1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Maqedoni e Veriut: Kalime kufiri nga migrantë të paligjshëm

8 Nëntor 2023

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut thuhet, se pranë Smokvicës, 20 km nga kufiri me Greqinë ndalohet një shtetas maqedonas duke transportuar ilegalisht në makinën e tij pesë migrantë sirianë.

https://p.dw.com/p/4YWji
Kalime ilegale kufiri nga Greqia në Maqedoninë e Veriut -  3 refugjatët duke ecur pranë shinave të trenit
Kalime ilegale kufiri nga Greqia në Maqedoninë e VeriutFotografi: Nicolas Economou/NurPhoto/picture alliance

Raste të tilla të trafikimit janë shpeshtuar në këtë periudhë, por ka ndodhur që migrantët t'u ikin organeve të sigurisë dhe më pas janë nisur në këmbë duke bërë një rrugë të gjatë dhe përplot rreziqe deri në kufirin me Serbinë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në tre muajt e fundit ka pasur një rritje të numrit të shtetasve të huaj që tentojnë të futen në vend nga territori i Greqisë. Prej 4.681 persona që kanë hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë ndaluar nga rojet kufitare dhe pjesëtarët e policisë , 4.594 prej tyre sërish janë kthyer në territorin e Greqisë ndërsa qindra prej tyre janë vendosur në qendrat e tranzitit.

"Në qendrën e tranzitit në pjesën jugore të vendit gjenden 315 shtetas të huaj, prej të cilëve 197 gra, 54 fëmijë, 38 të mitur të pashoqëruar dhe 26 azilkërkues. Shumica janë nga Siria, Palestina, Pakistani, Algjeria, Egjipti, Nigeria, Kongo, Kameruni, Sierra Leone, Nepali dhe Kina. Në qendrën e tranzitit në kufirin me Serbinë në tremujorin e fundit kanë qëndruar 359 persona. Edhe në këtë qendër shumica e shtetasve të huaj janë nga Siria, Palestina, Maroku, Nepali dhe Algjeria”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski thotë, se gjendja është e qendrueshme, jo vetëm sa i përket migrantëve, por edhe krizave të tjera në rajon dhe më gjerë. "Të gjitha shërbimet dhe agjencitë e sigurisë po ndërmarrin çdo gjë në baza ditore në mënyrë që të mund ta mbajmë gjendjen stabile dhe të sigurt. Pra, për momentin situata është e qëndrueshme dhe nuk kemi asnjë indikacion për ndonjë përkeqësim të saj”, thotë Spasovski.

Refugjatë të grumbulluar ranë shinave të trenit nën një urë
Refugjatët ilegalë në kufirin me Maqedoninë e VeriutFotografi: Nicolas Economou/NurPhoto/picture alliance

Legis: Kalimet ilegale në grupe prej 30-50 persona  

Nga shoqata humanitare "Legis”, e cila merret me kujdesin për migrantët, thonë se nuk presin ndonjë valë të re të migrantëve palestinez për shkak të konfliktit luftarak atje. Por nga Siria, Afganistani, apo edhe vende të tjera, do të ketë tentime për t'u futur në Maqedoninë e Veriut.

"Numri i atyre që kalojnë ilegalisht kufirin dhe arrijnë të nisen drejt Serbisë, është thuajse i njëjtë. Bëhet fjalë për grupe prej 30 deri 50 personash, të cilët fatkeqësisht organet e sigurisë nuk arrijnë t'i ndalojnë dhe nisen në këmbë, rrugë kjo që bart rreziqe të shumta”, thotë Jasmin Rexhepi nga shoqata "Legis”.

Aktivistja Lençe Zdravkin nga Velesi thotë, se në shtëpinë e saj ka pritur shumë migrantë të huaj, të cilët i ka ndihmuar me ushqime, ilaçe, ndërsa u ka ndihmuar edhe të vendosin kontakte me familjet e tyre dhe më pas ata kanë vazhduar rrugëtimin e tyre.

"Ne duhet ta kuptojmë se në mesin e tyre ka njerëz që nuk kanë as para, që janë sulmuar, janë plaçkitur ndaj edhe janë detyruar të vazhdojnë në këmbë rrugëtimin. Ndonjëherë ka më pak, por ndodh që të ketë edhe më shumë .Është shumë e rëndë kur sheh sytë e tyre që të lusin për ndihmë. Është shumë e dhimbshme kur kërkojnë të paktën të karikojnë celularët që të mund të flasin me familjet e tyre”, thotë Zdravkin.

Refugjatë pranë stacionit të trenit në Idomeni
Refugjatë pranë stacionit të trenit në IdomeniFotografi: Nicolas Economou/NurPhoto/picture alliance

FRONTEX-i në ndihmë të policisë maqedonase kundër kalimeve ilegale

Kontrolli i kufirit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë nga muaji prill po ndihmohet nga agjencia kufitare e Bashkimit Evropian-FRONTEX. Qëllimi i misionit që përfshin rreth 100 policë, është parandalimi i migrimit të paligjshëm, ndërsa do të zgjasë deri në janar të vitit 2024, me mundësi vazhdimi. Maqedonia e Veriut në vitin 2015 u vërshua nga dhjetëra mijëra refugjatë nga vendet aziatike, që përdornin territorin e saj për të kaluar në vendet e BE-së, ndërkohë që u regjistruan edhe përplasje të ashpra mes policisë dhe migrantëve.

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut