Merkel dhe Kurti: Jo hapa prapa në raportet Kosovë-Serbi
23 Mars 2020Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka përshëndetur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e plotë të tarifave doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke filluar nga 1 prilli i këtij viti.
Kjo bëhet e ditur në një deklaratë te përbashkët të lëshuar për media të hënën, 23.3.20, në mbremje nga zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, dhe zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Aty thuhet gjithashtu se kancelarja gjermane e përkrah „dialogun e drejtuar nga BE-ja me synim mënjanimin e të gjitha barrierave jotarifore tregtare midis Serbisë dhe Kosovës". Merkel dhe Kurti kanë qenë të dy të mendimit se në raportin mes Serbisë dhe Kosovës „nuk duhet të ketë hapa prapa",
Kancelarja gjermane dhe kryeministri i Kosovës janë shprehur për një vazhdim së afërmi nga ana e qeverise se Kosovës të dialogut të normalizimit. Synimi i dialogut duhet të jetë një „marrëveshje juridike detyruese për normalizimin e plotë të raportit mes Kosovës dhe Serbisë që do t'i shpërbejë popullsisë së të dy vendeve", thuhet në deklaratë.
Komunikimi i parë zyrtar mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, ishte paraparë ndryshe. Kurti do të vinte në Berlin, por vizita e tij u anulua për shkak të krizës së pandemisë së koronavirusit. Deri të dielën mendohej se krerët e dy qeverive do të komunikonin së paku me videokonferencë.
Por biseda u bë me telefon, pasi qysh nga e diela kanelarja gjermane ndodhet në shtëpi, e vetëkarantinuar. Pak pas telefonatës me kolegun kosovar, Merkel mësoi se testi i parë kishte dalë negativ. Ajo do të vazhdojë në karantinë dhe do të testohet edhe në ditët ardhshme, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert, përmes Twitter-it.
Gjermania premton ndihmë
Covid – 19 dhe sfidat e Kosovës në përballjen e virusit kishin qenë edhe një nga temat e bisedës. Sipas deklaratës në fjalë, Angela Merkel kishte premtuar se "do të shqyrtojnte” mundësinë e një ndihme për Kosovën në përballjen me epideminë.
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, numri i të infektaurve në Kosovë është aktuaisht 35, ndërsa është shënuar një rast vdekjeje. Në Gjermani numri i të infektuarve të hënën kiishte shkuar në mbi 25 000, ndërsa numri i viktimave 107,
Ndihmë i ofroi kancelarja gjermane homolgut të saj nga Kosova edhe sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe "programit voluminoz dhe ambicioz të reformave të qeverisë” së Kosovës, thuhet më tej në deklaratë. "Qeveria gjermane ofron në këtë kuadër shërbime konkrete këshilluese ekspertësh gjermanë”.(ash)