Luksemburgu para zgjedhjeve të parakohshme
11 Korrik 2013Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, pritet këtë të enjte (11.07) t'i hapë rrugën zgjedhjeve të reja në vend. Ai drejtoi qeverinë e vendit prej vitit 1995, por pas një skandali përgjimi nga shërbimi sekret i vendit ka humburnë parlament shumicën mbështetëse për koalicionin qeverisës që drejton. Ai do të takohet sot me kreun e shtetit, Dukën e Madh, Henri. Të mërkurën, (10.07) në Parlament u debatua për një raport, që bënte fjalë për disa raste abuzimi nga shërbimi sekret, SREL, i cili kontrollohet nga kryeministri. Aty përfshiheshin ndër të tjera akuza për përgjimin e politikanëve. “Shërbimi sekret nuk është përparësia ime”, - tha Juncker në Parlament, gjatë një fjalimi, që zgjati dy orë.
Ndërkohë, Partia e Punëtorëve Socialistë të Luksemburgut, që është aleate në kolicionin qeverisës, i kërkoi kryeministrit të marrë përgjegjësinë dhe t'i hapet rruga zgjedhjeve të reja. Zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, nëse miratohen nga kreu i shtetit, duhet të zhvillohen brenda tre muajsh, ndërsa normalisht këto zgjedhje do të duhej të zhvilloheshin në maj të 2014. Por Juncker dëshiron të konkurrojë përsëri në këto zgjedhje.
Për shumë njerëz në Europë Juncker është fytyra e eurozonës. Prej tetë vjetësh deri në fillim të 2013 ai udhëhoqi bisedimet e 17 ministrave të financave të vendeve anëtare të eurozonës. Si kryetar i grupit të vendeve që përdorin euron, ai krijoi organizma si ombrella e shpëtimit, atë të reduktimit të borxheve dhe atë të mbikqyrjes së bankave të prekura nga kriza. Juncker sipas shumë diplomatëve të BE-së është një ndërmjetësues ideal por me dy gabime: "Ai ka mendimin e vet dhe atë e thotë hapur". Ky vlerësim paksa ironik që përflitet për lukemburgasin në Bruksel, Juncker-it edhe vetë do t'i pëlqejë. Ai është një "mik" i frazave ironike kur është fjala për të paraqitur rezultatet e negociatave ose kur është fjala për t'iu përgjigjur gazetarëve.