1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Burimet ujore ndërkufitare: Bashkëpunim apo konflikt?

12 Prill 2022

Nga Eufrati në Mekong, digat që sigurojnë furnizimin me ujë të një vendi rrezikojnë t'i lenë të tjerët në thatësi. Burimet e përbashkëta ujore mund të jenë burim paqeje, por edhe konflikti.

https://p.dw.com/p/49dfl
BG Staudämme und Folgen | Wasserkraftwerk Jinghong China
Diga Jinghong në KinëFotografi: Yang Zheng/Imaginechina/picture alliance

Në fillim të pushtimit rus të Ukrainës, Moska njoftoi se kishte bombarduar një digë në Kanalin e Krimesë Veriore. Pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, Ukraina ngriti digën, duke bllokuar një furnizim jetik me ujë në territorin e pushtuar, çka çoi në mungesë të madhe uji. 

Lufta në Ukrainë nuk po zhvillohet për furnizimin me ujë të Krimesë. Por kronologjia e konflikteve nga Instituti Ujor i Paqësorit jep shembuj të ujit si një armë, rastësi apo shkas konflikti që daton mijëra vjet më parë. Ashok Swain, profesor i paqes dhe konfliktit në universitetin Uppsala në Suedi, njëkohësisht ish-kryetar i UNESCO-s për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Ujit, thotë se furnizimi me ujë i Krimesë është një nga shembujt e kësaj dukurie. 

"Megjithatë, burimet e përbashkëta ujore mund të jenë gjithashtu një mundësi për bashkëpunim. Edhe në Krime, nëse bashkësia ndërkombëtare do të kishte ndihmuar Rusinë dhe Ukrainën që ta zgjidhnin çështjen humanitare të ujit, mund t'u kishte dhënë atyre një mundësi ose një forum për të negociuar e për të diskutuar se si ta trajtojnë këtë çështje dhe gjithashtu të zgjidhin çështje të tjera” - thotë Ashok.

"Tensionet për ujin”

Rreth 40% e popullsisë botërore jeton në lumenj që kalojnë kufijtë ndërkombëtarë. Dhe me krizën klimatike që le pas shumë rajone që vuajnë nga thatësira, qasja se si këto burime thelbësore të ndahen në mënyrë të barabartë, ka ngritur tensione të profilit të lartë në mbarë botën. Gjatë muajit shkurt, Diga e Rilindjes së Madhe Etiopiane më në fund u vu në funksionim, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme nga Egjipti dhe Sudani, të cilët prej kohësh i frikësoheshin ndikimit të digës në tokat e tyre bujqësore poshtë Nilit. 

Äthiopien Guba | Grand-Ethiopian-Renaissance-Talsperre
Diga Grand Ethiopian Renaissance Dam (GERD) në Nil në EtiopiFotografi: Amanuel Sileshi/AFP/Getty Images

Digat e ngritura përgjatë lumit Mekong në Kinë, janë konsideruar shkaku për thatësirën e shkaktuar në Tajlandë dhe Kamboxhia. Ndërkohë, tensionet janë shtuar midis rivalëve Indi-Pakistan, për çështjen e ujërave të tyre të përbashkëta në basenin e lumit Indus. 

Pajisja e internetit për Paqen dhe Sigurinë e Ujit, e ndërtuar nga Instituti i Burimeve Botërore, tregon një hartë të planetit tonë të mbushur me tensione mbi këtë çështje, tensione të cilat kërcënojnë të bëhen të dhunshme. Megjithatë, Scott Moore, autor i "Hidropolitika nënkombëtare: Konflikti, bashkëpunimi dhe ndërtimi i institucioneve në basenet e përbashkëta të lumenjve", thotë se trazira të tilla ndodhin kryesisht brenda shteteve, dhe jo ndërmjet tyre. 

Tensionet ndërkombëtare për ujin, thotë Moore, rrallëherë përshkallëzohen në konflikt të vërtetë. Dhe kur mosmarrëveshjet arrijnë në pikën kulmore, uji është shpesh vetëm preteksti për çështje të tjera madhore. "Intuita thotë se uji është shkaku i tensionit dhe konfliktit, ndërsa unë do të thoja se është zakonisht e kundërta - tensionet gjeopolitike ose mosmarrëveshjet ekonomike marrin shkas nga çështja e ujit" -  thotë Moore. 

Politikë dhe thatësirë në Lindjen e Mesme 

Që nga vera e kaluar, mungesa e ujit në Iran ka nxitur protesta, të ashtuquajtura "Kryengritja e të Eturve". Në të njëjtën kohë, tensionet janë ndezur në mosmarrëveshjet e gjata me Afganistanin fqinj, mbi digën e tij Kamal Khan në rrjedhën e sipërme të lumit Helmand. 

Susanne Schmeier, profesore e asociuar e ligjit dhe diplomacisë së ujit në IHE Delft në Holandë, thotë se fajësimi i vendeve fqinje për grumbullimin e ujit mund të jetë një devijim i përshtatshëm nga çështjet e brendshme rreth çmimit të ujit dhe infrastrukturës joefikase të ujit.  "Sa herë që Irani përballet me kriza të forta të brendshme mbi ujin, të cilat përfshijnë në protesta ose konflikte qytetarë dhe fermerë," shpjegon Schmeier, "ju do të shihni në të njëjtën kohë, deklarata të forta të politikëbërësve iranianë ndaj Afganistanit që thonë: Ne duam pjesën tonë të lumit”. 

