Luftë kundër masave të ujit në Ballkan
19 Maj 2014Tmerrin Hasa Huseinovic e ndien ende në gjymtyrë. "Ne vumë se si po lëvizte toka", thotë 53 vjeçarja. Pastaj u rrëzua shtëpia e një fqinji. "Betoni nisi të ngrihet, asfalti u ça dhe nga toka doli ujë". Gruas iu desh të shihte se si tetë shtëpi në fshatin e saj Svrake, në afërsi të kryeqytetit boshnjak Sarajevë u morën me vete nga përmbytja ose nga masat e dheut.
Ajo kishte frikë. "Ne nuk donim të dilnim nga shtëpia jonë". Por djali i saj i kishte bërtitur familjes që po lëkundej e pavendosur se do të vdisnin të gjithë, po të mos iknin menjëherë. "Pas kësaj ne dolëm me shpejtësi nga shtëpia. Isha larguar vetëm 10 metra kur dëgjova që shtëpia u rrëzua". Në këtë moment u rrëzuan edhe shtëpitë rreth saj. Ajo ra në tokë. "Me mundim arrita të shpëtoj."
Hoteli si strehim emergjent
Hasa Huseinovic pati fat në mes të fatkeqësisë - boshnjakë të tjerë jo. Të dhëna zyrtare për numrin përfundimtar të të vrarëve ende nuk ka. Vlerësohet që jetën e kanë humbur të paktën 30 vetë. Vetëm në Doboj, një qytet në Lindje të Bosnjës u nxorrën nga gërmadhat rreth 20 të vdekur. Edhe nga rajone të tjera vijnë lajme për të vdekur dhe të plagosur. Shumë banorë nuk duan të largohen nga shtëpitë dhe rrijnë nw w katet e sipërme të tyre ose në çati.
Njerëz si ajo ndodhen tani në strehime emergjente, në të cilat janë shndërruar edhe hotelet. Ndihmat kanë filluar të shpërndahen - ndahen ushqime dhe veshje. Në rrjetet sociale njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin se ku nevojiten më shumë gjëra. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e katastrofës. Ndihma shkuan nga Kroacia, BE iu drejtua lutja për mbështetje.
Vendi i vogël ballkanik nuk qe i përgatitur për një katastrofë të përmasave të tilla. Përmbytje ka pasur herë pas here, por një përmbytje të shekullit të këtyre përmasave nuk e kishte llogaritur askush. Veçanërisht rëndë është prekur Lindja e vendit, rajoni përreth qytetit Zenica si dhe rajoni në kufi me Serbinë. Edhe Serbia u prek nga përmbytja. Ka informacione për të vdekur dhe rajone të tëra nën ujë. Autoritetet serbe flasin për një katastrofë të përmasave të papara.
Ndihmë nga fqinji
Përballë dëmeve shumë të mëdha, njerëzit e mbështesin njëri-tjetrin. "Kjo shtëpi jam unë, këtu jam që prej 40 vjetësh", thotë Mustafa Pasalic. Librashitësit dhe familjes së tij i kanë dhënë fqinjët një vend për të fjetur. Duar të forta ndihmuan që ta ruajnë nga përmbysja shtëpinë e tij në qytezën e Bosnjës Lindore, Gracanicë. Masa dheu e kishin mbyllur atë brenda vetes. Ai ka fqinjët më të mirë në botë, thotë boshnjaku 70 vjeçar. "Një gjë të tillë unë nuk kam përjetuar kurrë". Më shumë atij i vjen keq për librat, pranon ai dhe përqafon gruan e tij që qan.
Ka shpresë, moti po përmirësohet gradualisht. Meteorologët presin temperatura më të larta. Atëherë do të dalin në pah të gjitha përmasat e dëmeve.