1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

LVV fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

Bekim Shehu | Bahri Cani
15 Shkurt 2021

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Kosovë është rreth 47%. LVV fitoi rreth 48%, pasojnë PDK dhe LDK. Në parlament futen edhe AAK dhe minoritetet. PDK, LDK dhe AAK pranojnë fitoren e LVV.

https://p.dw.com/p/3pLv6
Kosovo Wahlen Wahlkampf Albin Kurti
Fotografi: dpa/AP/picture alliance

Në Kosovë u zhvillua një proces zgjedhor i qetë, pa asnjë incident serioz, në një mot të ftohtë dhe me masa të rrepta kundër pandemisë Covid-19. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën për 120 vende sa numëron parlamenti i Kosovës. 20 vende janë të rezervuara për partitë e pakicave 10 nga to për serbët e Kosovës. 888 qendrat e votimit ishin të hapura në të gjithë territorin e Kosovës që nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes kur edhe u mbyllën. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 46.90 % pak më e madhe sesa në zgjedhjet e vitit 2019. Kryetarja e KQZ Valdete Daka tha se i gjithë procesi ka kaluar jashtëzakonisht mirë, pavarësisht sfidave të shumta. Ajo uroi Kosovën dhe qytetarët e saj për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Pjesëmarrje më e lartë në votime u regjistrua në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku thuhet se kanë votuar mbi 60% e votuesve të regjistruar.

Për shkak të pandemisë më shumë se 140 ekipe mobile të KQZ-së, kanë vizituar  shumë familje kosovare, duke iu ofruar mundësinë që të votojnë edhe personave të prekur me COVID-19, që janë të izoluar në shtëpitë e tyre.

Fitore e bindshme e LVV

Kosovo Wahlen Wahlkampf Albin Kurti
Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

Deri në mesnatë janë numëruar mbi 80 % të votave. Në vendin e parë është LVV me rreth 48% të votave. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar rreth 17,5, ndërsa LDK rreth 13,4%. E katërta sipas këtyre rezultateve është AAK me rreth 7,5%. Këto rezultate mund të ndryshojnë gjatë natës dhe pas numërimit të votave të diasporës si dhe të atyre me kusht. Por sipas vlerësimeve të deritanishme, LVV do ta ketë vështirë të fitojë 61 mandate, sa është e nevojshme për krijimin e qeverisë. Rezultatet zyrtare priten në ditët në vijim.

Në mesnatë së bashku para gazetarëve dolën drejtuesit i Listës së LVV Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. 

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, falënderoi në fillim votuesit dhe kryeministrin e ardhshëm (Albin Kurtin). "Sot Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë. Sot vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur. Në këtë moment historik jemi të vetdijshëm për përgjegjësinë që na keni dhënë. Ky nuk është mandat për hakmarrje dhe për kthim mbrapa, por për të shkuar përpara, por për ndërtimin e mirqenjes, luftimin e korrupsionit dhe krimit", theksoi Osmani. 

Ndërsa kandidati i LVV për kryeministër Albin Kurti tha se qytetarët sot u bënë bashkë dhe u vërtetua se zgjedhjet ishin referendum. "Ky referendum për drejtësi dhe refoma, kundër korrupsionit dhe kapjes u fitua. Ai falënderoi qytetarët dhe mërgatën, policët dhe të gjithë ata që mundësuan këtë votim. Kurti falënderoi edhe opozitën e ardhshme për rol konstruktiv. Na presin shumë punë dhe angazhim, sepse vendi është në krizë. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi për secilin. Pra drejtësi pa hakmarrje", theksoi Kurti. Ai beson se në këto zgjedhje kanë fituar të gjithë. "Kjo ditë do të mbahet mend si dita kur u tejkaluan përçarjet në shoqëri dhe u hap rruga për një të ardhme më të mirë". Kurti tha se "dialogun me Serbinë nuk e kemi prioritet", por disa çështje të tjera.

Dy partitë që tradicionalisht herë njëra dhe herë tjetra ishin në pushtet që nga përfundimi i luftës, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK dhe Partia Demokratike e Kosovës, PDK doli në vendin e dytë. Kandidati i saj për kryeministë, Enver Hoxhaj, uroi LVV për fitore.

