Mësimi fetar në Bosnjë-Hercegovinë
28 Mars 2012Kur para 20 vitesh për herë të parë është futur në shkolla mësimi fetar, shumëkush në Bosnjë-Hercegovinë pohonte se kjo është forma më e mirë e grupeve etnike për të mbrojtur identitetin e tyre. Sociologu Ibrahim Prohiq thotë se mësimi fetar edhe sot është një instrument politik, që bashkon elitat fetare dhe poltike në këtë vend. "Mendoj se është shumë keq, sepse feja nuk kuptohet këtu si një çështje e shpirtit, por e identitetit", pohon ai.
Mësimet në shkolla
Ministri i Arsimit në kantonin e Sarajevës, Emir Shuljagiq kërkon që mësimi i fesë të mos futet në mesataren e notave, me qëllim që të mos ketë diskriminime të fëmijëve. Kjo kërkesë ka shkaktuar reagime të shumta të krerëve fetarë në Bosnjë-Hercegovinë. Në veçanti shumë ka protestuar Mustafa Ceriq me shpjegimin se ky do të ishte hapi i parë drejt heqjes së plotë të mësimit të fesë në shkolla.
"A thua fëmijët duhet t'i lëmë në duart e jobesimtarëve dhe që të mos jenë të gatshëm që të mbrohen në rast përpjekjeje të re për spastrime etnike“, deklaroi Ceriq.
Të ndara janë edhe mendimet e nxënësve. "Të gjithë ata që besojnë tek Zoti duhet t'i vijojnë këto mësime...“. „Ne në këto orë kemi shikuar filma vizatimor për Moisiun, por nuk kemi mësuar asgjë të re besoj, por e gjitha varet prej mësimdhënësit", janë këto vetëm disa nga reagimet e nxënësve.
Branka Rogaq thotë se mësimi fetar jepet në të gjitha shkollat e Republikës Srpska. Nxënësit kanë mundësinë të ndjekin mësime varësisht prej përkatësisë së tyre fetare, ndërsa prindërit mund të vendosin nëse duan që fëmijët e tyre të shkojnë në atë orë apo jo", shpjegon ajo.
Problemet e fëmijëve
Problem shtesë është fakti që nuk ka ndonjë alternativë tjetër, kështu që 90 % e fëmijëve i ndjekin këto mësime. Gjendja në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës varet prej kantoneve. Në disa prej tyre ekziston mundësia e përzgjedhjes së një lënde tjetër (Kultura e fesë). E megjithatë rreth 90 % ndjekin mësimet fetare dhe nota në këtë lëndë futet në mesatare.
Profesori nga Universiteti i Beogradit, që jep mësin edhe në Banja-Luka, Ivan Shijakoviq është i befasuar, sepse mendon që mësimi i fesë nuk sjell ndonjë tolerancë apo mirëkuptim më të madh. "Këtu bëhet ideologji fetare e kishës dhe e konfesioneve tjera, që paraqet një mundësi tjetër për përfitime", pohon ai.
Për peshkopin kroat, Franjo Komarica mësimi fetar nuk ka ndonjë alternativë tjetër më të mirë. Ai është i mendimit se mësimi fetar duhet të futet edhe në shkollat e mesme dhe jo vetëm në ato fillore. Por shumica është e mendimit se fëmijët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin ndonjë lëndë tjetër, në qoftë se nuk duan të marrin pjesë në mësimet fetare.
Autor: Dragan Maksimoviq/Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi