Romët në Gjermani
1 Tetor 2013Ishte fillimi i viteve `90-të, kur Nizaqete Bislimi, një vajzë e re rome nga Kosova emigroi me familjen e saj në Gjermani. Jeta në vend të huaj nuk ishte e lehtë për Nizaqeten, që iu desh të përballej me sfida të shumta në rrugën e integrimit, arsimimit dhe marrjes së nënshtetësisë. Megjithë vështirësitë, ajo arriti ta përfundoj Fakultetin Juridik në Gjermani. Sot 34 vjeçarja është një avokate mjaft e angazhuar, për t'iu ardhur në ndihmë të huajve, që ende mbajnë statusin e “Duldung-ut" apo të toleruarit. E ftuar në konferencën e Deutsche Welles të organizuar para pak ditësh mbi sfidat e arsimimit të romëve nga Europa Juglindore, Nizaqete Bislimi rrëfeu përvojën e saj në 20 vite të qëndrimit në Gjermani.
DW: Cilin do të quanit si angazhimin tuaj kryesor?
Nizaqete Bislimi: Si avokate në rradhë të parë jam e angazhuar për përmirësimin e statusit të emigrantëve në Gjermani. Gjithashtu merrem me procese të shumta që lidhen me azilantët nga vendet e ndryshme, në kuadër të veprimtarisë time. Gjermania është atdheu im i dytë pas Kosovës dhe ndihem si në shtëpinë time këtu. Prandaj po mundohem të kontribuoj edhe për ndryshime ligjore.
Në kohën kur ju erdhët si 14 vjeçare në Gjermani, kërkesave tuaja nuk iu kushtohej edhe aq vëmendje. Si është gjendja tani, a ka ndonjë ndryshim?
Në një farë mënyre mendoj se po, sepse tani unë si avokate mund të bëjë shumë më tepër për të drejtat e emigrantëve. Për këtë arsye jam edhe shumë aktive në këtë drejtim dhe shpresoj ta arrij qëllimin.
Sa persona nga komuniteti rom kanë arritur një nivel të përafërt arsimor si ju?
Kam takuar shumë të tillë, studentë, profesorë universitetesh, njerëz që punojnë në vende të ndryshme, doktorantë. Pra, në përgjithësi njerëz, të cilët kanë një vend normal pune, por edhe nga ata që punojnë në struktura akademike.
A do të thotë kjo se kemi të bëjmë me një ndryshim të mentalitetit mbi romët?
Disa ndryshime janë paksa të dukshme, por unë do të doja shumë që edhe anëtarë të tjerë të komunitetit rom, ashkali apo cilitdo komunitet tjetër të vazhdojnë të integrohen edhe më tej në shoqëri. Ka mjaft raste romësh, të cilët janë të integruar në shoqëri, kanë gjetur punë, fëmijët i dërgojnë në shkollë, etj.
Ju jeni një rome e arsimuar, po sa e ndjeni veten ju të barabartë me gjermanët , kur ngrini zërin për të drejtat e romëve?
Në rrethet ku kam qarkulluar unë, nuk kam pasur ndonjëherë eksperienca negative, andaj edhe shpresoj që kërkesat e mia të kenë po të njëjtën peshë si ato të gjermanëve. Unë do vazhdoj të angazhohem për emigrantët, pa marrë parasysh se nga vijnë ata, si dhe do të vazhdoj të ngre ato probleme, të cilat shfaqen në shoqëri, si shprehja e racizmit dhe diskriminimit.
Ka katër vite që unë punoj në profesionin tim dhe sa herë aktivizohesha diku, kthehesha plot me energji. Njerëzit që kam këtu përreth, e dinë mirë prejardhjen time dhe unë vonë e kam kuptuar që disa, të cilët nuk më njihnin mirë, por patën rastin të më njohin si avokate, tani shprehin respektin e tyre për mua duke thënë: “Zonja Bislimi, tani e kuptojmë nga rrjedh angazhimi juaj”. Unë nuk dorëzohem aq lehtë, prandaj kam investuar shumë energji në procedimet ligjore për probleme, me të cilat u konfrontova dikur edhe vetë.
Ju thatë më herët se po ndihmoni ata njerëz, që përballen me problematika, siç u përballët ju dikur. Sa raste romësh nga Kosova ka që edhe pas kaq viteve ende jetojnë me statusin e duldung-ut, të toleruarit?
Fatkeqësisht ka ende shumë të tillë që jetojnë prej më shumë se 15 vitesh këtu si “ të toleruar“, por ka edhe të tjerë, të cilët kishin leje qëndrimi, por nuk morën të drejtë qëndrimi. Shtrohet pyetja, „Pse?“. Sepse leja kushtëzohet me integrimin ekonomik dhe njerëzit nuk e kanë mundësinë të gjejnë një punë të përshtatshme dhe të fitojnë aq sa duhet që të mos jenë të varur nga ndihmat sociale. Prandaj në raste të tilla, atyre iu nevojitet një avokat.