311208 Italien G8
2 Janar 2009Kriza ekonomike, shkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme, mundësia e zgjerimit të klubit të tetë vendeve më të mëdha industriale - tema aktuale ka me bollëk. Qeveria italiane do ta ketë problem për t´i trajtuar të gjitha këto tema brenda presidencës së saj të G-8-ës. Kjo është edhe një nga arsyet, pse shumë tema që duhet të trajtohen në fakt në takimet e G-8-ës janë mënjanuar. Ministrat e vendeve të G-8-ës takohen gjatë gjithë vitit. Ministrat e jashtëm p.sh. konsultohen mbi situatën në rajonin e krizës mes Afganistanit e Pakistanit. Ministri i jashtëm i Italisë, Franko Fratini (Frattini) dëshiron një road-map, një plan për paqëtimin, në të cilin të merret edhe mendimi i Arabisë Saudite, i Emirateve dhe i Turqisë.
Afrika do të jetë gjithashtu një nga pikërëndesat e G-8-ës. Franko Fratini përmendi si shembuj konfliktet në Kongo dhe situatën në Somali:
„Për rajonet e krizës në Afrikë nuk mjafton vetëm ajo që ka bërë OKB-ja. Atje është i nevojshëm një angazhim i fuqishëm dhe jo vetëm ruajtja e paqes, por një pjesëmarrje e organizatave të mëdha siç është Bashkimi Afrikan.“
Ndihma për zhvillimin, kursimi i energjisë, pakësimi i emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë, këto janë tema të tjera që duhet të trajtohen në nivelin e ministrave në grupin e G-8-ës. Një nga pikat më të rëndësishme kuptohet që është kriza globale financiare, lidhur me këtë Fratini thekson:
„Ministrat e ekonomisë do të diskutojnë për reformën në institucionet ndërkombëtare të financave siç është Banka Botërore. Tashmë duket qartë që nuk janë të mjaftueshme organizatat, të cilat nuk kanë as mekanizma të forta kontrolli dhe as lidhje të shpejta me ekonominë reale.“
Kriminaliteti në internet është një tjetër pikërëndesë që Italia synon ta trajtojë në kuadër të temave të sigurisë dhe parandalimit të krimeve.
Këto tema do të shqyrtohen në samitin e G-8-ës më 7 deri më 8 korrik në La Madalena, një ishull i vogël në Veri të Sardenjës, që ka shërbyer dikur si bazë ushtarake. Në La Madalena nuk do të takohen vetëm delegacionet e shteteve të G-8-ës, sepse kryeministri Silvio Berluskoni (Berlusconi) ka planifikuar ta zgjerojë rrethin e tyre:
„Në ditën e parë do të zhvillohet takimi tradicional i G-8-ës. Në ditën e dytë do të vijnë edhe pesë shtete të reja me zhvillim të shpejtë industrial: India, Kina, Afrika e Jugut, Brazili dhe Meksika. Me propozimin tonë në raund do të marrë pjesë edhe Egjipti. Pra dita e dytë e samitit do të quhet G-14: tetë plus gjashtë. Në ditën e tretë bashkë me 14 vendet do të jenë të pranishëm edhe Indonezia dhe Australia. Pra ne jemi duke lëvizur në drejtim të G-20-ës."
AUD