1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Dritë-hijet në progresraportin e KE për Maqedoninë e Veriut

9 Nëntor 2023

Raporti i Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut: Rritja e korrupsionit, keqpërdorimi i flamurit evropian dhe mosbesimi ndaj gjyqësorit, janë tri vërejtjet kryesore në raportin e progresit.

https://p.dw.com/p/4YcIY
Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer
Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, David GeerFotografi: Arbnora Memeti

Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e VeriutDavid Geer prezantoi raportin e progresit të KE-së në një konferencë të përbashkët me zv.kryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. "Procesi i zgjerimit të BE-së kërkon konsensus mbi reformat kryesore. Raporti vëren përdorimin e tepruar, ndonjëherë të panevojshëm, të flamurit të BE-së. Ka abuzim me flamurin për Kodin Penal dhe ligjet për korridoret 8 dhe 10-D. Asnjë përparim nuk është shënuar në sundimin e ligjit. Ka mungesë besimi të gjyqtarëve. Bëjmë thirrje që rekomandimet të miratohen dhe ju kujtojmë rekomandimet e viteve të kaluara që nuk janë zbatuar”, u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup David Geer. Ai theksoi gjithashtu, se nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit.

"Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar asnjë progres. Po shohim që rastet e korrupsionit të nivelit të lartë janë në rritje. Kjo rezulton me vjetërsimin e lëndëve, gjë që shkakton shqetësim të madh”, nënvizoi Geer.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq nuk konsideron, se raporti i Komisionit Evropian është negativ për Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, ka progres në 80 për qind të kapitujve.

VMRO: Raporti i KE-së konfirmon se qeveria është e koruptuar

Raporti është pasqyrë e realitetit. Me një qeveri të kriminalizuar dhe të  koruptuar, Maqedonia e Veriut do të mbetet larg BE-së, konstaton VMRO-DPMNE. Sipas kësaj partie, raporti tregon se nuk ka përparim në procesin euro-integrues, kurse në Kuvend ka mungesë të planifikimit adekuat. Sipas VMRO-së është shënuar shfrytëzimi joadekuat i flamurit evropian si dhe dobësi në sistemin gjyqsor.

"Raporti qartë tregon se korupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është çështje shqetësuese. Në vend të shtetit ligjor kemi sundimin e arbitraritetit. Në vend të një reforme të fortë, ne kemi institucione të prapambetura. Problemi pse Maqedonia nuk i fillon negociatat nuk janë marrëveshjet e dëmshme apo mosndryshimi i Kushtetutës nën diktatin e dikujt, por për atë se  shteti nuk është realisht i reformuar dhe prandaj në vend të drejtësisë ka një qeveri të ngecur në krim dhe korrupsion”, thotë Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Opozita përgjegjëse për kritikat e  KE-së

Sipas LSDM-së, raporti i KE-së konfirmoi faktet se VMRO-DPMNE dhe e Majta janë frenat e përparimit drejt BE-së. Problemi kyç për raportin e Komisionit Evropian dhe vërejtjet në të sipas LSDM-së është bllokimi i Kuvendit, për të cilën përgjegjëse është opozita.

"Theksohet nevoja për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe reformave për BE-në, të cilat po i bllokojnë pikërisht DPMNE dhe Mickoski. Bllokada nga DPMNE dhe e Majta është edhe për kapitujt që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, që do të thotë se DPMNE ishte dhe mbetet kundër drejtësisë”, vlerëson Bogdanka Kuzeska nga LSDM.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ka fajësuar opozitën për kritikat e apostrofuara në Raport.

"Këto vërejtje të KE-së janë një mesazh serioz për të gjitha partitë politike, jo vetëm për qeverinë, por edhe për opozitën e cila ka bllokuar me vite Parlamentin, vetëm e vetëm për interesa të ulëta politike. Kjo ka të bëjë edhe me vërejtjet ndaj gjyqësorit. Çdokush që pengon hapjen e kapitujve për korrupsionin është kundër luftës ndaj korrupsionit”, ka thënë Osmani.

Sipas Partisë Socialiste, Raporti i progresit ka vërtetuar realitetin e paaftësisë së kësaj qeverie, e cila ka ngulfatur shtetin dhe nuk është e aftë të bëjë përparim në shumë sfera. Nga Koalicioni "Lidhja evropiane për ndryshime” vlersojnë, se përgjegjësi për raportin negativ duhet të ketë adresën e saktë dhe se  askush nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë.

"Opinioni vendas pas këtij raporti mund të bindet se Mqedonia e Veriut me qeverinë aktuale nuk ka prioritet integrimin e vendit në BE”, vlersojnë nga koalicioni "Lidhja evropiane për ndryshime”.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut