Leuis Libit nuk i duhet të bëjë burg
4 Korrik 2007Leuis Libit(Lewis Libby), ish-këshilltar në Shtëpinë e Bardhë tani nuk i duhet të bëjë burg. Presidenti Xhorxh W.Bush shfrytëzoi kompetencat e tij si president dhe ia fali Libit dënimin prej dy vjetësh e gjysëm për shkak të betimit të gënjeshtër dhe të pengimit të drejtësisë. Bushi e argumentoi vendimin e tij të hënën, se ai e konsideron masën e dënimit për ish-shefin e shtabit të zv.presidentit Dik Çeni si të tepruar.
Me sa duket Xhorxh Bushi ndërroi mendje. Kur rreth tri vjet më parë u bë i njohur skandali i nxitur nga "dikush" prej Shtëpisë së Bardhë, për zbulimin e agjentes së CIA-s Valeri Plejm (Valerie Plame), gjë me të cilën synohej të dëmtohej burri i saj, një diplomat kritik ndaj Bushit, presidenti premtoi sqarim të pamëshirshëm dhe dënim të fajtorit ose fajtorëve:
"Nëse dikush ka thyer ligjin", tha Bushi atëherë, "atëherë ai nuk do të punojë më në ekipin tim".
Në këtë aspekt ai e mbajti fjalën. Leuis Libi, atëherë shef i shtabit të zëvendëspresidentit Dik Çeni dhe njëri nga nxitësit e asaj që tani njihet si afera "spygate", ka kohë që nuk punon më në Shtëpinë e Bardhë. Por atij nuk do t'i duhet të futet as në burg.
Libin e dënuan midis të tjerave për betim të rremë dhe pengim të drejtësisë me 30 muaj arrest, por të cilat tani atij iu falën nga Bushi. Shumë më herët se sa pritej nga persona të brendshëm. Presidenti e pa vendimin, thuhet në një njoftim zyrtar, ai e konsideron të tepruar masën e dënimit.
Shpallja fajtor në vetvete nuk anullohet dhe as gjoba, e cila sidoqoftë kap shumën 190 mijë Euro, dhe të cilën Libit do t'i duhet ta paguajë. "Një mëshirim i klasit të dytë", quhet e gjitha edhe në shtyp, por sido që të jetë, një mëshirim. Kemi të bëjmë me një akt tepër të diskutueshëm, sepse mund të bëjë që shkalla e preferencës për presidentin në sondazhe të ulet edhe më tej, pasi tani ka arritur më pak se 30 përqind.
Xhorxh Bushi e shfrytëzoi për herë të tretë në periudhën e tij më shumë se gjashtëvjecare në post të drejtën për të ndryshuar një vendim, dhe këtë e bëri për një shok. Para së gjithash demokratët i janë vërsulur tani, në krye të të gjithëve Hillary Klinton, e cila aktualisht kryeson në garën për kandidaturën e presidentit të SHBA:
"Këtu vendoset nepotizmi mbi të drejtën. Kjo është edhe një dëshmi tjetër, se për këtë qeveri nuk është më asgjë e shenjtë."
Edhe Joe Wilson, bashkëshort i Valeri Plejm dhe më fort se kurrë në kurs anti-Bush hodhi helm në kanalin televiziv CNN kundër presidentit dhe zëvendësit të tij, Dik Ceni, të cilin shumë e shohin si nxitësin e vërtetë të aferës "spygate": "Mbetet një re e errët mbi zëvendëspresidentin, dhe tani edhe mbi presidentin. Duhet të kesh dyshimin se edhe Bushi u
ngarkua me faj në këtë çështjen e pengimit të drejtësisë."
Vetëm pak vetë i qendrojnë besnikë presidentit. Deputeti republikanas dhe kandidat si pasardhës i Bushit në post, Duncan Hunter është njeri prej tyre:
"Presidenti anulloi dënimin 30 muajsh me burg, por gjoba mbetet. Unë nuk e kam parë protokollin e procesit gjyqësor, por besoj se këtu kemi të bëjmë me një vendim të pjekur."
Sipas sondazheve aktuale, këtë besim megjithatë nuk e kanë më shumë se 19 përqind e amerikanëve, më shumë se 70 përqind e kundërshtojnë të ashtuquajturën falje. Xhorxh Bushi ndihmoi një shok, vetes nuk i bëri ndonjë të mirë.