotografi: picture-alliance/Dbox for Foster + Partners

Madje meqë nuk paguan më qira për zyrat, ai kursen mjaft para dhe në fund të muajit del me rreth 15 përqind më shumë fitim. Firma nuk ka tani asnjë zyrë dhe në rast se punonjësit e tij nuk do të ndryshojnë mendje, ai do ta vazhdojë përgjithmonë këtë model të i ri pune. 

Kursim parash dhe kohe

Aine O´Carroll si shumica e punonjësve të Xhejmsit jeton jashtë Londrës dhe punon nga shtëpia. Megjithatë ajo komunikon me shefin dhe kolegët e saj çdo ditë, por jo më personalisht, por përmes video-konferencave. Edhe Aine kursen tani rreth 550 euro çdo muaj se nuk blen më bileta treni për të shkuar në qendër të qytetit. 

Symbolbild Homeoffice
Puna nga shtëpia ofron për shumë një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetësFotografi: Imago Images/photothek/U. Grabowsky

"Eshtë shkëlqyeshëm që nuk më duhet të shkoj përditë në punë dhe mendoj se më e mira është të punosh kryesisht nga shtëpia dhe të shkosh në zyrë një apo dy herë në javë, nëse e ke të nevojshme qoftë për punën, qoftë për t'u takuar personalisht herë pas here me kolegët."

Ndryshim shpresëdhënës

Që prej periudhës së karantinës në Londër po vihen re ndryshime më radikale se kurrë. Rreth 9 përqind e firmave londineze kanë hequr tani plotësisht dorë nga zyrat e tyre. E disa po flasin madje për një revolucion.

"Ky ndryshim është shpresëdhënës. Sa e sa herë kemi folur për një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës, por shumë prej nesh duhet të bënin çdo ditë një orë rrugë për në Londër, të punonin nga nëntë deri në pesë e pastaj prapë një orë rrugë për t'u kthyer në mbrëmje në shtëpi. Ky nuk është ekuilibër mes punës dhe jetës. Por tani kjo po ndryshon." - thotë  Richard Burge nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Londër.

Nevojë për koncepte të reja

Por ky ndryshim nuk u pëlqen atyre që jetojnë prej pasurive të paluajtshme, si Lee Elliott. Zyrat e agjentit të pasurive të paluajtshme gjenden në ndërtesën më të lartë të Londrës Shard.

Symbolbild Arbeit am Computer
Fotografi: picture-alliance/Bildagentur-online/Blend Images

"Unë nuk mendoj se tani po shkojmë drejt një krize të tregut të ambienteve për zyra. Fjala është më tepër për korrigjime në treg. Vërtet tani nuk kërkohen më zyra të mbushura me tryeza pune dhe njerëz që shkruajnë emaile. Por ama kërkesa për një vend ku njerëzit mund të takohen, të shkëmbejnë ide dhe të punojnë së bashku për diçka vazhdon të ketë." - thotë agjenti i pasurive të paluajtshme. Sipas tij tani ka nevojë për një koncept të ri: "Për zyra që stimulojnë punonjësit, që u nxisin krijimtarinë dhe ku ata ndjihen mirë. Pra zyra me cilësi të lartë."

Por megjithë idetë e zyrave të pasurive të paluajtshme shumë firma kanë marrë një drejtim tjetër në Londër. Vlera e zyrave po vihet në dyshim. Dhe në tregun e zyrave dhe të mjediseve të punës në Londër pritet të ndodhin edhe më shumë ndryshime.