1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi gjendjen e komunitetit rom në Mal të Zi

16 Maj 2011

Në Mal të Zi ka vite që po realizohet projekti "Dekada e romëve", që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së kësaj popullate e në veçanti shkollimin dhe inkuadrimin në jetën sociale.

https://p.dw.com/p/11Ght
Podgorica
PodgoricaFotografi: DW

Komuniteti rom, egjiptian dhe ashkali prej dekadash ka qenë i margjinalizuar. Mirëpo viteve të fundit qeveria e Malit të Zi, është angazhuar dhe ka hartuar politika adekuate për përmirësimin e pozitës së tyre dhe inkuadrimit në shoqëri. Këtë dhe nëpëmjet projektit të quajtur “Dekada e Romëve“ .

Ministri në Ministrinë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave, në qeverinë e Malit të Zi Ferhat Dinosha, thotë: “Qeveria është e vetëdijshme, se këto mjete nuk janë të mjaftueshme, se nuk bëhet sa duhet në këtë drejtim, mirëpo një energji pozitive ekziston dhe unë në krye të kësaj Ministrie, absolutisht premtoj se do të jem i gatshëm të gjurmoj çdo rrugë për të përmirësuar sadopak pozitën e romëve, egjptianëve dhe ashkalijve në shoqërinë malazeze“. Zoti Dinosha, thekson se mbetet detyre permanente e qeverisë, përmirësimi i mirëqënies sociale, edukimi, shëndetësia, strehimi, kthimi dhe jodiskriminimi i kësaj popullate.

Podgorica
PodgoricaFotografi: picture alliance/Photoshot

Nga ana tjetër Z. Muhamet Ukoviq aktivist në sektorin joqeveritar dhe anëtar i Këshillit të pakicës rome në Mal të Zi, thotë se shohim një lëvizje për të mirë dhe një progres në aspektin e integrimit dhe përmirësimit të gjendjes të kësaj kategorie të shoqërisë, por problemet është vështirë të çrrënjosen menjëherë.“Situata aktuale e romëve dhe egjiptianëve në Mal të Zi është tejet e vështirë. Ata ballafaqohen me probleme të shumta. Më shumë se 90 % e egjiptianëve dhe romëve në Mal të Zi janë të papunë. Përqindja e varfërisë është 52 herë më e madhe nga mesatarja në Mal të Zi. Përmes diskriminimit etnik ende vërehet mosgadishmëria e bashkësive më të mëdha, që keto komunitete t`i pranojnë si subjekte të barabarta. Qeveria e malit të Zi po bën përpjekje që nëpërmes masave afatshkurta ta zbusë këtë situatë, por është vështirë të çrrënjosen brenta natës problemet e grumbulluara me dekada dhe shekuj“.

Pozita e vajzave dhe grave rome dhe egjiptiane është tejet e vështirë, mirëpo falë donatorëve, qeverisë, sektorit joqeveritar dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare vërehet një angazhim i të rejave rome në kurse të ndryshme e në shkollim, për të përmirësuar pozitën e tyre.

Biljana Alkoviq, është njëra nga vajzat studente në vitin e katërt të fakultetit të shkencave politike në Podgoricë dhe aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti në Mal të Zi. Duke theksuar se rruga e saj ka qenë e vështirë me kënaqësi veçon që shkollimin po e vazhdojnë dhe të rinj e të reja të tjerë të këtij komuniteti përmes “Fondacionit për stipendimin e Romëve".

Kufiri Kosovë- Mal i Zi
Kufiri Kosovë- Mal i ZiFotografi: DW

“Momentalisht kemi 57 stipendiantë për shkolla të mesme dhe 8 në fakultete. Çdo vit rritet numri i komunitetit rom dhe egjipijan në shkolla të mesme e kjo është një gjë pozitive. Gjatë pesë viteve që ekziston ky fondacion, bursat i kanë shfrytëzuar 150 studentë. Shumica nga ta e kanë kryer me sukses shkollimin e ky projekt është treguar mjaft funksional dhe bazë për formimin e kuadrove të shkolluara,” thotë Z. Alkoviq .

Përveç kësaj, në Mal të Zi pas konfliktit në Kosovë ka mbërritur një numër i madh i romëve, egjiptianëve dhe ashkalinjve, të cilët kryesisht janë të vendosur në lagje periferike të Podgoricës. Pala malazeze insiston në kthimin e tyre e për këtë çështje janë zhvilluar disa takime zyrtare me palën kosovare.

Autor: Vera Katana

Redaktoi: Aida Cama