"Ne thjesht duam konkurrencë të barabartë"
21 Dhjetor 2020"Në kushte të barabarta, Google do të humbte 20 përqind të pjesës së tregut me një goditje." Për Gabriel Weinberg një gjë është e sigurt: Google është kundërshtari i tij. 41-vjeçari është drejtori menaxhues i DuckDuckGo, një sistem kërkimi në internet që angazhohet për ruajtjen e privatësisë dhe nuk dëshiron të jetë një thithës i të dhënave.
"Është ndjenjë e keqe. Ju keni një zgjidhje, por nuk mund ta realizosh. Kjo duhet të korrigjohet", thotë Weinberg. Konkurrenti i tij mbizotërues ia vështirësoi punën me një telefon celular. "Duhen 15 klikime për ta vendosur ate si sistem të kërkimit." Të gjithë duhet të kenë mundësinë e përzgjedhjes më të lehtë për sistemet e kërkimit në internet. "Ne thjesht duam konkurrencë të barabartë."
Weinberg nuk është vetëm në SHBA me kërkesat e tij. Politikanët po e mbajnë anën e tij. Kritikat ndaj fuqisë së Google, Facebook, Amazon dhe Apple po dëgjohen gjithnjë e më fuqishëm. Disa shtete amerikane kanë paditur Google dhe e akuzojnë kompaninë mëmë Alphabet për përdorimin e praktikave të paligjshme të konkurrencës për të mbrojtur monopolin e saj për kërkim në internet si dhe për reklama. Ka procese gjyqësore edhe kundër Facebook.
Planet e BE
Ajo që në SHBA po ndodh në nivel më të ulët, po planifikohet të ndodhë në shkallë të lartë në BE. Kjo nuk ka të bëjë asgjë më shumë sesa me riorganizimin e botës dixhitale. Komisioni i BE dëshiron ta bëjë konkurrencën më të drejtë me një ligj për shërbimet dixhitale dhe një ligj për tregjet dixhitale. Ata që kundërshtojnë kërkesat e mundshme mund të përballen me gjoba deri në gjashtë për qind të qarkullimit vjetor. Kjo është ndoshta një nga arsyet pse aktivisti i rrjetit Markus Beckedahl është i sigurt: "Kjo do të jetë beteja më e madhe e lobeve në botën dixhitale."
Beckedahl ka vëzhguar sjelljen e gjigantëve të teknologjisë për gati 20 vjet në rrjetin netzpolitik.org. Gjërat tani duhet të rregullohen me ligj dhe koncernet e mëdha duhet të humbin monomolin.
Propozimet e BE
Në propozimin e Komisionit të BE thuhet, se platformat nuk lejohen të mbizotërojnë konkurrencën. Ato duhet të bëjnë reklamimin e tyre dhe algoritmet e rekomandimeve më transparente, në mënyrë që të jetë e qartë se kush dhe kur po tregohet. Si një mundësi e fundit, BE-ja madje po konsideron ndarjen e koncerneve nëse ato nuk u përmbahen rregullave të BE-së.
Një armë e rëndësishme në këtë mes mund të jetë i ashtuquajturi Interoperabilitet. Sipas këtij propozimi, koncernet e mëdha do të duhej të hapnin sistemet e tyre: Një mesazh nga Whatsapp mund të dërgohet gjithashtu në Telegram. "Kjo mund të çojë në më shumë konkurrencë në tregun e shërbimeve", tha Beckedahl në një intervistë me DW.
Studiuesit dhe autoritetet gjithashtu duhet të kenë qasje më të mirë në të dhënat e Amazon, Google dhe Co. "Për momentin ekziston një asimetri e madhe e energjisë. Platformat i kanë të gjitha këto të dhëna, departamentet e tyre kërkimore mund të kenë qasje në kohë reale. Ndërsa rregullatorët janë me humbje."
Por iniciativa e Komisionit vjen mjaft vonë. Përveç tregut të sistemeve të kërkimit, Google është edhe lider i tregut në videot e krijuara nga përdoruesit përmes YouTube. Përveç biznesit të dërgimit të porosive me postë, Amazon po zgjeron dominimin edhe në biznesin cloud (AWS - Shërbime Ueb Amazon). Edhe Facebook dominon rrjetet sociale me platformën e tij, me Instagram si dhe Whatsapp.
Gabriel Weinberg nga DuckDuckGo po vëzhgon edhe zhvillimet në Evropë. Kompania është një nga anëtarët themelues të Global Privacy Control, një aleancë që kujdeset për mbrojtjen e të dhënave private.
Ai punon për gati 13 vjet në këtë fushë dhe tani ka 150 të punësuar. Ai mendon se të dhënat personale janë shkaku kryesor për "atë që po shkon keq në internet dhe gjithashtu shkakton probleme sociale". "Ne duam që rezultatet të jenë të njëjta në të gjithë botën dhe të mos varen nga të dhënat tuaja personale." Sipas tij, sistemi i tij i kërkimit aktualisht ka dy miliardë pyetje në muaj dhe po rritet me shpejtësi. Por pjesa e tregut për kërkimet nga DuckDuckGo është ende e papërfillshme në krahasim me konkurrencën.
Nga Evropa në SHBA?
Markus Beckedahl nga netzpolitik.org beson se qeveria amerikane nuk është e interesuar të godasë gjigandët e saj të teknologjisë. "Këto janë kompanitë me të cilat ata dominojnë botën". Sidoqoftë, rregullimi më i rreptë në BE mund të shërbejë si model kundër konkurrencës joluajale. "Evropa ka krijuar një standard dixhital këtu." Por gjithçka nuk do të ndryshojë automatikisht për mirë vetëm përmes rregullimit. Konsumatorët gjithashtu kanë nevojë për këtë. "Me çdo klikim, me çdo pyetje kërkimi, Google bëhet më i fortë."
Shefi i DuckDuckGo Weinberg shpreson që konkurrenca të jetë më e drejtë. Ai është i vetëdijshëm për një interes për më shumë privatësi. Ai nuk do të komentojë spekulimet për marrjen e kësaj firme nga konkurrenca. Vetëm thotë: "Ne me siguri që nuk do të shitemi tek Google".