1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: Manovër me 5300 ushtarë në Lituani

13 Qershor 2017

Konflikti i Ukrainës e ka përforcuar në Shtetet Baltike frikën nga një ekspansion rus. NATO-ja përpiqet që të përgjigjet me forcimin e krahut lindor të saj. Manovra do të verifikojë gjendjen e trupave për mision.

https://p.dw.com/p/2eYvJ
Manovra "Iron Wolf 2017" (Ujku i hekurt)
Manovra "Iron Wolf 2017" (Ujku i hekurt)Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Kulbis

Rreth 5300 ushtarë nga dhjetë shtete të NATO-s kanë nisur një manovër të madhe ushtarake në Lituani. Me manovrën "Iron Wolf 2017" (Ujku i hekurt) do të verifikohet gatishmëria për mision e batalioneve të NATO-s të stacionuara në këtë shtet baltik. Këtë e bëri të ditur ministria e Mbrojtjes në Vilnius.

Njësia luftarake multinacionale për të forcuar krahun lindor të NATO-s dhe për ta frikësuar Rusinë drejtohet nga Forcat e Armatosura Gjermane, Bundeswehr. Gjermaninë e mbështesin shtetet e Beneluksit dhe Norvegjia. Manovra që do të zgjasë deri në 23 qershor, sipas të dhënave të ushtrisë do të kryhet në tri rajone të Lituanisë.

"Boshllëku-Suvalki" - thembra e Akilit e krahut lindor të NATO-s

Manovra "Iron Wolf 2017" (Ujku i hekurt)
Manovra "Iron Wolf 2017" (Ujku i hekurt)Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Kulbis

Krahas trupave të batalionit të NATO-s, në manovër marrin pjesë edhe ushtarë nga SHBA, Britania e Madhe, Polonia dhe Portugalia. Me këtë manovër synohet të ushtrohen misione të ndryshme dhe koordinimi midis njësive. Ushtarët stërviten edhe që të mbrojnë të ashtuquajturin "Boshllëk-Suvalki", i cili konsiderohet si thembra e Akilit e krahut lindor të NATO-s. Me këtë kihet parasysh një brez toke me një gjatësi prej rreth 65 km midis Polonisë dhe Lituanisë - e kufizuar nga enklava ruse Kaliningrad në Perëndim dhe Bjellorusia në Lindje. Në një rast lufte, sipas mendimit të ekspertëve, Rusia mund të jetë në gjendje që ta mbyllë me trupat e saj zonën kufitare me të njëjtin emër në Verilindje të Polonisë.

Shtetet Baltike janë të shqetësuara për sigurinë e tyre për shkak të vazhdimit të konfliktit të Ukrainës. Për ta frikësuar Rusinë, që prej vitit 2014 SHBA kanë zhvendosur atje me një sistem rotacioni trupa të tyre. Edhe NATO-ja e ka përforcuar praninë e saj. Lituania dhe Letonia do ta rrisin deri në vitin 2018 buxhetin e tyre ushtarak në dy përqind të Produktit të Brendshëm Bruto. Estonia bën pjesë që tani në të paktat shtete të NATO-s, shpenzimet e mbrojtjes të së cilës e arrijnë vlerën e kërkuar nga NATO.