"Rezultati e vë LVV në vendin e parë, ndërsa PDK në vendin e dytë. Uroj LVV për fitoren në këto dhe e ftoj këtë parti që të punojë për të mirën e vendit. PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme. Kosova ka nevojë për stabilitet, e ne zotohemi se do të jemi në pozitat e stabilitetit, por nga pozita e partisë kryesore opozitare në Kosovë", theksoi kandidati i PDK për kryeminisër, Enver Hoxhaj. 

Humbësi më i madh i zgjedhjeve është LDK, e cila ka fituar gati përgjysmë vota më pak, sesa në zgjedhjet e mbajtura para 15 muajsh.

Enver Hoxhaj Außenminister Kosovo
Fotografi: DW/B.Cani

Kryeministri në detyrë dhe kandidaiti i LDK për kryeministër, Avdullah Hoti tha se zgjedhjet kanë kaluar në një frymë shumë demokratike. "Kosova ka përfunduar një proces të rregullt, që tregon kulturën tonë demokratike, që është përmbushje e standardeve demokratike. Rezultatet nuk i kemi pritur. Unë e marr përgjegjësinë e plotë për këto rezultate të LDK. Në ditët në vijim do t'i shqyrëtojmë rezultatet në mënyrë që t'u hapet rruga krijimit të insitucioneve të ardhshme", theksoi Hoti.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës doli e katërta. Kryetari i saj Ramush Haradinaj tha se zgjedhjet kanë kaluar në një atmosferë jashtëzakonisht të mirë dhe pa probleme. 

Liderit të lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, nuk ju lejua që të garojë në këto zgjedhje, sepse kishte problem me ligjin për shkak të një dënimi të shkallës së prerë. Ai ishte dënuar me kusht për shkak të hudhjes së gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës në vitin 2015. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ akoma nuk ka dalë me rezultatet preliminare të zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave akoma po vazhdon.  

Vëzhgimi i zgjedhjeve

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kishin 1.794.862 qytetarë. KQZ-ja kësaj radhe ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. 30 mijë vëzhgues ishin akredituar nga KQZ-ja për të vëzhguar këtë proces zgjedhor. Në zgjedhje garuan 28 subjekte politike, nga to 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Gjatë ditës shefi i zyrës së BE-së në Kosovë dhe shefat e Misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë ndjekën siç thonë "me vëmendje procesin zgjedhor”.

"Nënvizojmë rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t'i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit”, thuhej në deklaratën për media.

Bashkimi Evropian ka dërguar në Kosovë një mision të ekspertëve të zgjedhjeve  që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë edhe fazën e ankimimit. BE-ja thotë se do ti qëndrojë besnik fuqishëm partneritetit me Kosovën.

Kosovo Pristina | Parlamentswahlen
Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

"Jemi të gatshëm që të angazhohemi me anëtarët e zgjedhur të Kuvendit. Kemi besim se Presidenti do të zgjidhet shpejt nga Kuvendi i ri dhe do të formohet qeveria e re, me kohë, në mënyrë që të promovojë reforma dhe zhvillime të mëtejshme, ta luftojë korrupsionin, ta forcojë sundimin e ligjit dhe ta çojë përpara të ardhmen Evropiane të Kosovës, përfshirë vazhdimin e Dialogut të lehtësuar nga BE në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në deklaratën e zyrës së BE-së në Kosovë.

Partitë kryesore politike që garuan në këto zgjedhje, kishin emrat e tyre që synonin postin e kryeministrit, i cili zgjidhet me votat e deputetëve në parlament pas zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosja ka kandidatin e saj për kryeministër Albin Kurtin, i cili megjithatë në këto zgjedhje nuk mundi të garojë në listën zgjedhore për shkak që KQZ nuk e certifikoi atë për shkak të problemeve me ligjin. LDK, garoi  për kryeministër me kandidatin Avdullah Hoti, kryeministër aktual në detyrë. PDK, garoi me Enver Hoxhajn që tashmë udhëheqë partinë, pas dorëheqjes së Kadri Veselit i cili në Gjykatën Speciale po përballet me akuzat për krime lufte. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, iu bashkua listës Vetëvendosja dhe ajo synon postin e presidentes. Të njëjtin post e synon edhe Ramush Haradinaj. Sfida e parë e parlamentit të ri do të jetë zgjedhja e presidentit, i cili më pas duhet ta propozojë formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në sallë e dy të tretave të deputetëve dhe nëse kjo nuk mund të arrihet në  tre  raunde, atëherë vendi serish shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.