1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mungesë specialistësh në Gjermani

4 Qershor 2012

Një studim i kohëve të fundit ka treguar se Gjermania është i vetmi vend i eurozonës, që bën pjesë në dhjetë ekonomitë më konkurruese në botë. Por në disa degë fuqia punëtore e kualifikuar mungon.

https://p.dw.com/p/157aq
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një herë në muaj Agjencia Federale e Punës prezanton një raport mbi gjendjen. Në qoftë se kjo datë, në kohët e rritjes së papunësisë, ishte nga më të padëshirueshmit, kjo gjë ka ndryshuar shumë vitet e fundit. Ndërsa numri i të papunëve bie, rritet numri i vendeve vakante. Në maj ishin gati një gjysmë milioni, 29.000 më shumë se sa në vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Veçanërisht të kërkuar janë specialistët në mekatronikë, në elektro dhe metal, në ndertimin e makinerive dhe të automjeteve, në logjistikë, shendetësi dhe në tregti. Edhe në sektorin e IT-së kërkohen specialistë.

Bernhard Rohleder, shefi ekzekutiv i shoqatës industriale Bitkom, njofton për 38 000 vende vakante, siç thekson ai, "të pazëna". "Ne e dimë në degën tonë, që kemi 1.5 miliardë më pak fitime, vetëm se mungojnë njerëzit. Mungesa e fuqisë së kualifikuar të punës në një firmë vihet re direkt në kontabilitet, pengon inovacionin."

Migrim brenda Evropës

Rohleder përmend tri shtylla, mbi të cilat duhet të mbështetet sigurimi i specialistëve: Përsosja e sistemit arsimor gjerman, mobilizimi sidomos i grave, që momentalisht nuk punojnë dhe i të moshuarve, si dhe modernizimi i politikave të migracionit. Por emigracioni i punës duket se është i vështirë edhe brenda BE-së. Edhe pse shumë njerëz kërkojnë punë në Evropë për shkak të krizës së borxhit, grekët, spanjollët dhe portugezët ngurrojnë të vijnë në Gjermani.

Dr. Bernhard Rohleder, shefi ekzekutiv i shoqatës industriale Bitkom
Dr. Bernhard Rohleder, shefi ekzekutiv i shoqatës industriale BitkomFotografi: picture alliance/dpa

Këtë e konfirmon edhe Heinrich Alt, në kryesinë e Agjencisë Federale të Punësimit. "Po ne kemi një migrim të fortë brenda Evropës. Ne presim këtë vit një rritje të migrimit me 150.000 vetë. Firmat kërkojnë punonjës jashtë vendit, por vetëm për disa profesione, si inxhinierë, apo të ashtuquajturat profesione MINT. Aty ka kërkesa për jashtë vendit, por ende në një nivel shumë të ulët." MINT përfaqëson matematikën, shkencat kompjuterike, shkencat natyrore dhe teknikën.

Po në një nivel të ulët lëviz edhe fluksi nga vendet joanëtare të BE-së për në Gjermani. Me futjen e Blue Card të BE-së për fuqinë punëtore të kualifikuar, inxhinierët, apo anëtarët e profesioneve të tjera në mungesë janë të mirëseardhur si emigrantë, nëse ata arrijnë në Gjermani të ardhura vjetore prej 35.000 euro.

Për informaticienët Gjermania nuk është vendi i ëndrrave

Vetëm kjo nuk është e mjaftueshme, është i mendimit drejtori ekzekutiv i Bitkom-it, Rohleder. "Një nga përvojat më mbresëlënëse kam pasur gjatë një udhëtimi jashtë vendi në Indi, ku kam folur me një informaticien indian, i cili duhej të vinte në Gjermani dhe që pyeste veten dhe mua se çfarë faji kishte bërë, që duhej të vinte në Gjermani. Gjermania ishte për të një vend, ku ka shumë luleshtrydhe, ndoshta njeh edhe ndonjë lojtar gjerman futbolli dhe një markë gjermane makine. Por që të jesh i detyruar të shkosh në Gjermani si informaticien i talentuar indian, kjo është si të thuash një ekspeditë ndëshkuese. Ky nuk është vendi i ëndrrave."

Statistikat i japin atij të drejtë. Në vitin 2011 erdhën në Gjermani 1221 mjekë nga vendet jashtë BE-së, ndërsa një vit më parë kishin ardhur 795. Tek inxhinierët numri u rrit nga 300 në 1191. Për sa kohë që Gjermania të jetë jo interesante për të huajt e talentuar nuk ka për të ndryshuar asgjë. Opozita politike në Berlin sheh te emigracioni vetëm një opsion sekondar në luftën kundër mungesës së fuqisë së kualifikuar. Së pari duhet të ngrihet potenciali brenda vendit. Çdo vit, thotë zëvendëskryetari i grupit parlamentar të PSD-së, Hubertus Heil, 65.000 të rinj lënë shkollën pa e përfunduar atë. Përveç kësaj shumë njerëz në Gjermani kanë mbetur prapa për shkak të papunësisë afatgjatë dhe kushteve të pasigurta të punës.

Ministrja gjermane e Punës, Ursula von der Leyen
Ministrja gjermane e Punës, Ursula von der LeyenFotografi: dapd

Ofensivë për të kualifikuarit

"Dhe çfarë bën koalicioni qeveritar kundër kësaj? Mban fjalime të bukura. Vitin e kaluar ishte një samit me partnerët socialë në Meseberg. Aty është diskutuar pa impenjim për këtë temë. Në këtë takim nuk u dha asnjë përgjigje për pyetjen, se si duhen bërë përpjekje të përbashkëta të ekonomisë, sindikatave dhe politikës, për të përballuar sfidat e nevojës për fuqi të kualifikuar në të ardhmen."

Koalicioni qeveritar e sheh çështjen natyrisht krejt ndryshe. Sipas tij ka masa shumë konkrete kundër mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe një bashkëpunim të mirë me ekonominë. Bilanci i iniciativës për fuqi të kualifikuar të nisur një vit më parë do të bëhet të martën pasdite (05.06.2012), kur kancelarja të ftojë në samitin e tretë për fuqinë e kualifikuar punëtore në Meseberg. Më parë ministrja federale e Punës Ursula von der Leyen dhe ministri federal i Ekonomisë, Philipp Rosler, do të prezantojnë një ofensivë për kërkimin e fuqisë së kualifikuar të punës nën moton "Kush mund të përballojë punën e së nesërmes?"

Autor: Sabine Kinkartz/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi