1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vulovic: Asociacioni kërkon kushte të përshtatshme sigurie

21 Tetor 2023

Çfarë pret ekspertja e Evropës Juglindore në Fondacionin gjerman Shkenca dhe Politika, Marina Vulovic nga vizita e emisarëve të Quint-it në Prishtinë dhe Beograd?

https://p.dw.com/p/4Xohs
Katër policë të Kosovës të armatosur duke kontrolluar një makinë që po kalon pranë manastirit
Policia e Kosovës duke patrulluar në Manastirin e Banjskës, foto e datës 26 shtator 2023, pas sulmit ndaj policisë së Kosovës, ku u vra një polic dhe u vranë tre terroristë. Fotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

Deutsche Welle: Të shtunën, të dërguarit e shteteve të Kuint-it udhëtojnë në rajon për të ndërmjetësuar sërish mes Serbisë dhe Kosovës. Çfarë prisni nga bisedimet?

Marina Vuloviç: Pres që të ushtrohet më shumë presion ndaj Serbisë dhe Kosovës për t'u kthyer në dialog dhe për të punuar në implementinmin e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Ky është shansi i fundit për implementim, pasi vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në BE dhe SHBA, të cilat mund të ndryshojnë prioritetet e Perëndimit në Ballkan. Megjithatë, edhe Serbia do të mbajë zgjedhje në dhjetor, që është një tjetër taktikë shtyrjeje. Fatkeqësisht, nuk llogaris se  Marrëveshja e Brukselit/Ohrit do të zbatohet së shpejti.

DW: Shumë u shpresua se këtë vit mund të arrihet përparim për shkak të situatës gjeopolitike, bashkëpunimit ndërmjet SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Francës dhe Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Në vend të kësaj, vetëm këtë vit ka pasur disa përshkallëzime të situatës. fillimisht protestat e majit me disa të plagosur rëndë dhe në shtator sulmi ndaj policisë. Cili është shpjegimi juaj për këto hapa prapa?

Pesë burra me kostume të rreshtuar para flamujve të Evropës.
Emisarët e Italisë, SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Francës. Foto nga data 25 shtator 2023. Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Vuloviç: Këto regresione ndodhin sepse Serbia nuk dëshiron ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit, pasi kjo do të nënkuptonte një njohje de facto të Kosovës. Po ashtu, Kosova nuk dëshiron të zbatojë dispozitat e marrëveshjes që kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika e destabilizimit të mëtejshëm dhe instrumentalizimit të Asociacionit nga Beogradi. Veprimet destabilizuese në veri të Kosovës e heqin vëmendjen nga trajtimi i çështjeve thelbësore, si njohja reciproke.

DW: Pas sulmit të Banjskës, më 24 shtator, Kosova ndihet e pasigurt dhe preferon të investojë më parë në sigurinë e saj sesa në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, së cilës tashmë nuk i beson. Nga ana tjetër, Vjosa Osmani shpreh dëshirën për një ridizajnim të dialogut. A është kjo një kërkesë e realizueshme? 

Vuloviç: Një ridizajnim i dialogut mund të përfshijë një qasje më të ekuilibruar të BE-së në negociata. Këtu hyn rivlerësimi i masave aktuale ndëshkuese kundër Kosovës dhe marrja e masave të reja kundër Serbisë. Duhen krijuar kushtet e përshtatshme politike dhe sigurie për formimin e Asociacionit. Pa këto kushte, është e vështirë të imagjinohet se si mund të krijohet ky asociacion pa u instrumentalizuar nga Serbia për qëllime politike.

Një grua e re me syze dhe flokë të gjata, që shikon e buzëqeshur në drejtim të kamerës.
Dr. Marina Vulović është shkencëtare në Fondacionin e Shkencës dhe Politikës (SWP) me seli në Berlin.Fotografi: Privat

DW: Nëse do të ketë një ridizajnim të dialogut, sa gjasa ka që Perëndimi të përmbushë dëshirën e Kosovës për të mos krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe në veri të vendit?

Vuloviç: Unë mendoj se kjo ka pak gjasa të ndodhë, edhe me një qasje më të balancuar. Asociacioni shërben si nxitje për serbët që të integrohen në strukturat shtetërore të Kosovës. Pa të, e kam të vështirë ta imagjinoj se serbët do të pranonin të integroheshin. Në të njëjtën kohë, një qasje më e balancuar e BE-së përfshin edhe ushtrimin  e presionit ndaj Serbisë për të lejuar një përfaqësim më të mirëfilltë të serbëve të Kosovës në jetën politike të vendit.

DW: Komisioni i BE-së prezantoi në samitin e Tiranës, më 16 tetor 2023 një plan rritjeje për të nxitur bashkëpunimin në vendet e Ballkanit Perëndimor. A mendoni se ky plan do të ketë efektin e dëshiruar?

