Merkel shpreh tronditjen e thellë për aksidentin në Bavari
3 Korrik 2017Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert ka pohuar të hënën, se një numër njerëzish kanë humbur jetën në aksidentin e Bavarisë. "Për fat të keq një numër njerëzish - grup udhëtarësh nga Saksonia (landi gjermano-lindor) humbën jetën në autobusin që u dogj", tha Seibert në konferencën e shtypit të qeverisë. Sipas zëdhënësit, Seibert, kancelarja Merkel shpreh "tronditjen e saj të thellë" për aksidentin tragjik.
Edhe policia konfimoi se ka disa viktima, por nuk dha numër të saktë. Hetuesit flasin zyrtarisht për 18 viktima. Presidiumi i policisë së Frankonisë Veriore dhe prokuroria kanë pohuar se 18 persona në autobus duket "kanë humbur jetën në autobusin e udhëtarëve që u dogj".
Në orët e para të mëngjesit të së hënës (03.07) një autobus u përplas me një kamion me rimorkio në zonën e Frankonisë së Sipërme në landin bavarez në Gjermani. "Nuk mund të përjashtojmë që të 18 vetët që mungojnë nuk ia kanë dalë të largohen nga autobusi", u shpreh një zëdhënëse e policisë. Autobusi u dogj tërësisht pas aksidentit.
Ende nuk dihet qartë, se ku ndodhen 18 persona, tha zëdhënësja e policisë. Në autobus udhëtonin 48 vetë. 31 prej tyre janë plagosur, mjaft syresh rëndë. Policia përpiqet të zbardhë në vendin e ngjarjes, se ku ndodhen pasagjerët e tjerë. Aksidenti ndodhi në autostradën A9 në Mynchberg. Grupi i udhëtarëve vinte nga Saksonia.
"Jemi realistë po të themi se në fundin e ditës do të mbajmë zi për disa viktima", tha një tjetër zëdhënës policie për televizionin gjerman, ntv. Ka vetëm një "shpresëz të vogël" që pasagjerët që mungojnë janë ndodhur jashtë autobusit në zonën e aksidentit.
la/(afp,dpa)