Afghanistan Nimroz Kamal Khan Staudamm
Diga Nimroz Kamal Khan në AfganistanFotografi: Afghan Presidential Palace/Xinhua/imago images

Dhe ndërsa Irani akuzon fqinjin e tij për krijimin e rezervave të ujit, ai ndërton gjithashtu digat e veta mbi Helmand dhe lumenj të tjerë, duke përfshirë një degë të Tigrit që derdhet në Irak. Ky i fundit ka problemet e veta me mungesën e ujit. 

Iraku i goditur nga thatësira, fajëson Iranin dhe Turqinë për problemet e tij me ujin. Turqia ka diga si në Tigër ashtu edhe në Eufrat, dhe në rrjedhën e poshtme. Iraku dhe Siria thonë se këto diga po i lenë vendet e tyre në thatësirë. 

Ndryshimet klimatike ashpërsojnë tensionet

Pas ndërtimit në vitet 1980, Turqia ra dakord të lëshonte 500 metra kub ujë në sekondë, nga Eufrati përmes digës së hidrocentralit Ataturk në Sirinë fqinje. Sot Turqia fajëson ndryshimet klimatike për pakësimin e rrjedhës, kurdët sirianë përtej kufirit besojnë se Turqia po i ndëshkon ata si rivalë politikë. 

Swain thotë se tensionet mbi hidrocentralin GERD në Etiopi janë gjithashtu të rrënjosura në një koklavitje faktorësh gjeopolitikë dhe klimatikë. Diga, teorikisht, mund të jetë reciprokisht e dobishme: vendet e poshtme, Egjipti dhe Sudani, mund të përdorin energjinë e saj të lirë elektrike. Në të njëjtën kohë, diga mund të përdoret për të rregulluar rrjedhën e Nilit, me qëllim shmangien e përmbytjeve që kanë shkatërruar zonat e Sudanit vitet e fundit. 

Megjithatë, pyetja shtrohet se çfarë mund të ndodhë nëse pas disa vitesh të njëpasnjëshme thatësire, Etiopia do të frenonte ujin për ta mbajtur rezervuarin e saj mjaftueshëm të mbushur. "Pra, kjo është arsyeja pse po vjen kjo lloj frike. Është ndryshimi i klimës" - thotë Swain. 

Irak Euphrat Falluja
Burimet ujore të Eufratit përplasin Turqinë vendet fqinjeFotografi: DW/A. Alaa

Uji, si një çështje "e depolitizuar” 

Bashkëpunimi ndërkombëtar mbi ujërat e Nilit mund të jetë më i lehtë nëse vendet e rrjedhës së sipërme dhe të poshtme nuk do të binin në anët e ndryshme të ndarjes gjeopolitike. "Bota është ndarë në dy kampe. Etiopia po merr mbështetje nga Kina dhe Rusia, ndërsa Egjipti dhe Sudani janë më të lidhur me Perëndimin” - tha Swain. 

Megjithatë, Mehmet Altingoz, i cili hulumton menaxhimin ndërkufitar në Universitetin amerikan të Delaware, beson se fokusimi në çështjen humanitare të furnizimit me ujë të Krimesë mund të kishte ndihmuar në shpërndarjen e tensioneve përgjatë kësaj ndarjeje globale. "NATO dhe Perëndimi humbën një mundësi për të zbutur tensionet në rajon, duke i kërkuar Ukrainës që të gjejë një mënyrë për të bashkëpunuar për sigurimin e aksesit të ujit në Krime" argumenton një artikull i tij i fundit, ku është bashkëautor. 

"Është më e lehtë të bashkëpunosh për asetet mjedisore”, tha ai për DW. Hulumtimi i tij ka mbuluar Turqinë dhe Armeninë, vende që nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por ndajnë pronësinë e një dige të epokës sovjetike që ndodhet në kufirin e tyre. 

Çdo muaj, shpjegon Altingoz, një komitet teknik i përbërë nga anëtarët e vendeve rivale mblidhet për të vendosur se si do të ndahet uji: "Ka një bashkëpunim të gjerë mbi këtë masë ujore dhe ne kuptuam se po përmirëson marrëdhëniet në nivel lokal." 

Uji, për bashkëpunim dhe jo konflikt

Sipas OKB-së, rreth 300 traktate ndërkombëtare të ujit janë nënshkruar që nga viti 1948, dhe shumica dërrmuese rrallë bëhen tituj mediatikë. "Ka shumë më tepër raste, shembuj dhe raste bashkëpunimi për ujin - veçanërisht nëse e përcaktojmë atë në termat e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me menaxhimin e burimeve të përbashkëta ujore - sesa ka raste apo shembuj konflikti" - tha Moore. 

Megjithëse tensionet e ujit janë rindezur rregullisht midis Indisë dhe Pakistanit, kombet rivale kanë punuar së bashku përmes Traktatit të Ujit Indus, që daton në vitet 1960. "Edhe kur u ndezën tensionet më të mëdha, edhe kur ishin në prag të luftës bërthamore, India dhe Pakistani, vazhduan takimin sipas traktatit" - thotë Schmeier. Ajo tregon gjithashtu paktin e stabilitetit që u krijua për të ndërtuar paqen në Ballkan pas luftës në vitet 1990, duke marrë ujërat e përbashkëta të Danubit si pikënisje për bashkëpunim. "Ata negociuan një marrëveshje, krijuan një organizatë të baseneve lumore që bashkoi vendet dhe më pas kjo marrëveshje u përhap edhe në tregti, në pastrimin e mbetjeve të luftës dhe të gjitha gjërat e tjera" - thotë Schmeier.