1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurz: Austria do ta pranojë ç'do marrëveshje Kosovë - Serbi

Bekim Shehu
6 Nëntor 2018

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, gjatë vizitës në Kosovë, tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje, nëse duan të jenë pjesë e familjes evropiane.

https://p.dw.com/p/37krr
Kosovo Österreich Kanzler Sebastian Kurz  Pressekonferenz mit Präsident des Kosovo Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AA/E. Keci

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz tha, se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut, për qeverinë e tij është e pranueshme. Në Prishtinë Kurz takoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj në takime të veçuara dhe që të dyve ua bëri të qartë se "pa një marrëveshje me Serbinë, Kosova nuk ka perspektivë evropiane”.

"Qeveria federale e Austrisë pajtohet me cilëndo marrëveshje, e cila arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra ne jemi të bindur që nëse ia dalin që të arrihet një marrëveshje, askush nuk do të jetë kundër saj dhe për këtë arsye nga ana jonë një marrëveshje e tillë do ta ketë mbështetjen e plotë. Mendoj që edhe në kuadër të BE-së, cilado qoftë marrëveshja, korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve, atëherë kjo mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian”, tha Sebastian Kurz.

"Unë dua të jem shumë i qartë që një përafrim me Bashkimin Evropian një perspektivë evropiane e jep mundësinë për stabilitet, perspektivë paqe në mënyrë afatgjatë dhe të qëndrueshme dhe kjo varet shumë se a ia dalim që të arrijmë një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, një marrëveshje paqeje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është baza për çdo përafrim të mëtutjeshëm me Bashkimin Evropian”, përsëriti kancelari i Austrisë, duke shprehur mbështetjen e tij për përpjekjet e presidentit Thaçi dhe presidentit serb Alaksander Vuçiq, për arritjen e një marrëveshjeje të qendrueshme.

"Unë e falënderoj presidentin Thaçi dhe presidentin Vuçiq për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje dhe i lus të gjithë qytetarët e Kosovës që t'i mbështesin këto përpjekje, sepse ky është hapi i nevojshëm drejt perspektivës evropiane. Pra, pa një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të jetë e mundshme që të ketë bashkëjetesë paqësore, e stabilitet në rajon dhe as perspektivë evropiane. Prandaj i besoj shumë përpjekjeve dhe angazhimit që po bëhet këtu dhe shpresoj që të na çojë në një përfundim pozitiv”, tha Sabastian Kurz.

Shefi i qeverisë federale austriake, në Prishtinë foli edhe për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për themelimin e ushtrisë. Ai tha se çdo veprim duhet të jetë i matur mirë dhe që nuk shkakton destabilizim në rajon.

"Sa i përket themelimit të ushtrisë së Kosovës, jemi shumë skeptik dhe presim që këtu të ketë një dialog të rregullt me të gjithë partnerët ndërkombëtar, sepse këtu ka nevojë për shumë kujdes dhe ne presim që në rajon të ndërmerren masa që mundësojnë më shumë stabilitet dhe jo masa që krijojnë destabilizim të rajonit”, tha Sebastian Kurz.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë konferencës së përbashkët për medie me kancelarin e Austrisë, nuk e përmendi korrigjimin e kufijve me Serbinë, mirëpo, tha se një marrëveshje paqeje me Serbinë, duhet arritur.

"Kosova ka ndërtuar raporte fqinjësore të mira me të gjitha shtetet fqinje. Po mundohemi maksimalisht që të ndërtojmë raporte korrekte edhe me Serbinë. Fatkeqësisht, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përkundër këtij fakti, Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar për dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti Thaçi.

Kancelari i Austrisë qëndroi në Kosovë pas një vizite që realizoi në Serbi. Edhe në Prishtinë edhe në Beograd ai tha, se gjatë presidencës së BE-së nga Austria në qendër të punës ka pasur Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të gjitha shtetet e Ballkanit të kenë një perspektivë të qartë evropiane. "E për ta arritur një paqe dhe stabilitet me një qëndrueshmëri afatgjatë dhe që perspektiva evropiane të bëhet realitet, një gjë është shumë e rëndësishme, një dialog i suksesshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe një përmbyllje e suksesshme e këtij dialogu”, tha kancelari i Austrisë Sebastian Kurz.