Dita ndërkombëtare e refugjatëve
20 Qershor 2013Në ditën botërore të refugjatëve, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun dhe organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), kanë kërkuar një mbrojtje më të mirë të refugjatëve dhe më shumë solidaritet ndërkombëtar.
Ban Ki Mun përmes një deklarate nga Boni i Gjermanisë shprehu shqetësimin e tij për refugjatët në mbarë botën duke kërkuar një shpërndarje më të drejtë të tyre. Aktualisht 81 për qind e tyre janë në vendet në zhvillim. "Bashkësia ndërkombëtare duhet njëkohësisht të bëjë më shumë për parandalimin e konfliktive dhe të jetë më efektive për zgjidhjen e tyre".
Organizata për ndihma humanitare e OKB-së, UNHCR kishte bërë të ditur ditën e mërkurë (19.06.2013) se numri i njerëzve të dëbuar së fundi ka arritur rekord. Me më shumë se 43 milionë refugjatë dhe persona të zhvendosur, ky numër arrin nivelin më të lartë në këto 20 vitet e fundit. Më shumë se gjysma e të gjithë refugjatëve kanë origjinën nga pesë vende ku sundon lufta civile: Afganistani, Somalia, Iraku, Siria dhe Sudani.
Thirrje BE-së për mbrojtjen e refugjatëve, veçanërisht në Libi
Amnesty International kërkon ndër të tjera nga BE-ja që të sigurojë që refugjatët, personat që kërkojnë azil dhe emigrantët në Libi nuk janë të prekur nga veprime që hyjnë në kategorinë e shkeljeve të të drejtave të njeriut. „BE duhet të sigurojë që standardet që ajo vendos vetë t'i zbatojë edhe për vendet jashtë BE-së, me të cilat ajo bashkëpunon", tha Nicolas Beger, drejtor i i zyrës së AI në BE.
Në prill dhe maj përfaqësues nga AI inspektuan të ashtuquajturat shtatë „holding centres“ në Libi. Aty mbahen kryesisht emigrantë nga Saharaja e Afrikës, zakonisht disa muaj para se ata të dëbohen. Ekipi i inspektorëve ka gjetur shenja të keqtrajtimit dhe torturimeve, bën të ditur organizata për të drejtat e njeriut. Të burgosurit, në mesin e të cilëve edhe gra janë rrahur brutalisht me shufra dhe kabëll.
Kohët e fundit BE-ja po e mbështet Libinë në sigurimin e kufijve të saj. 10 milionë euro llogariten nga BE-ja për “menaxhmin e migracionit”, si pjesë e politikës europiane të fqinjësisë me Libinë. AI dyshon se një pjesë e parave janë përdorur për të finnacuar kampet në të cilat mbahen migrantët e kapur ilegalisht.
Dy vjet pas shpërthimit të konfliktit më shumë se një million njerëz kanë marrë arratinë për shkak të dhunës në Siri. Numri i refugjatëvë deri në fund të verës pritet të rritet në dy milionë. Më shumë se gjysma prej tyre janë fëmijë. Sipas organizatës për të drejtat e fëmijve, Save the Children, situata e fëmijve sirianë është dramatike. Kjo organizatë ka punuar shumë në zonat me refugjatë në Liban, si dhe në Jordani dhe Irak. Aktualisht ajo është shumë aktive në Siri.