Vuloviç: Ky plan mund të ketë efekt vetëm nëse ka një vazhdimësi të politikave në periudhat e ardhshme legjislative të BE-së. Nuk e dimë nëse komisioni i ardhshëm do të vendosë një theks të madh te zgjerimi. Për më tepër, udhëheqja e disa vendeve në rajon, si Serbia, nuk do të përfitonte nga reformat e nevojshme për t'u bashkuar me tregun e përbashkët të BE-së ose me BE. Mendoj se do të ketë vende më të përkushtuara ndaj reformave dhe vende më pak të përkushtuara ndaj tyre. Por është një shenjë e mirë që duket se ka një dinamikë të re në procesin e zgjerimit përmes aksesit të diferencuar dhe të shkallëzuar në fondet  e BE-së.

DW: Ndërsa krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor u takuan në Samitin e përvjetshëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç,  ishte në Kinë ku u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin. A përbëjnë këto marrëdhënie të Serbisë me  Rusinë një rrezik për sigurinë në Ballkan? 

Vulovic: Lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë janë jashtëzakonisht problematike, por unë mendoj se Serbia ka probleme më të mëdha, siç janë hapat prapa në demokraci, në sundimin e ligjit, kufizimet e lirive të medias etj. Regjimi aktual në Serbi është kërcënimi më i madh për stabilitetin rajonal. 

DW: Nëse është kështu, përse BE e ka kaq të vështirë të sanksionojë Serbinë? 

Vuloviç: Sepse regjimi aktual në Serbi është mbështetur edhe nga BE-ja në të kaluarën dhe aktualisht ka shtete anëtare të BE-së si Hungaria që e bëjnë më të vështirë arritjen e një vendimi unanim në Këshillin e BE-së për masa ndëshkuese kundër Serbisë. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet e ardhshme në BE janë kaq të rëndësishme: Nëse opsionet politike të krahut të djathtë në BE forcohen ose së paku janë në gjendje të formojnë qeveri, ka të ngjarë të kemi një pozicion edhe më të butë ndaj Serbisë në të ardhmen. Por ka të paktën masa nga Komisioni Evropian që mund të vendosen pa unanimitetin e Këshillit, si ato që kanë të bëjnë me shkurtimin e projekteve të financuara nga IPA. Duhet të vendosen disa masa kufizuese, në mënyrë që të dërgohet një sinjal se politika zbutëse e BE-së ndaj Serbisë ka një fund. Me çdo masë ndëshkuese është e rëndësishme që të preket regjimi, dhe jo qytetarët e Serbisë, sepse opinioni publik është i polarizuar dhe regjimi mund t'i kthejë masat ndëshkuese në një narrativë antiperëndimore, të cilën e ka nxitur vetë në diskutimet publike të brendshme për vite me radhë.

Vucic me një medalje prej gjerdani të gjerë me një varëse kryq duke ia vendosur në qafë Orbanit.
Presidenti hungarez Viktor Orban, në Beograd, më 16 shtator 2022, duke marrë një medalje nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.Fotografi: Darko Vojinovic/AP//picture alliance

DW: Serbia është para zgjedhjeve të reja. Sa gjasa ka që të ndryshojë raporti i forcave, dhe në cilin drejtim mund të shkonte ky ndryshim? 

Vulovic: Ka pak gjasa që opozita të fitojë, por shanset e saj patjetër do të rriteshin, nëse do të dilnin të bashkuar, në një listë të përbashkët. Partitë e opozitës kanë një shans shumë të mirë për të arritur një rezultat kërcënues për partitë në pushtet, nëse qëndrojnë së bashku. Edhe nëse nuk fitojnë, por arrijnë një rezultat prej 30 deri në 40 për qind (siç sugjerojnë disa sondazhe të fundit), do të ishte një sinjal i mirë për opinionin publik serb se ndryshimi është i mundur. Me një rezultat të tillë, ata do të kishin më shumë zë në Parlament dhe në media dhe do të mund të kundërshtonin narrativat dominuese të partive në pushtet përpara zgjedhjeve të ardhshme. Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse mund të jenë vala e parë e ndryshimit politik në Serbi, por vetëm nëse bashkohen partitë opozitare. 

 

Dr. Marina Vulović është shkencëtare në Fondacionin e Shkencës dhe Politikës (SWP) me seli në Berlin. Ajo është e specializuar në politikat e zgjerimit të BE-së, Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Aktualisht është duke punuar në një projekt me temën “Konkurrenca gjeostrategjike për BE-në në Ballkanin Perëndimor” dhe më parë ka kryer kërkime në institucione të ndryshme evropiane.