1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Modeli "boshnjak" i fesë islame - i përshtatshëm për Evropën?

26 Nëntor 2011

Në Evropën perëndimore jetojnë rreth 20 milionë besimtarë të fesë islame. Kjo ka hapur shumë debate për integrimin e tyre në shoqëritë perëndimore. Po a mund të jetë Bosnjë-Hercegovina model për Evropën?

https://p.dw.com/p/13HWp
Pamje nga konferenca
Konferenca në ShtutgartFotografi: DW

Myslimanët kanë jetuar në Evropë një kohë të gjatë, gati pa u vërejtur fare. Por pas daljes në skenë të islamit radikal, në sipërfaqe dolën edhe pyetjet e përgjithshme si p.sh. : sa mund të harmonizojnë vlerat perëdimore dhe feja islame? Tradita boshnjake mund të përdoret si shembull për rrespektimin prej kësaj feje të parimeve demokratike. Prandaj përvoja dhe traditat e Bosnjë-Hercegovinës mund të shërbejnë si shembull për tërë Evropën, thotë Armina Omerika, shkencëtare e fesë islame nga universiteti i Bohumit.

"Në njërën anë kemi një përvojë shumë të gjatë të fesë islame në një rreth dhe në një shtet sekular. Nga ana tjetër në Bosnjë-Hercegovinë ekziston një numër i madh i institucioneve të cilave u nënshtrohet feja dhe bashkësia islame, si bartësit kryesor të fesë në këtë vend", pohon ajo.

Modeli i Bosnjës

Armina Omerika
Armina OmerikaFotografi: DW

Myslimanët në Bosnjë janë popull shumicë dhe si të tillë bashkjetojnë me katolikët dhe ortodoksët e krishterë si dhe me hebrenjët për një kohë shumë të gjatë. Ata kanë një përvojë të gjatë prej 130 vitesh, që nga koha e dominimit të Monarkisë Austro - Hungareze.

Dhe pikërisht austriakët ishin ata të cilët në Bosnjë lejuan themelimin e postit të muftiut, duke u bazuar mbi shembullin e kishës së krishterë. Këto veçori e bëjnë atraktive traditën boshnjake dhe fenë islame në këtë vend për vendet tjera perëdimore, pohon Omerika.

"Është kjo një formë e institucionalizimit e cila për shumë evropianë paraqet diçka të njohur, një gjë e cila mund të krahasohet me strukturat dhe format e organizatave të krishtera", thotë Omerika.

"Islami evropian"

Çështja është nëse në përgjithësi mund të përdoret nocioni "islami evropian"? Kerem Öktem, docent në Qendrën për studime evropiane pranë universtitetit të Oksfordit thotë se kjo pyetje është e gabuar.

"Problemi kryesor është përshtypja se feja islame është diçka e huaj, diçka e ndryshme. Një gjë e cila nuk vjen nga Evropa dhe që duhet të evropianizohet", pohon Öktem, duke shtuar ky mendim është i gabuar, sepse feja islame ekziston në Evropë për shekuj të tërë. Bosnjë-Hercegovina është një shembull, por ekzistojnë edhe Turqia, Shqipëria apo Bullgaria ku ka një element të fuqishëm të kësaj feje. Në shumë vende kemi një traditë të gjatë bashkjetese mes fesë islame dhe botës së krishterë. Si për shembull, në Poloni, shpjegon kleriku Adam Was, docent në fakultetin për shkencat islame në universitetin katolik në Lublin.

Rasti i Polonisë

"Ne në Poloni kemi përvoja me fenë islame për 600 vjet me radhë. Kemi përvoja me tatarët", pohon ai.

Adam Was
Adam WasFotografi: DW

Ky është një grup i vogël, me më pak se 1% të popullatës, por identiteti i tyre fetar ekziston për një kohë të gjatë. Mirëpo në Poloni ndërkohë është rritur numri i atyre që i përkasin bashkësisë së fesë islame.

"Ka dhe studentë që kanë ardhur nga vende të ndryshme arabe në Poloni, në pjesën e dytë të shekullit 20. Shumica prej tyre janë martuar dhe kanë mbetur në Poloni, ku kanë krijuar familje", thekson ai.

Në Evropë ka shumë turq, arabë, shqiptarë apo boshnjakë të fesë islame. Ata flasin me gjuhë të ndryshme dhe kanë kultura të ndryshme, por shumë tradita i kanë të ngjashme. Kerem Öktem thotë se do të ishte mirë sikur në Evropë të krijohej një formë unike e fesë islame.

Bashkimi i dallimeve

"Çështja është nëse këto forma mund të gjejnë elemente të mjatueshme të përbashkëta, për të krijuar një model të njëjtë. Në nivelin teorik, kjo nuk është e mundur, sepse dallimet janë shumë të mëdha", mendon ai.

Prandaj nuk janë reale pritjet që modeli i fesë islame në Bosnjë të përdoret si model evropian, beson Adam Was. Por në fe ekziston një fenomen i cili quhet - bashkimi i dallimeve.

"Kemi nevojë për një fe islame me karakteristika evropiane, si demokracia, të drejtat e njeriut dhe liria e fesë. Ky do të ishte një proces i riinterpretimit të Koranit. Mysliamënt që jetojnë me shekuj në Evropë mund të japin një kontribut të madh në këtë drejtim", pohon ai.

Autor: Zoran Arbutina/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani