1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Minat në Ballkan: "Ne duhet t'i paralajmërojmë njerëzit nga rreziku"

Judith Hartl/Angelina Verbica20 Maj 2014

Pas përmbytjeve të rënda në Bosnje-Hercegovinë, ekspertët druhen se minat tokësore janë nxjerrë nga toka e janë marrë me vete nga masat e ujit në zona deri tani të paminuara. Intervistë me ekspertin Thomas Küchenmeister.

https://p.dw.com/p/1C36d
Minen-Warnschild in Bosnien
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Zoti Küchenmeister, sa mina ndodhen sot ende në territorin e Bosnjë-Hercegovinës?

Thomas Küchenmeister: Nuk dihet me saktësi. Ajo, që mund të thuhet me siguri, është se është e kontaminuar një sipërfaqe prej rreth 1300 metër katrorë, pra një herë e gjysëm më e madhe se Berlini. Ose me bomba të pashpërthyera, ose me mina. Rreth gjysëm milioni njerëz janë të rrezikuar.

Pas përmbytjeve të rënda në Bosnje-Hercegovinë ekspertët druhen se minat tokësore janë nxjerrë nga toka dhe janë marrë me vete nga masat e ujit në zona deri tani të paminuara.

A janë shumë, apo pak mina, po ta krahasosh gjendjen me Afganistanin, apo me Kamboxhen?

Thomas Küchenmeister: Janë më pak se në Afganistan dhe Kamboxha. Por ato ndodhen shumë të përqëndruara në disa zona. Gjatë luftës janë minuar fusha të tëra përgjatë linjës së frontit. Pra jo kudo në vend, por në zonat me rëndësi strategjike.

A dihej në Bosnjë-Hercegovinë, se ku ndodhen minat?

Thomas Küchenmeister: Po. Ka patur një studim të gjerë për vendndodhjen e fushave të minuara. Bazuar edhe në ekspertizën e ushtarëve, të cilët kanë qenë të përfshirë në vendosjen e minave. Kështu ishte e mundur, që të izoloheshin zonat e minuara dhe të bëheshin të pakalueshme për popullsinë. Më vonë filloi kërkimi sistematik i minave dhe pastrimi prej tyre.

Dhe ky proces nuk është mbyllur ende në Bosnje-Herzegovinë, pas kaq shumë vjetësh?

Thomas Küchenmeister: Jo, minat vazhdojnë të jenë problem. Shumë zona janë ende të bllokuara dhe të ndaluara për popullatën.

Eksperti Thomas Küchenmeister
Eksperti Thomas KüchenmeisterFotografi: Facing Finance e.V.

Ka metoda të ndryshme për kërkimine minave me minj, bletë, madje me bimë të ndryshuara gjenetikisht. Cilat janë më të suksesshmet?

Thomas Küchenmeister: Metoda më e përgjegjshme është me dorë. Minat përbëhen më së shumti prej lëndësh plastike dhe në këto raste nuk shërben detektori metalik. Nëse do të gjesh një minë, duhet të gërmosh pëllëmbë për pëllëmbë në tokë. Kjo kërkon shumë kohë dhe shumë shpenzime.

Pastaj është edhe metoda e çminimit mekanik. Megjithatë kjo metodë për mendimin tim nuk është perfekte dhe nuk mund të aplikohet në çdo terren.

Në një zonë me pyje nuk mund të hysh me eskavator dhe në Bosnjë Hercegovinë ka shumë pyje. Atje kërkimi me dorë është metoda më efektive momentalisht.

Tani duket se situata është ndryshe - thuhet se minat janë marrë nga ujërat e përmbytjeve. Sa ekziston një mundësi e tillë?

Thomas Küchenmeister: Kjo është shumë e mundshme. Sidomos brigjet e lumenjve apo të përrenjve janë nga një pikëpamja ushtarake një vend shumë i preferuar për të vendosur mina. Me siguri që ka ndodhur kështu edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Mbaj mend kur ka patur përmbytje të rënda në Mozambik. Edhe atje minat, që nuk ishin pastruar ende, u morën nga uji dhe dolën papritmas në zona, të cilat vlerësoheshin si jo të minuara dhe u shfaqën para një popullsie fare të papërgatitur, që nuk ishte e paralajmëruar. Kjo gjë ka shkaktuar probleme të mëdha, vdekje dhe plagosje.

Mund të ndodhë kjo edhe në Bosnjë-Hercegovinë?

Thomas Küchenmeister: Unë nuk mund të them saktësisht, se sa mina janë marrë nga uji nga zonat e kontaminuara. Por në thelb është shumë e rrezikshme, sepse popullata në përgjithësi nuk është e përgatitur. Tani duhen bërë menjëherë përpjekje për të gjetur, se cilat komuna mund të jenë të prekura dhe popullsia atje duhet sqaruar dhe paralajmëruar.

Sidomos njerëzit, që jetojnë pranë lumenjve mendoj...?

E drejtë. Dhe për shkak se janë kryesisht mina plastike, të cilat janë shumë të lehta, dhe mund të jenë çuar nga uji me kilometra larg.

A janë të rrezikshme minat, edhe pasi kanë qenë për një kohë të gjatë në ujë, dhe llucë. A është lënda ekspozive në gjendje të shpërthejë?

Ndoshta po, ndoshta jo. Minat prej plastike kalben shumë ngadalë në kontakt me ujin. Thuhet se ato mund të jenë shpërthyese për dekada të tëra.

Sa i fortë duhet të jetë kontakti, që një minë të shpërthejë?

Thomas Küchenmeister: Kjo varet nga mina. Ka mina, që reagojnë nga prekje shumë të lehta, dhe kjo është një pjesë e problemit. Më shumë se një kilogram e gjysëm nuk është i nevojshëm.

Thomas Küchenmeister është themelues i organizatës"Facing Finance - Tregjet financiare në shënjestër". "Përveç kësaj prej dekadash ai merret me mjetet shpërthyese. Deri para pak viteve ai drejtonte seksionin gjerman të Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Tokësore. Organizata mori në vitin 1997 çmimin Nobel për Paqen.