1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Potsdam nuk arrihet marrëveshje për Kosovën

Anila Shuka30 Maj 2007

Tetë ministrat e jashtëm të shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë, G8-ës, diskutuan të mërkurën në Potsdam për propozimin që Martti Ahtisaari, i ka dorëzuar Këshillit të Sigurimit më 26 mars

https://p.dw.com/p/AqVg
Rice dhe Steinmeier ne Potsdam
Rice dhe Steinmeier ne PotsdamFotografi: AP
Ajo që pritej ndodhi: as këtë radhë nuk pati afrim mes Rusisë dhe vendeve perëndimore për çështjen e Kosovës. „Ka ende qendrime të ndryshme, por ne jemi të mendimit, që nuk duhet të heqim dorë nga përpjekjet e përbashkëta për t’i afruar pozicionet“, tha mikpritësi i takimit në Potsdam, Frank Walter Steinmeier. Ministrja amerikane e punëve të jashtme, Condoleezza Rice, tha se „është një çështje që nuk i përket vetëm Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është diçka që u përket të gjithë neve, evropianëve neve dhe shumë palëve në rajon.“ Raporti i Ahtisaarit ofron bazat e duhura për të zgjidhur çështjen e Kosovës, tha ajo më tej. Steinmeier tha se zgjidhja e statusit është vendimtare për paqen dhe qendrueshmërinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo është çështja e fundit, që ka mbetur e hapur mbas rënies së Ish-Jugosllavisë.“ Zgjidhja e statusit nuk do t’i kënaqë të gjitha palët, por ai duhet t’u mundësojë njerëzve në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare, një jetë në paqe.“ Steinmeier tha më tej se pavarësisht se si do të vazhdojë procedura e zgjidhjes së statusit në Këshillin e Sigurimit, është me rëndësi që të arrihet një balancë e mençur ndërmjet Serbisë nga njëra anë dhe Kosovës nga ana tjetër. Kjo do të thotë, se në se së shpejti arrihet që Kosova të bëhet e pavarur, duhet pasur kujdes që të bëhet një politikë e përshtatshme ndaj Serbisë, e cila është në një pozitë të vështirë: „Serbia ka një qeveri të re. Kjo ka treguar interes për Evropën dhe gatishmëri për kooperim me Hagën. Ka ardhur momenti, ku ne duhet të fillojmë negociatat për marrëveshjen e asociim stabilizimit.“ Për ministrin rus të punëve të jashtme, Sergej Lavrov, zgjidhja e statusit të Kosovës arrihet vetëm me negociata të drejtpërdrejta e jo në Këshillin e Sigurimit: “Ne i kemi pozicionet diametralisht të kundërta. Nuk shoh asnjë shans për zgjidhje“, tha Lavrov në konferencën e përbashkët për shtyp.” Por as këtë radhë, Lavrovi nuk kërcënoi me veto ndaj projektrezolutës. Ai tha se shpreson që “nuk do të vijë deri aty. Dhe se shpreson se kolegët e tij do të marrin parasysh edhe kërkesat e Rusisë”. Problemi kryesor i Rusisë është se ajo nuk pranon caktimin e kufizimeve kohore. Në anën tjetër, misioni i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, ka nevojë për aprovimin e një rezolute të re në këshillin e sigurimit, e cila do të duhet të shfuqizonte atë 1244. Sipas ministrit francez të punëve të jashtme, Bernard Kouchner, projektrezoluta tashmë është duke u përgatitur dhe është çështje ditësh ose javësh derisa ajo të marrë formën përfundimtare. Ai pranoi se vendimi është i vështirë, por është më mirë që të merret, se konfrontimi me luftra. Kouchner tha se ka ardhur koha që secila palë, duke përfshirë këtu edhe G8ën të marrë përgjegjësitë që i takon. Ministrja e britanike e punëve të jashtme Margaret Beckett, tha se nuk dihet se kur do të arrihet një zgjidhje, ndoshta brenda disa ditëve, ose disa javëve, por ajo tashmë është shtruar në Këshillin e Sigurimit dhe shpresojmë që të arrihet një marrëveshje. Se si do të duket kompromisi në të vërtetë, as kjo nuk është e saktë. Ministri italian i punëve të jashtme Massimo D’Alema kishte folur për një kompromis ku të dy popujt, si serbët ashtu edhe kosovarët, të mos kenë përshtypjen se janë lënë pas dore nga bashkësia ndërkombëtare. D’Alema u tha gazetarëve italianë mbas takimit, se “para se të arrij çështja deri tek konfrontimi i i Rusisë me veton, do të mendohet mirë dhe me kujdes. Nuk mund t’i bihem murit me kokë, kështu që të gjithë do të reflektojmë,” ka thënë D’Alema. Kosova mbetet pra teme debati edhe në takimin e nivelit të lartë të G8ës në Heiligendamm nga data 6 deri më 8 qershor. Se a do të vazhdojë debati deri në më 1. korrik, kur siç u bë e ditur të mërkurën në konferencë për shtyp, Putini do të takojë Bushin në Amerikë, këtë nuk mund ta thotë askush.