1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mama Bar – si përballet bari kult me pandeminë?

23 Tetor 2020

2600 baret dhe restorantet e Berlinit janë duke kaluar kohë të vështira për shkak të pandemisë. Njëri syresh është edhe bari kult „mama bar“ në Berlin-Neukölln. Anila Shuka bisedoi me pronarin e lokalit, Petrit Hoxha.

https://p.dw.com/p/3kJaw
Deutschland Mama Bar in Berlin Neukölln
Fotografi: Anila Shuka/DW

Një dhomë e errët, mobilie retro, muzikë afrikane nga altoparlantët, pas banakut baristja letoneze me sytë e qeshur - goja e hunda të mbuluara sipas etiketës pandemike - kujdeset që të mos derdhet shkuma e dy birrave të porositura nga dy britanikët që kanë zënë vend në cep të lokalit, themelues të një start-up-i, siç më thonë. Dy te tjerët që janë ulur te dritarja duken si studentë. Një çift tjetër, me rroba hipish, njëri prej dy burrave me flokë të gjata dhe një grumbull byzylykësh në dorën e majtë, Sapo ka rënë muzgu dhe këta janë vetëm mysafirët e parë të barit të quajtur "mama". 

Petriti, pronari i lokalit, një shqiptar nga Gjakova, e ka quajtur kështu lokalin e tij për nder të nënës së tij, "por edhe të nënës si nocion, që dhuron jetën“. Petrit Hoxha është 43 vjeç dhe është bërë baba para një viti. 

Bar kult 

Gjysmën e jetës e ka kaluar nëpër Europë: fillimisht në Çeki, pastaj në Barcelonë, e më pas në Berlin. „Këtu erdha për dhjetë ditë si turist dhe u dashurova aq shumë pas këtij qyteti, sa vendosa të jetoja këtu“, rrëfen Petriti për vizitën e tij të parë në vitin 2007. Në atë kohë ishte pronar i një bari në Barcelonë. Ëndrra e tij në Berlin ishte të hapte një kinema arthouse, por sa për fillim vendosi të bënte atë që dinte më mirë, një bar.
  
„Ne përpiqemi të jemi sa më autentikë”, shpjegon Petriti. “Muzika është e rrallë, përdorim thuajse vetëm pllaka gramafoni me muzikë afrikane të viteve '70 e '80, të cilat gjenden me vështirësi. Por edhe pikturat ose veprat e artit që janë të instaluara ose të pikturuara nëpër mure, janë diçka e veçantë edhe për Berlinin.”  Vepra e fundit rrjedh nga dora e piktorit të njohur kosovar Jakup Ferri. 

Deutschland Mama Bar in Berlin Neukölln
Skene nga nje parti, pikture e Jakup FerritFotografi: Anila Shuka/DW

Bari „mama“ u bë histori suksesi në Berlin. Portali Top10 ka vite që e ka vendosur në krye të listës së bareve kult të kryeqytetit gjerman. Ute Keseling, në një artikull të së përditshmes „Berliner Morgenpost“, në vitin 2015, do ta quante barin e shqiptarit nga Gjakova një „institucion fiks“ për frekuentuesit e klubeve të lagjes Reuter, të distriktit Neukölln.

Por “mama bar” është institucion edhe për kineastët shqiptarë që vijnë në shkurt të çdo viti në Berlin për të marrë pjesë ose për të ndjekur Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale). Aty dy Qendrat Kombëtare të Kinematografisë së Kosovës dhe Shqipërisë organizojnë mbrëmjen e përvitshme.

Sfidat e pandemisë

Ëndrra e Petrit Hoxhës ndërkohë nuk është më kinemaja, por një galeri arti. Por kjo ëndërr do të rrijë edhe ca kohë në sirtar, derisa të përfundojë pandemia. Baret dhe klubet e natës së Berlinit po kalojnë krizën më të rëndë të tyre. “Valën e parë të pandemisë e kaloi secili me kursimet e veta”, thotë Petriti. „Por po erdhi e dyta skena e klubeve dhe bareve do ta ketë shumë të vështirë.“ 

Deutschland Mama Bar in Berlin Neukölln
Mama Bar BerlinFotografi: Anila Shuka/DW

Që tani senati i Berlinit ka vendosur mbylljen e bareve nga ora 23 deri në orën 6 të mëngjesit. Por vendimi është hedhur poshtë nga Gjykata Administrative, së paku për njëmbëdhjetë baret që protestuan me rrugë gjyqësore. Atyre do t’u lejohet që të rrinë hapur, me kusht që të mos shesin alkool pas orës 23. „Kjo shkakton konfuzion“, thotë  thotë Petriti. "Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë“. Por ai shton se nga ana ekomomike, një bar nate pa alkool nuk ka leverdi. “Shumica e xhiros tek ne bëhet nga ora 10 e mbrëmjes deri në mesnatë“, thotë Petrit Hoxha. „Tani që njerëzit e dine që do të mbyllet pas orës 23, nuk porosisin shumë pije“. 

Ndihmë simbolike

Deri në 3000 euro kompensim për këto masa ka ofruar Senati i Berlinit për rreth 2500 baret dhe pubet e Berlinit. Por fillimisht vetëm për muajin tetor. “Për ne çdo ndihmë është e mirëseardhur”, thotë Petrit Hoxha. Por shton, se nëse vazhdojnë këto vështirësi, dhe ndihmat mbeten në këtë nivel, pandemia do të marrë me vete ndoshta 50 përqind e jetës së natës së Berlinit.” 

Deutschland Mama Bar in Berlin Neukölln
Birra çeke është një nga arsyet e suksesit të barit „mama“. Fotografi: Anila Shuka/DW

Edhe Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë së Berlinit e ka kritikuar ndihmën: “Është më mirë se asgjë, por nuk është e mjaftueshme”, Për metropolin gjerman kjo do të jetë një humbje e madhe. Jeta e natës ishte një nga shtyllat kryesore të turizmit berlinez. Sipas një studimi të senatit të Berlinit, publikuar në vitin 2019, një e katërta e 13 milionë turistëve që vinin [do vit në Berlin, vinin për shkak të jetës së natës.

Petriti, i cili nuk ka dëshirë të ankohet, po punon tani për të realizuar një ide që e kishte edhe para se të vinte pandemia: Ndërkohe e ka përgjysmuar hapësirën e "mama bar"-it për ta bërë restorant. Ndoshta ky do të jetë shpëtimi për biznesin e tij, ose historia e re suksesit të shqiptarit në Berlin.