Lamtumirë Nelson Mandela
10 Dhjetor 2013Dhjetëra-mijëra vetë i dhanë sot lamtumirën e heroit kombëtar të Afrikës së Jugut Nelson Mandela në stadiumin e futbollit në Johanesburg. Të pranishëm ishin dhe më shumë se 90 kryetarë aktualë dhe ish-kryetarë shtetesh e qeverish.
"Rroftë fryma e Nelson Mandelas," tha Cyril Ramaphosa në fjalën hapjes në ceremoninë e zhvilluar në stadiumin e futbollit Johanesburg për nder të ish-presidentit të Afrikës së Jugut Nelson Mandela që vdiq të enjten në moshën 95 vjeç, pas një sëmundjeje të gjatë. "Ai ishte mësuesi ynë, mentori ynë," tha Ramaphosa, politikan i ANC. "Ai ndërtoi kombin tonë."
Vlera historike për lirinë e demokracinë
Presidenti amerikan Barak Obama i krahasoi arritjet politike të nobelistit për Paqe me punën e jetën e themeluesit të shtetit indian Mahatma Ghandhi, presidentin e madh të SHBA-së Abraham Lincoln dhe aktivistin për të drejtat e njeriut Martin Luther King. Shërbimet e Mandelës për lirinë e demokracinë bëjnë pjesë këtë seri vlerash historike, tha Obama në fjalimin e tij drejtuar njerëzve që merrnin pjesë në ceremoninë e përmortshme.
Falje dhe bashkim
Të ftuar të tjerë nderi në këtë ceremoni ishin Presidenti gjerman Joachim Gauck, presidenti francez François Hollande dhe Princi Charles, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun dhe kryeministri i Kubës njëkohësisht dhe kreu i partisë Raúl Castro. Ban tha në fjalën e tij për Mandelën se ai kishte aftësi për të pajtuar: "Ai ka treguar fuqinë e madhe të faljes - duke i bashkuar njerëzit," tha Ban. Duke iu referuar të pranishmëve ai tha: "Shikoni rreth e qark në këtë stadium, ne shohim të përfaqësuar zyrtarë që kanë mendime e qëndrime mjaft të kundërta, njerëz nga të gjitha shtresat. Të gjithë janë të bashkuar këtu".
Në mesin e pjesëmarrësve në ceremoninë e përmortshme për Mandelen qenë të pranishëm edhe udhëheqës të shumë vendeve që kanë marrëdhënie të vështira me njëra-tjetrën, si Shtetet e Bashkuara dhe Kuba, apo Britania e Madhe dhe Zimbabve.
Lutje ndërfetare
Ceremonia filloi me një lutje ndërfetare në të morën pjesë klerikë të krishterë, muslimanë dhe hinduistë. Në lutjet e tyre, ata theksuan luftën Mandelës për liri dhe dëshirën e tij për pajtim.
Shumë prej të pranishmëve ishin veshur me ngjyrat kombëtare. Disa ishin mbuluar me flamurin e Afrikës së Jugut. Ata kërcenin dhe të këndonin këngë të lëvizjes kundër Aparteidit.