1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga Sauli tek Pali

Spiros Moskovou11 Korrik 2015

Metamorfoza e papritur e qeverisë Cipras nuk ka ndodhur nga ndonjë frymëzim hyjnor. Dhe edhe nëse gjithçka ecën sipas planit të ri të Ciprasit dhe Grexit shmanget, turbullirat politike në Greqi janë të paraprogramuara.

https://p.dw.com/p/1Fx9W
Fotografi: Reuters/J.-P. Pelissier

Rritje taksash, shkurtime pensionesh, privatizime, shkurtime në ushtri dhe në shpenzimet për mbrojtjen. Kjo është esenca e propozimeve të qeverisë greke për huadhënësit ndërkombëtarë, me qëllim që ato të mos i kthejnë shpinën përfundimisht vendit. Me fjalë të tjera, kursime të lidhura me shpresën e një programi investimesh për zhvillimin e ekonomisë dhe një ristrukturim i borxhit, i çfarëdo lloji që të jetë.

Është pikërisht kjo përzierje e masave të kursimeve dhe të reformave, të cilat qeveria e majtë dhe e djathtë populiste e Ciprasit i ka quajtur toksike gjatë negociatave të pafrytshme pesëmujore me institucionet. Me përjashtim të disa korigjimeve kjo është pikërisht ajo përzierje, që qeveria refuzoi deri dy javë më parë dhe që votuesit grekë e refuzuan me shumicë dërrmuese në referendumin e javës së kaluar.

Por metamorfoza e papritur e qeverisë Cipras nuk ka ndodhur nga frymëzimi hyjnor. Më tepër kemi të bëjmë me një zbutje klasike: SYRIZA deri në fund të janarit ishte një opozitë e tërbuar në Greqi, pas fitores së saj zgjedhore u bë një opozitë rebele ndaj pjesës tjetër të Evropës. Vetëm tani, pak para kolapsit të përgjithshëm financiar të vendit, ajo po përpiqet të luajë rolin e saj të vërtetë, të partisë në pushtet.

Pasi bankat kanë mbyllur dyert dhe pensionistët janë duke qënduar në radhë të gjata para tyre, Cipras bëhet gjithnjë e më i arsyeshëm. Ai synon të krijojë një konsensus kombëtar me partitë opozitare proevropiane, duke ulur shpërthimet e zemërimit të ministrit të tij të Mbrojtjes nga e djathta ekstreme. Tani ai madje i propozon huadhënësve propozimet e tyre.

Eshtë shumë e mundshme që këto propozime t'u mjaftojnë fillimisht institucioneve, për të vazhduar alimentacionin e shtetit grek. Problemi megjithatë do të jetë zbatimi konkret i reformave, për shkak se ky nuk është rezultat i bindjeve politike, por qëndron në mënyrë fare të qartë në kundërshtim me premtimet dhe drejtimin politik të dy partive të koalicionit.

Ky drejtim propagandon drejtësi dhe dinjitet, por në fakt konservon një sektor publik të sëmurë dhe çimenton klikat. Nuk është rastësi që dy anëtarë të kabinetit nuk nënshkruan për bekimin e propozimeve nga qeveria: Ministri i Mbrojtjes, kryetari i ANEL, partnerit të djathtë në koalicion, Panos Kammenos,, dhe ministri i Energjetikës, përfaqësues i krahut ultra të majtë të SYRIZA-s, Panagiotis Lafazanis. Edhe nëse gjithçka ecën sipas planit të ri të Ciprasit dhe Grexit-i shmanget këtë fundjavë, turbullirat politike në Greqi janë të paraprogramuara.