Ndihmë për rininë (pothuajse) të humbur të Spanjës
22 Tetor 2021Iván Rosero është 22 vjeç dhe nuk shkon mirë me prindërit e tij, me të cilët jeton ende. Por ai nuk ka as makinë as para për t'u shkëputur nga foleja e prindërve. Ai nuk fiton asgjë në trajnimin e tij shtetëror si teknik i videove.
Në kushte të tilla janë shumica e të rinjve spanjollë, të cilët, mesatarisht, arrijnë sigurojnë jetesën vetë në moshën 30 vjeç dhe të krijojnë familjen e tyre. Ndjenja e familjes që është e përhapur në shoqëri është shfrytëzuar prej kohësh nga politikanët dhe sipërmarrësit për të kursyer para. Të rinjtë janë bërë komod gjatë viteve. E gjithë kjo duhet të ndryshojë tani.
Qeveria spanjolle ka deklaruar 100 milionë euro në buxhetin e ri për masat në tregun e punës dhe strehimit veçanërisht për të rinjtë. Kjo rrit përpjekjet për financim me 85 përqind. Por kjo nuk është e mjaftueshme, impulsi gjithashtu duhet të vijë edhe nga sipërmarrjet spanjolle, beson ministrja e Punës Yolanda Diaz.
Të ngopur dhe të përkëdhelur
Sipas informacioneve zyrtare, pothuajse 40 përqind e të rinjve deri në 29 vjeç nuk kanë punë në Spanjë. Një vit më parë, kryeministri Pedro Sánchez promovoi një "Startup Nacional" spanjoll. Por të rinjtë nuk janë të përgatitur të riskojnë: "Ata që ende jetojnë në shtëpi tek prindërit dhe janë nën kujdesin e tyre, nuk kanë përse ta shohin si të nevojshme të shpëtojnë botën", e pranon Ivan gjithashtu.
Nëse shumica e parlamentit spanjoll voton për buxhetin aktual në muajt e ardhshëm, të rinjtë midis 18 dhe 35 vjeç do të marrin një subvencion mujor të qirasë prej 250 euro - nëse nuk fitojnë më shumë se rreth 24.000 euro bruto në vit. Kjo është pak më pak se paga mesatare në Spanjë. Gjithashtu kryeministri njoftoi një bonus të kulturës prej 400 eurosh, që jepet njëherë për të rinjtë.
Pa bursë studenti, pa punë
21-vjeçarja Julieta Martínez nga Madridi është aktualisht në Münster në Gjermaninë veriore për semestrin e saj jashtë vendit dhe është e habitur: "Këtu ka shumë punë për studentët dhe pa komplikime, fleksibël, apartamente të lira studentësh dhe kredi studentore". Në Spanjë nuk ka asgjë nga këto. "Përkundrazi: çdo punëdhënës spanjoll kërkon përvojë profesionale dhe pavarësi. Por nga duhet ta marrim atë nëse nuk ka punë fleksibël me kohë të pjesshme për ne?" ankohet Martinez.
Arsimi profesional deri më tani është nënvleftësuar në shoqërinë spanjole. Mungon mirëkuptimi për kontekstin e përbashkët të arsimimit dhe kualifikimit profesional. Politikanët, kompanitë dhe sindikatat në Spanjë u ulën në tryezë vetëm pas presionit nga Brukseli për ndihmën e drejtëpërdrejt prej 140 miliardë euro të titulluar "gjenerata e ardhshme". U vendos që të rritet paga minimale në 965 euro në muaj, më shumë stabilitet në kontratat e punës dhe trajnim i dyfishtë praktik e teorik profesional.
Të diplomuar që punojnë taksistë
Këto suksese arritur janë falë ministres spanjolle të Punës Yolanda Díaz: "Ne duhet të fillojmë të përshtasim sistemin tonë të trajnimit në treg nëse duam të luftojmë papunësinë e lartë tek të rinjtë." Shumë spanjollë kanë studiuar në universitet dhe më pas ata punojnë si shoferë taksie.
