1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Medalje ari për Gjermaninë

Tobias Oelmaier12 Gusht 2008

Pas medjales së bronxit dhe të argjendit në tri ditët të para të Olimpiadës sportistët gjermanë arritën të fitonin në ditën e katërt të saj katër medalje ari.

https://p.dw.com/p/Evrl
Ole Bischof (djathas) dhe Alexander GrimmFotografi: AP

Medaljen e parë të arit për Gjermaninë e fitoi në slalomin e kanotazhit, Aleksander Grim. 21-vjeçari nga Augsburgu fitoi në garën me kajak individual ndaj francezit Fabien Lefevre dhe Benjamin Boukpeti nga Togoja.

"Nuk më besohet as vetë, nuk e kam realizuar ende, më duket se duhet të fle nja tri ditë dhe pastaj ta marr vesh që fitova në olimpiadë. Një moment i papërshkrueshëm." - tha Grim, i cili në garat eleminatore ishte renditur i katërti.

Edhe Benjamin Boukpeti ishte mjaft i gëzuar, sepse është afrikani i parë që fiton një medalje në slalomin e kanotazhit.

Vetëm dy orë pas tij Ole Bischof fitoi medaljen e artë në xhudo ndaj koreanojugorit Kim Jae Bum. Me fitoren ndaj pretendentit nga Korea e Jugut 28-vjeçari surprizoi të gjithë elitën botërore të këtij sporti.

"Olimpiada mendoj se ka ligjet e veta. Traineri im ka qenë vetë fitues i një olimpiade dhe më ka treguar se si bëhet kjo. Dhe jam shumë i lumtur që arrita të bëja si traineri im Frank Wieneke." - tha Ole Bischof.

Medaljen e tretë dhe të katërt të artë për Gjermaninë i fituan hipistët. Në arenën e hipizmit Sha Tin në Honkong ekipi gjerman i përbërë nga Hinrich Romeike, Andreas Dibowski, Frank Ostholt, Peter Thomsen dhe Ingrid Klimke fitoi në garat e përziera duke lënë pas Australinë dhe Britaninë e Madhe.

Më pas Hinrich Romeike fitoi medaljen e artë në garën individuale.

Në ditën e katërt të Olimpiadës notari amerikan Michael Phelps fitoi medaljen e tij të tretë të artë në 200 metera stil i lirë, që i përshkoi në 1:42,96 minuta, duke iu afruar edhe një hap më tej qëllimit të vet për të fituar në Pekin tetë medalje të arta.