1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mblidhen në Luksemburg ministrat e jashtëm evropianë

Bernd Riegert10 Prill 2006

Ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën të hënën në Luksemburg për të biseduar mbi politikën, që do të ndjekin me qeverinë e re palestineze, sanksionet e mundshme ndaj Iranit dhe parregullsitë, që ndodhën gjatë zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi.

https://p.dw.com/p/ArBP
Komisarja e BE-së, Benita Ferrero-Waldner
Komisarja e BE-së, Benita Ferrero-WaldnerFotografi: AP

Ndihmat financiare për palestinezët nuk do të ndërpriten. Ne nuk duam të sulmojmë popullin, por Hamasin radikal, tha komisionerja e BE-së për politikën e jashtme, Benita Ferrero-Waldner:

"Ne nuk do ta lëmë pas dore popullin palestinez. Ndihmat humanitare për arsimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm, do të vazhdojnë."

Ministrat e jashtëm të BE-së vendosën të ndërpresin të gjitha ndihmat financiare për administrimin dhe pagat e punonjësve publikë. Projektet humanitare dhe financimi i spitaleve dhe shkollave do të vazhdojnë. Bëhet fjalë për heqjen e 70 milionë euro nga shuma totale vjetore prej 250 milionë euro, që Komisioni Evropian do t´i japë rajoneve autonome palestineze. Frank-Valter Steinmeier, u shfaq i shqetësuar mbi faktin se Hamasi ende nuk e pranon ekzistencën e shtetit Izrael dhe procesin e paqes:

"Qeveria palestineze ka javë tashmë që dërgon sinjale të tilla, të cilat kanë konsekuenca. Pra nuk duhet të habiten kur ne i ndryshojmë shumat e ndihmave financiare që u japim. Të paktën për një muaj. Më pas do të mblidhemi sërish dhe do të bisedojmë mbi këtë situatë."

Por, ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë pas katër javësh, në rast se Hamasi nuk do të reagojë. Një grup i ministrave të jashtëm evropianë theksoi se nuk duhet ndërprerë të gjitha kontaktet me qeverinë palestineze. Ndërkohë ministri i jashtëm britanik Jack Straw dhe ai gjerman Frank-Valter Steinmeier, përfaqësojnë një linjë më të ashpër politike. Bisedime politike me Hamasin, e cila konsiderohet si një organizatë terroriste, nuk mund të zhvillohen. Rëndësi të veçantë ka mbi të gjitha që BE të tregohet i bashkuar mbi politikën e tij të ardhshme në Lindjen e Afërt.

Temë tjetër e bisedimeve të Luksemburgut ishte nëse do të vihen sanksione ndaj Iranit. Ky vend ka kohë deri në fund të muajit prill, për të plotësuar kërkesën e Këshillit Botëror të Sigurimit, për mospërdorjen e lëndës së uranit në programet vendore bërthamore.

Ministrat e jashtëm evropianë vendosën sanksione ndaj presidentit bjellorus Aleksadër Lukashenko dhe kabinetit të tij më të ngushtë qeveritar. Ministrja e jashtme austriake, Ursula Plassnik, tha:

"Ne vendosëm të mos i japim asnjë vizë për dalje jashtë shtetit presidentit bjellorus Lukashenko dhe 30 antarëve të kabinetit të tij qeveritar, të cilët janë përgjegjës për thyerjen e standarteve ndërkombëtare të zgjedhjeve si edhe ndjekjen penale të opozitës demokratike."

Më tej Plasnik tha, se një hap tjetër i ardhshëm mund të jetë ngrirja e kontove bankare bjelloruse në Evropë. Kryetari i opozitës bjelloruse Aleksadër Milinkeviç, pati biseduar gjatë fundjavës së kaluar me përfaqësues të BE-së në Vjenë, duke kërkuar që Evropa ta rrisë presionin ndaj diktatorit të fundit të Evropës, siç u shpreh Milinkeviç. Diplomatë të BE-së thanë se BE-ja do të zhvillojë bisedime edhe me qeverinë në Minsk, e cila mbështetet në mënyrë masive nga Moska.