50-vjeçarja e përkushtuar është pa diskutim ylli i qeverisë. Puna e saj dhe ajo e Ministrisë së Arsimit do të përcaktojë gjithashtu zgjedhjet parlamentare në 2023. Sepse Spanja renditet e fundit në Evropë me 16 përqind të braktisjes së shkollës gjatë shkollimit të detyrueshëm
Një sistem i rreptë arsimor
Kjo është për shkak të një sistemi shumë skolastik dhe të rreptë arsimor. Përsëritja e klasave është normale, ri-provimet janë standard. Ata që kanë para i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe universitete më të thjeshta private. Iván, për shembull, ndoqi një shkollë publike dhe u deshën disa përpjekje për të marrë përfundimisht diplomën e shkollës së mesme në duart e tij.
Megjithatë, kjo nuk garanton akses në universitet. Për ta bërë këtë, në Spanjë është i nevojshëm një provim teorik që mbulon të gjithë materialin shkollor. Ka më pas një proces tjetër përzgjedhjeje për postet e lakmuara publike, që në disa raste mund të zgjasë me vite.
Fondet e BE-së "Gjenerata e ardhshme" tashmë kanë dhënë fryte
Qeveria ka afat deri në dhjetor për të bindur parlamentin për buxhetin e saj në të mirë të të rinjve. Deri më tani, Kryeministri Sánchez nuk ka pasur shumicën, sepse lojërat e pushtetit të motivuara ideologjikisht nga partitë në Spanjë po vonojnë shumë reforma. "Motra ime ende jeton në shtëpi edhe pse është 26 vjeç. Disi kam ndjenjën se nuk po arrijmë askund," thotë Iván Rosero.
Ashtu si shumë moshatarë të tij, Ivan nuk ka ndonjë interes të veçantë për politikën, por i pëlqen Yolanda Díaz. Ministrja e Punës paralajmëron kushtet amerikane: "Ne duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të ofrojë mundësi për të gjithë, përndryshe ne do të ushqejmë konflikte dhe dhunë në qytete."
Ajo ndihmohet nga Ministrja e Ndërtimit Raquel Sánchez. Pronat e lira tani dënohen me një taksë më të lartë të pronës, e cila duhet të rrisë ofertën e hapësirave me qira dhe çmime më të ulëta. Sipas zyrës kombëtare të statistikave INE, 3.4 milionë apartamente janë të lira në Spanjë. Këto gjëra u vunë në lëvizje tani gjithashtu me fondet nga Brukseli dhe shumë diskutime dhe konsultime me kolegët në Komision e BE-së.
Banesa sociale dhe fondacionet private
Strehimi social së shpejti do të promovohet më fuqishëm me "Ley de la vivienda" (Akti i Strehimit). Kjo kryesisht ka për qëllim të ndihmojë familjet e reja dhe gratë beqare. Ish-bankieri Conrado Giménez ka hequr dorë nga karriera e tij e suksesshme në mënyrë që të ndihmojë gratë e reja në nevojë.
Fondacioni i tij "Fundación Madrina" bën atë që shteti e ka injoruar prej vitesh: "Administrata spanjolle është shumë e ndërlikuar për të rinjtë në nevojë. Ata janë lënë vetëm, veçanërisht nënat dhe kjo në një vend të krishterë," ankohet Gimenez, i cili beson se ai jeton në një "vend macho".
Ministrja e Punës Yolanda Diaz gjithashtu është ankuar për këtë në disa raste. Ajo dëshiron të krijojë terren të ri: "Të rinjtë ishin viktimat kryesore të krizës në vitet '90, kriza financiare në 2010 dhe ata tani janë përsëri në pandemi. Ne nuk mund të ngarkojmë gjithçka mbi kurrizin e tyre," paralajmëron ajo.